Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

En Birmanie, les jeunes vivent dans la crainte d'être enlevés pour être enrôlés de force dans l'armée.

birman

Frika nga rekrutimi i detyruar po ua vështirëson jetën të rinjve në Birmani, ku raportohen raste të rrëmbimeve dhe shitjes së personave për shërbim ushtarak. Për të shmangur dërgimin në front, shumë prej tyre po largohen nga shtëpitë dhe po kërkojnë strehim në zona të tjera ose në vendet fqinje

Në Hpa-An, kryeqytetin e shtetit Karen, në jug të Birmanisë, të rinjtë dhe burrat e aftë për shërbim ushtarak nuk dalin më nga shtëpia pas errësirës. Muajt e fundit, ky është bërë një rregull i pashkruar për banorët e qytetit.

Por Zaw Min nuk ka zgjidhje tjetër.

“Kam frikë, por duhet të dal për të punuar”, thotë 26-vjeçari, i cili punon si shofer i një mototaksie me tri rrota. Ai ka kërkuar që emri i tij i vërtetë të mos bëhet publik, nga frika për sigurinë e tij.

“Familja më telefonon vazhdimisht dhe më kujton të mos i çoj pasagjerët shumë larg, si dhe të kem kujdes se kë marr në automjet. Duhet të jem gjithmonë vigjilent”, tregon ai.

“Njerëzit janë në panik dhe të frikësuar. Disa persona që i njoh janë marrë me forcë”, shton Zaw Min.

Banorët thonë se persona me rroba civile, të lidhur me juntën ushtarake në pushtet në Birmani, po lëvizin nëpër rrugët e Hpa-Anit. Ata ndalojnë dhe arrestojnë arbitrarisht të rinj në moshë adoleshente, në të 20-at dhe në të 30-at, për t’i detyruar të shërbejnë në ushtri.

Sipas dokumenteve të rrjedhura, të cilat i ka siguruar BBC Burmese, autoritetet kanë marrë urdhër që të zbatojnë me forcë dhe pa vonesa kuotat e rekrutimit ushtarak në të gjitha zonat. Kjo bëhet për të shtuar radhët e ushtrisë së juntës, e cila po zhvillon një luftë të gjatë dhe rraskapitëse kundër milicive etnike, grupeve pro-demokracisë dhe lëvizjeve të rezistencës të udhëhequra nga civilët.

Zaw Min është i vetmi mes vëllezërve dhe motrave të tij që ka arritur moshën për rekrutim ushtarak. Ai thotë se shumë të rinj të tjerë të moshës së tij janë larguar nga qyteti, disa drejt Tajlandës e të tjerë te të afërmit në zona më të largëta. Ata që kanë mbetur, shpesh marrin udhëzime të rrepta nga prindërit që të kthehen në shtëpi para se të bjerë nata.

Birmania është përfshirë nga një luftë e përgjakshme civile që nga shkurti i vitit 2021, kur ushtria mori pushtetin me grusht shteti dhe rrëzoi nga detyra udhëheqësen e zgjedhur në mënyrë demokratike, Aung San Suu Kyi.

Tre vjet më vonë, pas një serie humbjesh të rënda në fushëbetejë, rënies së moralit të ushtarëve dhe rritjes së numrit të dezertimeve, junta miratoi një ligj për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ligji kërkon që të gjithë burrat nga mosha 18 deri në 35 vjeç dhe gratë nga mosha 18 deri në 27 vjeç të shërbejnë të paktën dy vjet nën komandën e ushtrisë. Ata që refuzojnë rrezikojnë deri në pesë vjet burg.

Zbatimi i këtij ligji “përbën një nga masat më të rënda dhe me ndikimin më të madh mbi të gjithë popullsinë civile që nga grushti ushtarak i shtetit”, thotë majori Naung Yoe, zyrtar për çështjet ushtarake në Institutin e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Birmanisë (MDSI). Ai është ish-oficer ushtarak që dezertoi dhe iu bashkua Lëvizjes së Mosbindjes Civile, e cila kundërshton grushtin e shtetit.

