Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

Le sourire tant attendu de Jamal Musiala

Jamal musiala

Për tifozët e futbollit, një nga momentet më të bukura të javës ishte ai që ndodhi pranë fushës, jo brenda saj. Pasi u zëvendësua në minutën e 65-të të ndeshjes së Bayernit ndaj Bodo/Glimtit, Jamal Musiala buzëqeshi ndërsa vrapoi për të përqafuar trajnerin Vincent Kompany.

Arsyeja e këtij gëzimi kishte ndodhur rreth 20 minuta më parë. Pasi një goditje e Harry Kane u bllokua, Musiala ishte pozicionuar në mënyrë të përkryer për të dërguar topin në rrjetë.

Bayerni e fitoi 5:0 ndeshjen e xhiros së parë të fazës së ligës në Champions. Por është goli i Musialas që gëzoi më së shumti tifozët e skuadrës gjermane. Musiala u zëvendësua pasi shënoi golin e parë ndaj skuadrës norvegjeze dhe kur rezultati ishte 2:0 për Bayernin.

“Unë, 75 mijë njerëz në stadium dhe ndoshta edhe më shumë që e ndiqnin ndeshjen në televizion, u gëzuam shumë për këtë”, ka thënë Kompany.

Ishte një moment lehtësimi. Së pari për Bayernin, që e kishte shumë më të lehtë pjesën e mbetur të ndeshjes. Edhe më shumë për Musialan.

Ai humbi vetëdijen në dy ndeshje rresht në fazën përgatitore. Së fundi kjo i ndodhi tri javë më parë ndaj Heidenheimit. U njoftua më pas për telashe neurologjike të 23-vjeçarit. Dhe mesfushori shënoi gol në ndeshjen e parë si startues në këtë edicion.

“Këto janë historitë që shkruan futbolli. Por ai e meritoi”, tha Max Eberl, drejtor sportiv i Bayernit.

Në intervistën për “DAZN”, Musiala u shpreh i lumtur që ishte kthyer në ritëm dhe për golin. Në fushë, kishte momente kur dukej qartë se i mungonte ende forma e plotë fizike.

“Dua të kthehem në nivelin tim hap pas hapi, me atë ndjesinë e lehtësisë në fushë, me gëzim dhe kënaqësi”, shpjegoi dhjetëshi i Bayernit.

Qartë se ai po mbështetet nga bashkëlojtarët dhe stafi i trajnerëve në këtë përpjekje.

“Përkrahja nga Bayerni, lojtarët dhe trajnerët vërtetë më ka ndihmuar”, ka theksuar Musiala. Ai ka shtuar se fizikisht ndihet mirë. Është pyetur edhe se sa përqind është i gatshëm.

“Vështirë të thuhet, por ndjenja që kam pasur sot më ka munguar për një kohë”, ka thënë reprezentuesi gjerman.

Trajneri Kompany nuk ishte i befasuar me paraqitjen apo golin.

“E kemi ditur se ky moment do të vijë. Por nuk mund t’u thoni njerëzve se thjesht do të ndodhë. Është fantastike për Jamalin. Për ne, gjithnjë ka të bëjë me paraqitjen dhe shpresojmë se fokusi i publikut tani do të jetë te paraqitjet e tij”, ka thënë trajneri i Bayernit.

Musiala duhet të vazhdojë ta bindë trajnerin me paraqitjet e tij. Ai përballet me konkurrencë të madhe për vend në ekip. Por sinjali që dha të enjten mbrëma është pritur nga të gjithë.

Harry Kane, Alponso Davies dhe Michael Oiise shënuan golat e tjerë për Bayernin. Olise realizoi dy golat e fundit.