Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

Au moins 139 morts, dont des enfants, après le naufrage d'un bateau près de Djibouti

Djibouti

Të paktën 139 migrantë, përfshirë 15 fëmijë, kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë u fundos pranë brigjeve të Xhibutit, ka njoftuar zyra e Kombeve të Bashkuara për migracionin, raporton "BBC". 

Varka po udhëtonte nga Xhibuti drejt Jemenit me 305 persona në bord kur u përmbys pranë qytetit portual Obok, të enjten në mbrëmje. Rreth 82 persona u shpëtuan, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Shefi i misionit të IOM-it në Xhibuti, Alexandre Coissac, e cilësoi tragjedinë si një “përkujtues të qartë” të rreziqeve me të cilat përballen migrantët kur kërkojnë një jetë të re diku tjetër.

Dhjetëra mijëra migrantë nga Afrika ndërmarrin çdo vit këtë udhëtim të rrezikshëm, me shpresën për të arritur në vendet e Gjirit për të gjetur siguri dhe punë, sipas agjencisë.

Organizata e përditësoi numrin e viktimave nga 109, të raportuara të dielën, në 139, pasi u gjetën edhe 30 trupa të tjerë.

“Kjo është një humbje shkatërruese e jetëve”, tha Coissac. “Mendimet tona janë me të mbijetuarit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre ose që ende nuk kanë marrë lajme për të afërmit”.

Autoritetet lokale po organizojnë gjithashtu varrimin e personave që kanë humbur jetën, ndërsa të mbijetuarit, të gjithë shtetas etiopianë, kanë pasur qasje të menjëhershme në kujdes mjekësor.
Jemeni vazhdon të jetë i përfshirë në një luftë civile shkatërruese që zgjat prej më shumë se një dekade. Pavarësisht këtij konflikti, si dhe paqëndrueshmërisë në rritje në rajonin më të gjerë, migrantët, të shtyrë nga varfëria, pasiguria dhe pasojat gjithnjë e më të mëdha të ndryshimeve klimatike, vazhdojnë të kalojnë Ngushticën Bab el-Mandeb drejt Jemenit.

Që nga 10 shtatori, Sistemi i Gjurmimit të Zhvendosjeve i IOM-it ka regjistruar më shumë se 20 mijë “lëvizje” nga Etiopia drejt Xhibutit.