Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

«Orphelins» des inondations

Népal

Më shumë se 500 fëmijë ndodhen aktualisht në strehimore, pasi prindërit e tyre rezultojnë të zhdukur ose janë shpallur të vdekur pas përmbytjeve të 26 gushtit. Shumë prej tyre presin ende një lajm për familjarët, ndërsa jetojnë në kushte të vështira dhe pa siguri për të ardhmen. Autoritetet dhe organizatat humanitare po përpiqen t’i gjurmojnë fëmijët dhe t’i ribashkojnë me familjet e tyre.

Teksa nëntëvjeçari Ram Thakur po ngjitej përpjetë me nënën e tij dhe dhjetëra persona të tjerë, të cilët po largoheshin nga ujërat e përmbytjeve më 26 gusht, ai hodhi sytë pas dhe pa ujin e turbullt që po vërshonte me shpejtësi.

Ata nisën të vraponin. Nëna e tij, e cila deri atëherë e kishte mbajtur për dore, e ndihmoi të ngjitej sa më shpejt. Ndërsa zhurma e ujit që vërshonte përzihej me thirrjet e njerëzve përreth, ajo i bërtiti të birit: “Chhito maathi hinda, pachhaadi na-hera”, që do të thotë: “Ngjitu më shpejt, mos shiko pas”.

Ram Thakur bëri pikërisht këtë. Ai vazhdoi të ngjitej gjithnjë e më lart, derisa më në fund hodhi sytë pas. Uji vazhdonte të vërshonte pranë tij, por nëna e tij nuk ishte më aty.

Gati katër javë më vonë, Thakur ende pret, duke shpresuar se do të gjejë nënën dhe babanë e tij. Aktualisht ai jeton në një shkollë fillore shtetërore, e kthyer përkohësisht në strehë për të zhvendosurit në distriktin Nuwakot të Nepalit, së bashku me 26 fëmijë të tjerë.

Ata janë mes më shumë se 500 fëmijëve që jetojnë në strehimore të përkohshme në distriktet e Nepalit të goditura nga përmbytjet. Prindërit e tyre kanë vdekur ose janë ende të zhdukur.

Sipas ligjit nepalez, një person duhet të jetë i zhdukur për 12 vjet përpara se të shpallet i vdekur. Ligji parashikon përjashtime në rastet e fatkeqësive natyrore, por familjarët duhet t’i drejtohen gjykatës së distriktit për të marrë një deklaratë gjyqësore të vdekjes.

Për momentin, Thakur dhe fëmijët e tjerë ndodhen në një situatë të pasigurt. Ligjërisht, ata ende nuk konsiderohen jetimë. Por në praktikë, ata janë pa prindërit e tyre, që prej përmbytjeve ku humbën jetën më shumë se 1,400 persona dhe të paktën 5.000 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

“Duhej të kishin ardhur deri tani”

Mëngjesi i 26 gushtit kishte nisur si çdo ditë tjetër shkolle për Thakurin. Rreth orës 8:00, ai ishte rrugës për në shkollë me nënën e tij kur ndodhi fatkeqësia.

Babai i tij, i cili punonte si udhërrëfyes dhe shofer, ndodhej në shtëpi, pasi puna e tij niste në orën 10:00.

Papritur, ata dëgjuan njerëzit që bërtisnin: “Daudanu, baadhi!”, që do të thotë: “Vraponi, përmbytje!”.

Ata ecën, u ngjitën dhe vrapuan derisa Thakur u nda nga nëna e tij. Më pas, ai mbeti i bllokuar për një ditë në një kodër së bashku me 13 persona të tjerë, derisa një helikopter i ushtrisë mbërriti për t’i shpëtuar.

“Isha shumë i frikësuar dhe i uritur. Mendova se edhe unë do të vdisja”, tregoi ai. “Çanta ime e shkollës, ku kisha biskota dhe kutinë e ushqimit, u mor gjithashtu nga përmbytja”.

