Talenti 17-vjeçar i Bayern Munchenit, Erblin Osmani, është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe ka zgjedhur të luajë për “Dardanët”. Kështu të paktën deklaroi javën e kaluar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Megjithatë vendimi përfundimtar i futbollistit ende nuk është bërë zyrtar.
Mediumi i madh gjerman, “BILD”, ka shkruar të martën se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
Osmani dhe menaxheri i tij ende nuk kanë komentuar për këtë çështje, shkruan mediumi gjerman.
“Nëse Osmani, pasi mori pasaportën, do të marrë edhe ftesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, atëherë do të përballet me një vendim përfundimtar: A dëshiron të luajë në të ardhmen për Kosovën, vendin e origjinës së prindërve të tij, ku rruga drejt Kombëtares A do të ishte më e lehtë dhe ku mund të bëhej shpejt lojtar shumë i dashur nga tifozët? Apo do të vazhdojë të jetë besnik ndaj Gjermanisë dhe të përpiqet të kalojë nga ekipet e moshave të Gjermanisë drejt Kombëtares së parë, nën drejtimin e trajnerit të ri Jurgen Klopp?”, ka pyetur “BILD”.
Osmani tashmë ka debutuar për ekipin e parë të Bayernit.
Mesfushori deri më tani ka luajtur për U16 dhe U17 të Gjermanisë.