Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

La première femme Premier ministre du Maroc, parmi le roi, les religieux et les féministes

Maroc

Emërimi i Fatima Zahra El Mansourit si kryeministrja e parë grua e Marokut shënon një moment historik për vendin, por ka rihapur debatin mbi rolin e grave në politikë dhe ndikimin e traditave fetare e konservatore në shoqëri. Ndërsa shumë gra e shohin këtë zhvillim si një hap përpara, mbeten pikëpyetje nëse ajo do të ndërmarrë reforma konkrete për barazinë gjinore, veçanërisht në të drejtën familjare, trashëgiminë dhe arsimimin e vajzave. Megjithatë, ndikimi i saj mund të kufizohet nga pushteti i gjerë i mbretit dhe sfidat politike e shoqërore që vazhdojnë të pengojnë ndryshimet në vend

Thënia islame “Një popull që ia beson çështjet e veta një gruaje nuk do të ketë kurrë sukses” është rikthyer në vëmendje në Marok, pasi mbreti Mohammed VI emëroi Fatima Zahra El Mansourin kryeministre, gruaja e parë që e merr këtë post.

Mustafa Ramid, ish-ministër i Drejtësisë në një qeveri të udhëhequr nga islamistët, e citoi këtë thënie në fillim të këtij muaji, në një postim të gjatë në Facebook, ku vuri në pikëpyetje nëse një grua duhet të mbajë postin më të lartë politik të vendit.

Ai argumentoi se Maroku, një vend me shumicë myslimane, kishte gjetur një ekuilibër mes barazisë dhe përgjegjësive të udhëheqjes së shtetit, duke qenë se posti më i lartë, ai i mbretit, vazhdonte të ishte i rezervuar për burrat.

Maroku funksionon si monarki ku pushteti i mbretit përcaktohet nga Kushtetuta. Megjithatë, pushteti ekzekutiv mbetet në duart e monarkut 63-vjeçar.

Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit (PAM) e El Mansourit fitoi numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet parlamentare të shtatorit dhe më pas njoftoi krijimin e një koalicioni me tri parti të tjera. Së bashku, ato kanë 207 nga 395 vendet në parlament.

Emërimi i El Mansourit nga mbreti ishte historik, por nxori në pah rezervat e vazhdueshme ndaj grave lidhur me pozitat në pushtet.

Një ditë pas emërimit të saj, televizioni lokal Chouf TV doli në rrugë për t’i pyetur burrat marokenë se çfarë mendonin për një grua në krye të qeverisë.

Disa burra, kryesisht të moshës së mesme ose më të moshuar, hezituan të përgjigjeshin. Disa thanë se e pranonin vendimin, sepse ishte zgjedhja e mbretit.

Një burrë me flokë të thinjura, i cili nuk tregoi as emrin dhe as moshën, tha: “Më duket e çuditshme që një grua të jetë në krye të qeverisë. Nuk jam i sigurt nëse ndihem rehat me këtë”.

Kritikat ndaj monarkisë në Marok mund të sjellin pasoja ligjore. Kodi Penal kriminalizon disa forma të fyerjes ose ofendimit ndaj mbretit, familjes mbretërore dhe monarkisë.

Lufta për gratë

Në internet, emërimi u bë objekt i satirës politike.

Një video ku shiheshin dy gra duke tërhequr njëra-tjetrën nga flokët u shpërnda gjerësisht, e shoqëruar me përshkrime që sugjeronin se kështu mund të dukeshin mosmarrëveshjet parlamentare mes El Mansourit dhe kolegeve të saj.

Megjithatë, shumë marokenë të rinj, veçanërisht gratë, e mirëpritën emërimin e saj.

Edhe pse qëndrimet në Marok po ndryshojnë, pikëpamjet konservatore dhe fetare vazhdojnë të kenë ndikim të madh.

Disa nga debatet më të mëdha në vend për barazinë gjinore lidhen me të drejtën familjare, përfshirë trashëgiminë, martesën dhe divorcin.

Sipas rregullave aktuale të trashëgimisë, vajza zakonisht merr gjysmën e pjesës që merr djali në rrethana të krahasueshme.

Këshilli i Lartë i Ulemave, organi i vendit që përbëhet nga dijetarë fetarë, u ka rezistuar thirrjeve për barazi në trashëgimi, duke iu referuar jurisprudencës islame.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu propozimet për shfuqizimin e rregullit të njohur si taasib, i cili në disa raste mund t’i detyrojë vajzat jetime që nuk kanë vëllezër, ta ndajnë trashëgiminë me të afërmit meshkuj, përfshirë edhe ata të largët.

Në një raport të vitit 2022, Këshilli Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Marok deklaroi se rregullat e pabarabarta të trashëgimisë kontribuonin në varfërinë e grave.

Poligamia është gjithashtu e ligjshme, në kushte të caktuara. Ndryshimet e propozuara në Kodin e Familjes kanë përfshirë mundësinë që gratë të përcaktojnë në kontratat e martesës se bashkëshortët e tyre nuk mund të marrin një grua tjetër.

Megjithatë, parashikohen edhe përjashtime, përfshirë dispozita që lidhen me infertilitetin ose sëmundjen e gruas së parë. Organizatat për të drejtat e grave i kanë kritikuar këto përjashtime, duke ngritur shqetësime për privatësinë dhe konfidencialitetin mjekësor.

Këto çështje janë në qendër të propozimeve për reformimin e Moudawana-s, Kodit të Familjes në Marok, i cili rregullon martesën, divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve.

Një paketë ndryshimesh u njoftua në vitin 2024, por reformat ende nuk janë miratuar si ligj.

