Një eliminim turpërues nga Liga e Kampionëve për Celticun të martën, ishte edhe më i keq se vitin e kaluar.
“Poshtërim”, ka shkruar AP të mërkurën.
Pas gjysmë ore lojë në ndeshjen e dytë ndaj LASK-ut në Austri, Celticu ishte duke udhëhequr 4:0 në rezultatin e përgjithshëm. Ndeshja në Glasgow kishte përfunduar 3:0 për Celticun, ndërsa kampioni skocez shënoi për 1:0 në Linz në minutën e 21-të.
Por LASK-u më pas i shënoi plot pesë gola për fitoren 5:1 dhe për vend në fazën e ligës. LASK-u u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 5:4.
Për të dytin vit radhazi, kampioni i Skocisë mungon në skenën më të madhe të futbollit evropian. “Morëm atë që e merituam. Ishim shumë pasivë. Nuk ka asnjë arsyetim. Dukeshim të frikësuar për ta fituar ndeshjen. Nuk ishim të mirë as në ndeshjen e parë, me gjithë golat e shënuar”, ka thënë kapiteni Callum McGregor, që realizoi në minutën e 21-të në Austri, gol që pritej ta hapte rrugën drejt kualifikimit. Ai u ka kërkuar falje tifozëve.
Dështimi vlerësohet i papranueshëm për tifozët e zjarrtë të klubit tradicional, që fitoi Kupën e Evropës që në vitin 1967, para se ndonjëri prej klubeve angleze ta festonte trofeun ikonik.
aussi
Le Celtic remporte à nouveau le titre de champion d'Écosse.
Vjet Celticu u eliminua nga Kairat Almaty. Dështimi i një viti më parë u vlerësua i paarsyeshëm nga tifozët, pasi klubi kishte refuzuar të shpenzonte rezervat e mëdha të parave për forcimin e skuadrës. Dhe më pas klubi humbi dhjetëra miliona euro nga mungesa në Champions. Kjo solli tensione në klub dhe largime.
Celticu sërish e fitoi titullin e kampionit në Skoci, ndonëse me vendim shumë kundërthënës të arbitrave në xhiron e fundit. Në Champions nisi prej fazës së plejofit dhe vlerësohej favorit përballë LASK-ut, që për herë të parë siguroi fazën e ligës.
“Jam përgjegjës për këtë. Pa asnjë dilemë. Kualifikimi në Champions është gjë e madhe, në shumë aspekte. Ka të bëjë me aspektin financiar, imazhin, por duhet të vazhdojmë. Është përgjegjësi e imja për ta bërë këtë sërish”, ka thënë trajneri i Celticut, Martin O’Neill.