Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Zelensky à l'ONU : Poutine est le « patient zéro », celui à partir duquel la guerre continue de se propager.

Volodymyr Zelensky

Photo : Presse associée

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mërkurën, u ka bërë thirrje liderëve që t’ia kufizojnë Rusisë të ardhurat dhe t’i pengojnë përpjekjet e saj në luftë. 

Ai ka thënë se “të ardhurat e Rusisë duhet të mbesin objektivë”. 

“Kur dikush i jep Rusisë më shumë para përmes tregtisë, ai i jep kësaj lufte më shumë kohë. Dhe pikërisht për këtë arsye ne këmbëngulim në kufizimin e tregtisë me agresorin dhe për këtë arsye po i djegim vetë të ardhurat e Rusisë”, tha ai, transmeton agjencia “AP”. “Për herë të parë në historinë e Rusisë, tani po dëgjojmë se krenaria e saj, industria e naftës, po mbetet pa fuqi. Objektivi ynë është aftësia e Rusisë për ta financuar këtë luftë, për ta zgjatur atë, për ta bërë më brutale dhe më shkatërruese. Financat e Rusisë dhe prodhimi i Rusisë janë ato që duhet të ndalen nëse duam ta ndalim Putinin.”

Zelensky shprehu dyshime mbi interesimin e Rusisë për t’i dhënë fund luftimeve.

“Gjithmonë duket se diçka e pengon Putinin të thotë: ‘Kaq. Mjaft. Paqe’”, tha Zelensky. “A mund ta imagjinoni atë pa luftë? Ai është ‘Pacienti Zero’, ai prej të cilit lufta vazhdon të përhapet më tej. ... ‘Pacienti Zero’ duhet të ndalet’. 

Zelensky tha se dy ushtarë të Koresë së Veriut që u kapën në Ukrainë, janë dërguar në Kore të Jugut. 

“Njëri prej tyre, kur kuptoi se do të kapej rob, u përpoq ta vriste veten. Ai u trondit që fati nuk e lejoi të vdiste. Kështu i rrisin njerëzit atje”, tha Zelensky. 

Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të luftuar në luftën e Rusisë në Ukrainë që nga viti 2024, duke u shfaqur në vijat e frontit gjatë ofensivës ukrainase në Kursk, Rusi. Zyrtarët ukrainas së fundmi kanë pretenduar se trupat e Koresë së Veriut në Rusi përfshijnë edhe një njësi dronësh për t’i sulmuar objektiva brenda Ukrainës.

Rusia do ta ketë radhën të shtunën për t’iu drejtuar Asamblesë. Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka udhëtuar në këtë tubim prej vitesh, duke dërguar në vend të tij ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov.
Lavrov i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën se Rusia është e gatshme të negociojë drejt një paqeje të qëndrueshme, por nuk do ta “pezullojë” thjesht luftën. Ai argumentoi se një pauzë e tillë vetëm do t’i jepte Ukrainës dhe mbështetësve të saj kohë për të siguruar më shumë armë.