Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

L'attention se porte sur le match contre l'Autriche, le Kosovo vise la victoire à Vienne.

Kosova

Kosova dominoi ndaj Irlandës të enjten mbrëma në Prishtinë, por arriti që ta shënojë vetëm një gol. Fitoi 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 

Kosova tani synon tjetër fitore, ndaj Austrisë që është kundërshtare e nivelit më të lartë. Austria vlerësohet favorite e Grupit B3, por te Kosova janë trimëruar pas fitores ndaj irlandezëve. 

Ndeshja Austria – Kosova luhet të dielën nga ora 18:00 në “Ernst Happel Stadion” në Vjenë. 

Ermal Krasniqi dhe Milot Rashica kanë thënë të premten se ndeshja ndaj Irlandës ishte shumë e vështirë, ndonëse e pranuan që u mungoi fati. Kosova kishte disa raste të mira për shënim. 

Krasniqi, që e zëvendësoi Edon Zhegrovën në minutën e 73-të, luajti rol në shënimin e golit. Dhjetë minuta pasi hyri si zëvendësues, tentoi nga afërsia me të majtën. Topi i devijuar qëlloi transversalen ndërsa nga topi i kthyer përfitoi Muriqi. 

Krasniqi ka thënë për FFK-në se roli i të gjithëve në grup është që ta japin kontributin kurdo që ata hyjnë në lojë. Ndaj Austrisë, Krasniqi pret lojë të fortë, por shton se fitorja mund të arrihet nëse grupi qëndron i bashkuar. 

“Austria mund të themi që është favorite e grupit, por nëse luajmë si grup dhe si kundër Irlandës, edhe atje mund të arrijmë një fitore, pse jo”, ka deklaruar Krasniqi. 

Bashkë me Krasniqin në lojë hyri edhe Milot Rashica. 

Rashica e zëvendësoi Baton Zabërgjën, që mbuloi krahun e majtë të sulmit. Rashica me përvojë në skenën ndërkombëtare, dha kontributin e tij po ashtu. 

Edhe Rashica e pranoi se Austria është favorite e grupit. 

“Besoj që është një kundërshtare edhe më e fortë. Por ne edhe në të kaluarën e kemi treguar se kundër kundërshtarëve dhe ekipeve të mëdha dimë të bëjmë paraqitje të mira. Kështu që po synojmë të shkojmë për tri pikë dhe shpresoj të kthehemi me tri pikë”, është shprehur Rashica. 

Krasniqi e Rashica, së bashku me futbollistët e tjerë zëvendësues, kanë stërvitur të premten. Ndërkohë lojtarët që kanë startuar ndaj Irlandës, kishin vetëm seancë regjenerimi në hotel. 

Gjatë këtij grumbullimi të përzgjedhurit e Franco Fodas i kanë edhe dy ndeshje të tjera, pas asaj në Vjenë. Javën tjetër Kosova luan ndaj Izraelit në Debrecen të Hungarisë dhe sërish ndaj Austrisë, në Prishtinë.