Ndërsa ishte ulur dhe po hante drekën e ditës - oriz, thjerrëza dhe perime, së bashku me 26 fëmijët e tjerë në strehimore, Thakur tregoi se është i hutuar dhe nuk e kupton pse prindërit e tij nuk kanë ardhur ende ta kërkojnë.

“Mami dhe babi dinin të notonin, ndaj duhej të kishin ardhur deri tani”, tha ai.

Një këshilltare që ndodhej me të tregoi se Thakur ende vrapon jashtë sa herë dëgjon zhurmën e një helikopteri që fluturon pranë, me shpresën se prindërit e tij mund të jenë shpëtuar.

Një vlerësim i kryer këtë muaj nga Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Nepal dhe organizata “Save the Children” tregoi se më shumë se 1.000 fëmijë po jetojnë në strehimore të përkohshme. Më shumë se 100 prej tyre janë pa asnjë familjar pranë, ndërsa 439 të tjerë janë pa prindërit, por jetojnë me të afërm të tjerë.

Ayush Joshi, drejtor i programeve të “Save the Children” në Nepal, tha se për Al Jazeeran se mbi 32.000 fëmijë u zhvendosën nga përmbytjet.

Zyrtarët dhe organizatat humanitare po punojnë për gjetjen e tyre dhe ribashkimin me familjet. Sipas Leon Muwonit, përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve në UNICEF Nepal, deri tani 18 fëmijë janë ribashkuar me prindërit e tyre.

“Ajo nuk flet me askënd”

Strehimorja ku jeton aktualisht Thakur ka tetë dhoma. Gjashtë prej tyre janë pajisur nga organizata lokale jofitimprurëse me dyshekë të papërshkueshëm nga uji, shtretër dhe lodra të buta.

Punonjësit po ndërtojnë edhe krevate marinari për fëmijët. Dhoma e shtatë përdoret për ruajtjen e ushqimeve dhe ndihmave, ndërsa e teta shërben si kuzhinë.

Pjesa më e madhe e stafit janë pjesëtarë të policisë nepaleze, ndërsa të tjerët janë përfaqësues të organizatave jofitimprurëse. Me fëmijët qëndron edhe një këshilltare. Të gjithë punonjësit janë gra.

Rreth 100 kilometra larg, në një tjetër strehimore për fëmijë në distriktin Dhading, jeton katërvjeçarja Shibani Tama. Ajo tashmë nuk flet më me askënd. Të dy prindërit e saj janë konfirmuar të vdekur.

Kujdestarët në strehimore thonë se vajza mezi kujton lagjen ku jetonte apo të afërmit e saj, të cilët deri tani nuk kanë ardhur ta kërkojnë.

E vetmja gjë që Shibani u ka treguar ekipeve të shpëtimit dhe këshilltarëve është se ndodhej në shkollë kur mësuesit u kërkuan nxënësve të ngjiteshin me shpejtësi në një zonë më të lartë.

“Ajo nuk flet me askënd. Nuk lejon as t’i krehim flokët. Me shumë vështirësi na lejon t’ia ndërrojmë rrobat, ndonjëherë vetëm pas dy apo tre ditësh, edhe kur këmbëngulim”, tha Yamuna Bhattarai, një nga kujdestaret në strehimore.

“Është shumë shqetësuese të shohësh atë dhe fëmijët e tjerë që janë në gjendje të rëndë shoku. Të gjithë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe sociale”.

“Tani janë gjithçka që kanë për njëri-tjetrin”

Shumë prej fëmijëve që kanë humbur të dy prindërit nuk kanë mësuar kurrë si t’i lajnë flokët, të ndërrojnë rrobat apo të ushqehen vetë. Të tjerë janë detyruar të kujdesen për vëllezërit dhe motrat më të vegjël, edhe pse janë ende fëmijë.

