Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Les manifestations étudiantes se poursuivent en France, des centaines d'établissements scolaires restent fermés.

Franca

Qindra shkolla të mesme në Francë do të qëndrojnë të mbyllura edhe këtë javë, si pasojë e protestave, që nisën javën e shkuar  për shkak të kushteve të këqija në shkolla, mbipopullimit të klasave dhe mungesës së mësuesve, raporton Reuters.

Të hënën pritet që rreth 400 deri në 500 shkolla të jenë pjesërisht ose plotësisht të mbyllura, nga rreth 3 mijë e 700 shkolla të mesme në të gjithë vendin.

Protestat kanë nisur në fund të shtatorit në një shkollë në periferi të Parisit, për shkak të mungesës së mësuesve, dhe më pas janë përhapur në mbarë Francën.

Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, tha se prioritet është rikthimi i rendit.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Edouard Geffray, bëri të ditur se që nga fillimi i protestave, 24 shkolla janë djegur ose dëmtuar rëndë, ndërsa 78 punonjës të sistemit arsimor janë lënduar.

Të hënën janë raportuar edhe përplasje mes policisë dhe nxënësve në qytetin Lille, në veri të Francës.

Që nga e hëna e kaluar, rreth 5 mijë persona, kryesisht të rinj, janë arrestuar në të gjithë vendin. Dhjetëra persona janë lënduar, ndërsa mësues dhe qytetarë janë sulmuar. Dëmet materiale vlerësohen në dhjetëra milionë euro.

Shefi i policisë së Parisit, Patrice Faure, tha se protestat nuk kontrollohen më nga ata që i nisën dhe u bëri thirrje nxënësve të heqin bllokadat dhe të protestojnë në mënyrë paqësore.

Megjithatë, sindikatat e nxënësve kanë bërë thirrje që të martën protestat të mbahen në të gjithë vendin.

Autoritetet e sigurisë paralajmërojnë se protestat, veçanërisht në qendër të Parisit, mund të shoqërohen me dhunë të re. Ata druhen se grupe të ekstremit të majtë dhe anarkistë mund të përpiqen të marrin kontrollin e protestave.