Fushatë masive rekrutimi

Hpa-Ani është qyteti i fundit që është përfshirë në këtë fushatë masive rekrutimi, e cila gjatë dy vjetëve e gjysmë të fundit ka përfshirë rreth 100 mijë të rinj. Shumë prej tyre janë rekrutuar përmes detyrimit, zhvatjes së parave dhe rrëmbimeve.

“Forcat e sigurisë ndjekin lëvizjet e të rinjve për t’i arrestuar. Ata i detyrojnë të shërbejnë në ushtri, duke u thënë se plotësojnë kriteret ligjore për rekrutim. Gjithashtu, u marrin para duke i kërcënuar me ndalim dhe arrestojnë persona gjatë kontrolleve të listave të banorëve dhe mysafirëve”, thotë Naung Yoe.

BBC-ja kontaktoi organin qendror të qeverisë së Birmanisë, përgjegjës për thirrjen e qytetarëve në shërbimin ushtarak, për të kërkuar sqarime lidhur me rastet e përmendura në këtë artikull. Pyetjet përfshinin rekrutimin e detyruar dhe raportimet për rrëmbime të kryera gjatë muajve të fundit.

Autoritetet thanë se nuk kishin komente për këtë çështje.

Përmes ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, junta ka krijuar një sistem të vazhdueshëm rekrutimi për të siguruar ushtarë dhe për të mbajtur në këmbë forcat e saj të armatosura. Sipas vëzhguesve, kjo strategji duket se ka dhënë rezultate. Përforcimet e reja kanë luajtur rol të rëndësishëm në përpjekjet e ushtrisë për të rimarrë territoret që kishte humbur.

Në shumë pjesë të Birmanisë, forcat e rezistencës tashmë janë vënë në pozitë më të vështirë.

Megjithatë, lufta është larg përfundimit. Ndërsa gjithnjë e më shumë të rinj përpiqen t’i shmangen rekrutimit, qoftë duke iu bashkuar rezistencës, qoftë për të mos u detyruar të luftojnë kundër bashkëqytetarëve të tyre. E junta po përdor metoda gjithnjë e më të ashpra për të siguruar ushtarë të rinj.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Amnesty International, Human Rights Watch dhe Fortify Rights, thonë se ushtria e Birmanisë po rrëmben civilë dhe po i detyron të shërbejnë në radhët e saj.

Në korrik, organizata kërkimore Myanmar Witness publikoi rezultatet e një analize të qindra njoftimeve për persona të zhdukur, të mbledhura nga Facebook-u gjatë periudhës 2021–2025.

Studiuesit zbuluan se numri i njoftimeve për persona të zhdukur gjatë muajit janar ishte rritur ndjeshëm: nga vetëm katër në vitin 2021, para grushtit të shtetit, në 82 në vitin 2025, pas miratimit të ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“Në praktikë, pjesa më e madhe e rekrutimit nga ushtria e Birmanisë duket se kryhet përmes ndalimeve, detyrimit dhe zhdukjeve, e jo përmes thirrjeve zyrtare për shërbim ushtarak. Shpesh, familjet nuk njoftohen fare”, përfunduan studiuesit.

Shumica e personave të raportuar të zhdukur ishin burra dhe djem.

“Po përhapin thashetheme në të gjithë lagjen se unë e kam shitur burrin tim”.

Ma Moe San Pan i thotë këto fjalë mes lotësh, duke u përpjekur të marrë frymë. Ajo ndodhet në kuzhinën e shtëpisë së saj në Yangon, ku mëngjesin e 8 majit 2025 e pa për herë të fundit bashkëshortin e saj 33-vjeçar, Phyo Wai.

“U grindëm dhe më pas ai doli nga shtëpia”, kujton ajo. “Isha e mërzitur dhe i tregova kushëririt tim se çfarë kishte ndodhur”.