Përveç së drejtës familjare, disa vajza dhe gra të reja shpresojnë se kryeministrja e re do të përpiqet të përmirësojë arsimin për vajzat.

Komisioni i Lartë për Planifikim i Marokut, agjencia zyrtare kombëtare e statistikave, zbuloi në vitin 2025 se vetëm 55 për qind e vajzave të moshës 15 deri në 17 vjeç në zonat rurale ndiqnin shkollën. Varfëria, martesat e hershme dhe braktisja e shkollës mbeten pengesa kryesore. Në zonat urbane, kjo shifër ishte 100 për qind.

“Shumë vajza në zonat rurale të Marokut e braktisin shkollën herët, sepse shkollat janë larg, transporti është i pasigurt ose nuk është i disponueshëm, ndërsa familjet me mundësi të kufizuara financiare shpesh i mbajnë vajzat në shtëpi”, i tha BBC-së Chifae Laazouzi, një e re marokene.

Ajo thotë se një nga arsyet është se shumë vajza në zonat e varfra dhe rurale nuk kanë mundësi të blejnë produkte higjienike menstruale.

“Shëndeti menstrual ende trajtohet si tabu… Do të doja të shihja produkte menstruale falas në shkolla”, thotë Laazouzi.

Arritja historike

El Mansouri nuk është e re në politikë. Gjatë më shumë se dy dekadave në jetën publike, ajo ka shërbyer si kryetare e bashkisë së Marrakeshit, ka mbajtur poste qeveritare dhe ka qenë deputete.

Për pesë vjetët e fundit, ajo ka shërbyer si ministre e Planifikimit të Territorit Kombëtar, Urbanistikës, Strehimit dhe Politikave për Qytetet, në qeverinë e ish-kryeministrit, Aziz Akhannouch.

Pas emërimit, El Mansouri e cilësoi këtë moment si një arritje historike për gratë marokene.

“Të jem gruaja e parë në krye të qeverisë nuk është krenari vetëm për mua, por për të gjitha gratë e mbretërisë”, tha ajo.

Që nga emërimi, ajo nuk ka treguar nëse planifikon të përpiqet të çojë përpara reformat e Kodit të Familjes.

Deri më tani, gjatë karrierës së saj politike, ajo nuk ka bërë deklarata të spikatura publike për të drejtat e grave, edhe kur ndryshimet në rregullat e trashëgimisë, poligamia dhe Kodi i Familjes janë debatuar gjerësisht.

Irene Fernandez-Molina, nga Universiteti i Exeterit në Mbretërinë e Bashkuar, e sheh emërimin në kontekstin e interesave më të gjera politike të monarkisë.

“Dy tituj kanë dominuar mbulimin mediatik të zgjedhjeve parlamentare (të shtatorit) në Marok: pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje në dy dekada dhe emërimi nga mbreti Mohammed VI i një gruaje si kryeministre për herë të parë në historinë e vendit”, i tha ajo BBC-së.

“E dyta nuk mund të kuptohet pa të parën”, shtoi ajo.

Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhje morën pjesë vetëm 38 për qind e votuesve të regjistruar.

Fernandez-Molina e përshkruan emërimin si një shembull të “feminizmit shtetëror autoritar”, të cilin e përkufizon si përdorim të përzgjedhur, nga lart-poshtë, të luftës për të drejtat e grave për të legjitimuar regjimin.

Ajo argumenton se ngritja e një gruaje në postin më të lartë qeveritar mund të synojë të krijojë imazhin e modernizimit dhe përparimit, edhe kur sistemi politik dhe ritmi i reformave shoqërore mbeten kryesisht të pandryshuara.

Për Yasmina Benslimane, aktiviste marokene për të drejtat e grave, emërimi thyen një pengesë të kahershme, por prejardhja e El Mansourit është gjithashtu e rëndësishme.

“Ky emërim sfidon stereotipet, sepse më në fund thyen një tavan që nuk ishte thyer kurrë”, thotë ajo. “Por ka rëndësi mënyra se si arriti deri aty”.

Babai i ndjerë i El Mansourit ishte pasha, një zyrtar i lartë lokal, si dhe diplomat. Benslimane argumenton se prejardhja e saj e privilegjuar dhe qasja në rrjetet politike e dallojnë nga shumë gra marokene që kanë më pak mundësi për t’u përfshirë në jetën publike.

Për Benslimane, ashtu si për shumë organizata për të drejtat e grave në vend, reforma e Moudawana-s mbetet një sprovë kyç për qeverinë e re.

Megjithatë, mundësitë e El Mansourit për të vepruar përcaktohen nga sistemi politik i vendit.

Mbreti ruan kompetenca të gjera në fusha kyç, përfshirë mbrojtjen dhe politikën e jashtme, ndërsa kreu i qeverisë vepron brenda një sistemi ku pushteti është i ndarë.

Sa i përket reformës së Moudawana-s, ajo do të duhet të përballet me dijetarët fetarë të vendit, shumica e të cilëve janë burra.

Ndërsa disa gra marokene e mirëpresin emërimin e saj, ato thonë se rëndësi vendimtare ka ajo që do të bëjë si kryeministre.

“Nuk mendoj se El Mansouri duhet të gjykohet vetëm nga fakti se është grua. Të jesh grua në pushtet nuk të bën automatikisht mbrojtëse të të drejtave të grave”, i tha BBC-së Sara Zouiten, një e re marokene.

“Partia e saj paraqitet si një forcë politike që synon modernizimin, ndaj dua të shoh nëse kjo do të përkthehet në ndryshime konkrete”, shtoi ajo.