Dhjetëvjeçarja Sanju Lama po shkonte te shtëpia e gjyshes së saj së bashku me vëllain dyvjeçar, në distriktin Rasuwa, zona më e prekur nga përmbytjet. Në momentin kur uji nisi të vërshonte, persona të panjohur i ndihmuan të shpëtonin, duke i tërhequr drejt një zone të sigurt.

Shtëpia e tyre u përfshi nga ujërat. Prindërit e Sanjus, të cilët duhej të ishin në shtëpi kur nisën përmbytjet, rezultojnë ende të zhdukur.

“Sanju trembet edhe nga zhurmat e forta, madje edhe kur dikush thërret emrin e saj”, tha Bhattarai. “Ajo e mban fort dorën e vëllait të vogël pothuajse gjatë gjithë kohës. Gjatë natës, shpesh zgjohet e frikësuar”.

Vajza e vogël e kalon pjesën më të madhe të ditës duke i lexuar vëllait të saj poezi në gjuhën angleze.

“Tani janë gjithçka që kanë për njëri-tjetrin”, tha Bhattarai.

Sipas UNICEF-it, në distriktet e prekura janë shkatërruar 18 shkolla, ndërsa 20 të tjera kanë pësuar dëme. Kjo u ka hequr fëmijëve hapësirat e sigurta ku mund të mësojnë, të luajnë dhe të rimarrin veten pas fatkeqësisë.

Dhjetëra shkolla në zonat e prekura ndodhen pranë brigjeve të lumenjve dhe vazhdojnë të jenë në rrezik. Rreth 10,000 fëmijë të moshës shkollore përballen tani me një të ardhme të pasigurt sa i përket arsimimit.

Ndihma nuk po mjafton

Organizatat jofitimprurëse, këshilltarët dhe kujdestarët e fëmijëve në shkollat fillore të kthyera në strehimore në Dhading thonë se përpjekjet për t’i bërë fëmijët të ndihen të sigurt dhe të qetë shpesh nuk janë të mjaftueshme.

Në strehimore janë shpërndarë lodra, libra dhe materiale për lojëra, por shumë pak fëmijë po i përdorin ato. Shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të mbyllur në vetvete, të shpërqendruar ose aq të tronditur sa nuk arrijnë të luajnë.

Ayush Joshi nga “Save the Children” tha se organizata ka shpërndarë lodra dhe materiale mësimore për fëmijët në strehimore.

Në disa raste, vullnetarët kanë parë fëmijë, prindërit e të cilëve janë ende të zhdukur, duke “krijuar dhe vendosur familje me prindër në shtëpitë e kukullave”.

“Këta fëmijë ndoshta as nuk e kuptojnë se çfarë ka ndodhur apo pse ka ndodhur”, tha ai. “Ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë ditën e nesërme dhe nuk kanë asnjë ide se çfarë i pret në të ardhmen”.

Në shumë raste, fëmijët tani jetojnë në strehimore të mbipopulluara, ku kanë shumë pak hapësirë dhe privatësi.

Në të njëjtën kohë, autoritetet dhe organizatat humanitare thonë se duhet të tregojnë kujdes kur ua dorëzojnë fëmijët personave që pretendojnë se janë të afërmit e tyre.

“Disa fëmijë, të afërmit e të cilëve janë gjetur, vazhdojnë të qëndrojnë në strehimore nëse familjarët nuk mund të paraqesin dokumentacion të mjaftueshëm ose dëshmi se kanë të drejtë të kujdesen për ta. Kjo bëhet për të shmangur rrezikun e trafikimit ose shfrytëzimit të fëmijëve për punë”, tha Leon nga UNICEF-i.

Ndërkohë, në strehimoren në Nuwakot, Thakur ishte ulur në verandën e përparme duke ngrënë një vakt të lehtë në mbrëmje.

Sytë i kishte drejtuar nga qielli portokalli i perëndimit të diellit, me shpresën se do të shfaqej një helikopter që do t’ia kthente prindërit.

Por erdhi errësira.

Dhe bashkë me të, nuk mbërriti asnjë helikopter.