Kushëriri i Ma Moe San Pan punonte në zyrën e administratës së lagjes. Ajo i kërkoi që ta ndihmonte të kthente bashkëshortin në shtëpi.

Dy ditë më vonë, Phyo Wai e telefonoi nga një qendër rekrutimi ushtarak në anën tjetër të qytetit.

Sipas Ma Moe San Pan, kushëriri e kishte dërguar fillimisht në zyrën e administratës së lagjes, e cila më pas ia kishte dorëzuar një lagjeje tjetër kundrejt 4 milionë kiatëve, rreth 900 dollarë, për të plotësuar kuotën e saj të rekrutimit ushtarak. BBC-ja nuk arriti të kontaktonte kushëririn e saj për të marrë një koment.

Në përpjekje të dëshpëruara për ta kthyer bashkëshortin, Ma Moe San Pan u mashtrua edhe nga persona të panjohur, të cilët i premtuan rrejshëm se do ta lironin atë. Ajo humbi edhe 4,5 milionë kiatë të tjera.

U Maung Maung Lwin, administratori i lagjes ku ishte dërguar Phyo Wai, më vonë pranoi për BBC-në se kishte luajtur rol në dërgimin e tij te autoritetet e rekrutimit ushtarak.

I pyetur për akuzat se njerëzit po rekrutoheshin me forcë jashtë vendbanimeve të tyre, ai tha se transferime të tilla ndodhin kur një zonë nuk arrin të plotësojë kuotën e caktuar të rekrutimit.

Megjithatë, ai mohoi se në këto raste ishte përfshirë pagesa e parave, përfshirë edhe rastin e rekrutimit të detyruar të Phyo Wai-t.

“Ai më tregoi se i kishin thënë se do ta ndihmonin dhe e kishin detyruar të nënshkruante disa dokumente”, kujton Ma Moe San Pan.

“Nëse bashkëshorti im do të ishte përzgjedhur ligjërisht për shërbim ushtarak, përmes procedurave të zakonshme, do të mund ta pranoja. Por nuk mund ta pranoj që, sipas pretendimeve, vetë zyra e administratës së lagjes sonë e ka shitur te një lagje tjetër.

“Gjithashtu, pendohem që i besova kushëririt tim”.

Pas marrjes së bashkëshortit, Ma Moe San Pan ka bërë kallëzime në polici për dy çështje: shitjen e tij për shërbim ushtarak dhe humbjen e 4,5 milionë kiatëve nga mashtrimi.

Ajo thotë se policia e pranoi kallëzimin, por refuzoi kërkesën e saj për të përfshirë akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas policisë, një rast i tillë mund të regjistrohej vetëm nëse personi ishte shitur jashtë vendit.

Ma Moe San Pan nuk e di se ku ndodhet aktualisht bashkëshorti i saj.

Rasti i saj tregon se si ligji për shërbimin e detyrueshëm ushtarak po përdoret në mënyra gjithnjë e më abuzive. Presioni i ushtruar nga nivelet e larta të juntës ka krijuar interesa të paligjshme financiare edhe në nivelet më të ulëta të administratës dhe zinxhirit të komandës.

Lufta kundër njëri – tjetrit

Kërkesa në rritje për rekrutë dhe numri gjithnjë e më i vogël i personave të gatshëm për të shërbyer kanë krijuar një treg të paligjshëm për të rinjtë që plotësojnë kriteret e rekrutimit.

Sipas Naung Yoe, zyrtarët e sigurisë po arrestojnë të rinj në postblloqe rrugore, po i ndjekin dhe i zënë në befasi gjatë rrugës për në punë, po përdorin njoftime të rreme për vende pune si kurthe dhe po hyjnë me forcë në shtëpitë e njerëzve.

“Nën pretekstin e ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, këto arrestime dhe fushata rekrutimi me forcë janë shndërruar në një formë moderne të skllavërisë dhe trafikimit të qenieve njerëzore”, thotë ai.

