Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Football

Le jeune homme de 16 ans a fait étalage de son talent, mais Arsenal reste prudent.

Max Dowman

Talenti i madh i Arsenalit, Max Dowman, shkëlqeu me dy gola në fitoren 4:2 në “Carabao Cup”, kudër Ipswich Town, të martën mbrëma. Por trajneri Mikel Arteta paralajmëroi se nuk duhet të nxitohet me zhvillimin e tij.

16-vjeçari luajti 13 herë edicionin e kaluar, kurse është dashur të kënaqet me vend në stol këtë edicion. Të paktën deri të martën.

Ai realizoi dy gola të bukur në “Portman Road”, duke kërkuar kështu më shumë minuta në Premier League. 

“Ai është 16-vjeçar dhe ne duhet të jemi vërtetë të kujdesshëm. Ne nuk duam ta ndalim atë dhe nuk duam t’i vëmë fre. Duhet ta zhvillojmë atë dhe jemi të vetëdijshëm për atë që i nevojitet. Ai do të ketë mundësitë”, ka thënë Arteta.

Dy golat e talentit anglez janë vlerësuar shumë të bukur.

“E pabesueshme. Ai është i paparashikueshëm, mund të lëvizë në çdo drejtim. Është kënaqësi të shikohet”, ka vazhduar Arteta.

Ai është vetëm 16-vjeçari i dytë që shënoi dy gola në një ndeshje për ekip të Premier Leagues në çdo garë. Wayne Rooney shënoi dy gola për Evertonin kundër Wrexhamit në vitin 2002. Edhe ajo ndeshje i takoi Kupës së Ligës. 

“Duke marrë për bazë kërkesat që kemi ndaj lojtarëve, të jesh në gjendje të bësh këtë, është jashtëzakonisht e vështirë. Ai po përshtatet gjithnjë e më mirë”, ka theksuar Arteta. “Ai është lojtar i jashtëzakonshëm falë karakterit që ka dhe dashurisë së madhe për të luajtur në skenat më të mëdha. E kuptoj që nuk është e lehtë të ndalet buja rreth tij, por duhet të kujdesemi për të. Ai është 16-vjeçar. Nuk e sheh shpesh këtë gjë në ligë. Në ligat tjera evropiane është më ndryshe. Por në këtë ligë, me kërkesat që janë, me presionin mbi lojtarët dhe gjithçka tjetër, duhet të sigurohemi që sa herë që e aktiviziojmë ai të jetë në gjendjen e duhur dhe i përgatitur”.

Ndoshta Dowman ka pritur më shumë minuta në fillim të këtij edicioni. Ai në edicionin e kaluar theu disa rekorde. U bë lojtari më i ri që luajti në Champions, ku debutoi si 15-vjeçar. Është edhe lojtari më i ri që ka startuar për Arsenalin, që ka shënuar gol dhe ka fituar titullin. 

Ai shënoi gol ndaj Evertonit duke siguruar fitoren në fazën vendimtare të garës për titull. Goli i tij u shpall më i miri i edicionit tek Arsenali.

E gjitha kjo ndodhi derisa talenti po përgatitej për provimet në shkollë. Gjatë verës e la shkollën për t’u përqendruar te karriera në futboll.

Depërtimi në ekipin e parë të Arsenalit do të jetë i vështirë, sidomos kur kampioni i Premier Leagues po kalon formë të shkëlqyer. Arsenali i ka fituar të gjitha shtatë ndeshjet e këtij edicioni, të luajtura në katër gara të ndryshme. Dowman ishte rezervist i pashfrytëzuar në katër prej atyre ndeshjeve, ndërsa në dy të tjera nuk u përzgjodh.  Ndaj Ipswichit luajti 90 minuta.

Bukayo Saka, Christos Tzolis, Martin Odegaard dhe Kai Havertz janë lojtarët ofenzivë të aktivizuar nga “topçinjtë”. Por Dowman shpreson të ketë rol të rëndësishëm në skuadër.

“Ai është talent i jashtëzakonshëm. Do të bëhet yll në të ardhmen nëse i mban sytë dhe veshët hapur dhe vazhdon të mësojë”, ka thënë bashkëlojtari Mikel Merino. Ai ka shtuar se Dowmani është i etur për të mësuar dhe bashkëlojtarët do të vazhdojnë ta ndihmojnë.

Si 16-vjeçari më i talentuar në botë, nuk përjashtohet mundësia që Dowman të përzgjedhet nga Anglia për “Euro 2028”. Ka pasur edhe zëra që ai të ftohej për Botërorin e kësaj vere.