Qasje të njëjtë në lojë, por më konkrete para portës kundërshtare.
Kjo është pritshmëria e trajnerit të Dritës, Zekirija Ramadani, për ndeshjen kthyese ndaj ekipit nga Malta, Floriana.
Ndeshja e javës së kaluar e zhvilluar në Maltë përfundoi 1:1, rezultat që do të mund të ishte ndryshe nëse gjilanasit do t’i shfrytëzonin rastet që i kishin gjatë 90 minutave.
Këtë e di mirë edhe trajneri me përvojë Ramadani, i cili ka besim se Drita do ta sigurojë kalimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ramadani në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën mbrëma ka theksuar se qasja do të jetë e njëjtë dhe se ekipi është i mobilizuar për ndeshjen e dytë, që luhet të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
aussi
Drita fait match nul en raison d'une panne de courant
“Nuk na kanë munguar rastet, por na munguan golat. Dhe goli erdhi në fund. Mirëpo në atë moment, kur ne aspak nuk e prisnim, erdhi goli i barazimit. Një gol i barazimit që ka edhe të mirat edhe të këqijat e veta. Ai gol e ka mobilizuar më shumë skuadrën, sepse nëse do të ishim 1:0, me gjithë ato raste të humbura, do të ishte e vështirë për të mobilizuar ekipin. Tani jemi të mobilizuar të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, dhe gjithçka është në dorën tonë. Besoj se do të dalim me fitore”, ka thënë Ramadani.
Drita ishte duke fituar 1:0 me gol të Liridon Balajt në minutën e 96-të. Por kur kishin kaluar më shumë se 100 minuta lojë, saktësisht në minutën e 102-të, Drita pësoi golin e barazimit.
Ndeshja zgjati më shumë se 90 minuta për shkak të problemeve me rrymë në stadiumin e Florianas.
Ramadani thotë se ndërprerja e rrymës në katër raste gjatë ndeshjes ka ndikuar për të keq.
Por vlerëson se lojtarët e tij kanë bërë maksimumin për ta fituar takimin e parë.
“Kemi vrapuar në total 10 kilometra më shumë se në ndeshjen e dytë ndaj ekipit nga Lituania. Nuk është pak të vraposh 10 kilometra në temperaturë 37 gradë Celsius. Duhet të shohim përpara, jemi në Prishtinë dhe kemi obligim fitoren dhe kualifikimin”, është shprehur Ramadani.
Trajneri shkupjan ka besim të plotë se Drita do ta kalojë me sukses raundin e dytë kualifikues të garës se tretë të UEFA-s për nga niveli.
“Besimi është 100 %. Përveç që duhet t’i realizojmë rastet, asgjë tjetër nuk duhet të bëjmë ndryshe në ndeshjen kthyese. Ajo që kërkohet më tepër është finalizimi. Kemi rritur punën e finalizimit dhe do ta shohim rezultatin nesër mbrëma”.
aussi
Drita remporte le cinquième titre de l'histoire
Trajneri 48-vjeçar fton tifozët besnikë për ta përkrahur Dritën nga tribunat.
“Në fund të fundit, më mirë një numër i vogël i tifozëve të sinqertë sesa numër i madh i analistëve në tribuna”, është shprehur Ramadani.
Përkrah Ramadanit në konferencë u paraqit Jorgo Pëllumbi.
Mbrojtësi 26-vjeçar ishte i shkurtër në përgjigje. Por shumë i qartë në synimet e Dritës.
“Jemi të gjithë gati për të dhënë maksimumin nesër dhe për të bërë hapin e radhës në Ligën e Konferencës”, ka thënë Pëllumbi.
Ai pranon se ka presion në dhomat e zhveshjes para ndeshjes kundër Florianas.
aussi
Drita remporte le cinquième titre de l'histoire
“Në këto nivele gjithmonë ka presion, por thjesht duhet të dimë se si ta menaxhojmë presionin. Edhe në lagje kur luan ke presion”, ka thënë Pëllumbi.
Në rast se Drita kalon me sukses Florianan të martën, në raundin e tretë do të përballet me Tre Fiorin e San Marinos.