Në fund të gushtit, policia në Yangon arrestoi një pjesëtar të Departamentit të Shërbimeve Zjarrfikëse, që është pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe dhëndrin e tij. Ata dyshohen se kishin rrëmbyer katër të rinj me qëllim që t’i shisnin për rekrutim ushtarak.

Komandanti i një njësie rezervë të zjarrfikësve dyshohet se i kishte mashtruar të rinjtë me premtime për vende pune, duke i joshur të shkonin në shtëpinë e tij. Aty, ai i kishte mbajtur të mbyllur në disa dhoma të posaçme, të ndërtuara për ndalim.

Policia bastisi banesën dhe e arrestoi atë më 25 gusht. Që atëherë, ai është akuzuar për rrëmbim ose marrje me forcë të një personi me qëllim kufizimin e paligjshëm të lirisë së tij. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me deri në shtatë vjet burgim.

BBC Burmese bëri disa përpjekje për të kontaktuar stacionin policor ku ai po mbahet, por pa sukses.

“Organet administrative të niveleve të ulëta, personeli ushtarak dhe grupet kriminale lokale përdorin metoda të ndryshme për të kapur me forcë dhe për të arrestuar të rinjtë”, thotë Naung Yoe.

“Ata ua shesin këta persona njësive ushtarake dhe komandave rajonale që përballen me mungesë të personelit, ose sigurojnë rekrutë zëvendësues për llogari të personave më të pasur, të cilët paguajnë për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak”.

Në letër, urdhrat për rekrutim zbatohen pa dallim. Çdo fshat, lagje ose qytet duhet të sigurojë një numër rekrutësh në përpjesëtim me popullsinë e tij.

Por personat më të pasur mund të paguajnë për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, duke u zëvendësuar nga dikush tjetër, zakonisht një person me më pak mundësi financiare.

Kështu, barrën më të madhe të rekrutimit të detyruar e mbajnë të varfrit.

Naung Yoe i tha BBC-së se këto praktika po përhapen gjithnjë e më shumë, për shkak të vështirësive në rritje për të plotësuar kuotat mujore të rekrutimit dhe fitimeve të mëdha që sigurohen nga shitblerja e rekrutëve në nivel lokal.

Megjithatë, ashpërsimi i rekrutimit të detyruar tregon edhe dobësitë e juntës dhe dëshpërimin e saj për të siguruar më shumë ushtarë.

Kjo “duket të jetë një tjetër përpjekje e juntës për të rekrutuar të rinj kundër vullnetit të tyre në një konflikt që nxjerr në pah pozitën e vështirë të ushtrisë në luftën civile”, thotë Dr. Sandeep Singh, studiues dhe pedagog i studimeve ushtarake në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Ai shton se klima e krijuar nga rrëmbimet e vazhdueshme “ua ka vështirësuar edhe më shumë jetën të rinjve të Birmanisë, të cilët tashmë janë prekur nga lufta civile prej vitesh, si dhe familjeve të tyre”.

Përveç pasigurisë së përditshme, shumë të rinj që mund të rekrutohen tani jetojnë me frikën se do të detyrohen të marrin pjesë në një luftë në të cilën nuk besojnë dhe të cilën e kundërshtojnë hapur.

Ky kërcënim i vazhdueshëm ka nxitur zhvendosjen masive të banorëve brenda vendit, ka thelluar mungesën e punëtorëve në një ekonomi tashmë në vështirësi dhe ka detyruar shumë njerëz të largohen drejt vendeve fqinje.

Pas më shumë se pesë vjetësh luftë kundër popullsisë së vet, junta po e përdor ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak si një tjetër mjet për të mbajtur nën kontroll qytetarët, thonë vëzhguesit.

Siç theksoi Instituti i Mbrojtjes dhe Sigurisë së Birmanisë (MDSI) në një deklaratë të publikuar në qershor: “Gjeneralët kanë përfituar duke përdorur ligjin ushtarak për t’i detyruar qytetarët të luftojnë kundër njëri-tjetrit”.