Soutenez TIME. Préservez la vérité.
LE MONDE

"Je suis encore une enfant" : La sécheresse contraint des familles afghanes à vendre leurs filles en mariage

Filles

Ndërsa ndryshimet klimatike dhe thatësirat po i çojnë familjet afgane drejt urisë, shumë prindër ndihen të detyruar t’i sakrifikojnë vajzat e tyre për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes. Fotografia Elise Blanchard udhëtoi nëpër Afganistan dhe takoi vajza vetëm 8, 10 dhe 14 vjeçe, të fejuara ose të martuara për të shlyer borxhet dhe për të siguruar ushqim

“Nuk jam e lumtur për këtë”, thotë Khatira, 11 vjeçe, e cila u fejua pa dëshirën e saj për të shlyer borxhet e familjes. Ajo ndodhet në shtëpinë e saj në Qala-e-Naw, kryeqyteti i provincës Badghis, në veriperëndim të Afganistanit. “Para fejesës ishte e shëndetshme, ndërsa tani është e shqetësuar dhe qan shumë”, thotë nëna e saj 40-vjeçare, Noor Bibi.

Kur i fejuari 20-vjeçar vjen në shtëpinë e saj, Khatira largohet me vrap. Që nga fejesa, ajo nuk del më jashtë, sepse, siç shpjegon e ëma, “i vjen turp të ketë burrë, ndërsa vajzat e tjera të moshës së saj nuk janë të martuara”.

Babai i Khatirës kultivonte grurë dhe mbante bagëti, para se familja të detyrohej të largohej nga fshati i saj për shkak të thatësirës.

Në provincën Badghis, 95 për qind e popullsisë mbijeton falë bujqësisë që varet nga reshjet e shiut dhe blegtoria. Por thatësirat, që po bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra për shkak të ndryshimeve klimatike, ua kanë shkatërruar banorëve burimet e të ardhurave.

Si pasojë, dhënia e vajzave të mitura për martesë është bërë një mënyrë e zakonshme për të përballuar krizën. Familjet e bëjnë këtë për të shlyer borxhet, për të siguruar ushqim ose për të paguar trajtimet mjekësore.

“Si nënë, kam qarë shumë, por e dija se burri im nuk kishte zgjidhje tjetër”, thotë Gul Bobo, e cila nuk e di as vetë sa vjeçe është. Ajo flet për dy vajzat e saj, dy dhe pesë vjeçe, në shtëpinë e tyre në Tayz Nawah, një fshat që ndodhet 12 orë me makinë larg Qala-e-Naw. Të dyja vajzat janë të fejuara.

Ashtu si shumë burra të tjerë në atë zonë, bashkëshorti i Gul Bobos blinte fara çdo vit dhe merrte me qira një traktor ose një gomar për të punuar tokën e një pronari më të pasur.

“E di që janë shumë të vogla për t’u fejuar, por nuk kishim zgjidhje. Përndryshe, do të kishim pritur derisa të mbushnin 18 vjeç”, thotë Gul Bobo.

“Pres që ato të rrihen, por nuk mund të bëj asgjë për këtë. Kur të mbushin 14 vjeç, do të mbeten shtatzëna”.

Vajzat që martohen në moshë të mitur shpesh pritet të lindin fëmijë sapo të arrijnë pubertetin. Kjo sjell probleme të njohura shëndetësore, veçanërisht në një vend ku vdekshmëria e nënave gjatë shtatzënisë dhe lindjes është ndër më të lartat në botë.

Atyre u kërkohet gjithashtu të dinë të mbajnë shtëpinë dhe të kujdesen për familjen. Kur nuk arrijnë të përmbushin këto pritshmëri si të rriturat, nuk janë të rralla rastet kur dhunohen nga familjarët e bashkëshortit.

Sakrifikimi i një familjari

Nazila, vetëm pesë vjeçe, është e fejuar me një djalë 15-vjeçar. Sipas Gul Bobos, ajo mund të shkojë të jetojë te familja e bashkëshortit të ardhshëm pas dy ose tre vjetësh.

“Do të kisha preferuar të vdiste, sesa ta martonin me një burrë aq të moshuar”, thotë Bana, nëna e Gulalait, 11 vjeçe. Vajza është e fejuar me një shitës dyqani, rreth të pesëdhjetave. Prindërit e saj i kishin borxh para.

Historia përsëritet pothuajse në të njëjtën mënyrë. Babai i Gulalait ishte fermer, por familja u detyrua të largohej nga fshati i largët në Qadis, në provincën Badghis, pasi të korrat u shkatërruan.

“Duhet të sakrifikojmë një anëtar të familjes për të shpëtuar të tjerët”, thotë babai i saj, Niaz Mohammad. Ai thotë se do të kishte preferuar të priste derisa vajzat e tij të mbushnin 20 vjeç për t’i martuar, por katër prej tyre u martuan që në fëmijëri.

Familja ushqehet vetëm me bukë të bërë në shtëpi, çaj dhe gjethe të egra të mëllagës, të cilat i mbledh dhe i zien. Për të ndezur zjarrin, përdor mbeturina.

Kur pyeten për ndryshimet klimatike, shumica e banorëve të Badghis nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë ky term. Në fshatra, shumica jetojnë në shtëpi prej balte, pa energji elektrike, përveç rasteve kur kanë ndonjë bateri të vogël me energji diellore. Mjetet e transportit janë të pakta dhe përfshijnë kryesisht ndonjë motoçikletë.

Njerëzit jetojnë me aq pak sa idetë për mbikonsumin dhe emetimet e gazrave serrë u duken krejtësisht të huaja.

Në përpjekje të dëshpëruar për t’i mbijetuar thatësirave të nëntë vjetëve të fundit, mijëra njerëz janë larguar nga fshatrat e tyre të trashëguara brez pas brezi dhe kanë shkuar në Qala-e-Naw, me shpresën se do të gjejnë punë. Por shumë prej tyre nuk kanë arritur ta sigurojnë as këtë.

Për të ushqyer familjen, 55-vjeçari Mohammad Yawaz shet akullore buzë rrugës dhe fiton rreth 100 afgani në ditë, afërsisht 1,20 euro. Mëngjeseve, ai del bashkë me vajzën e tij gjashtëvjeçare, Zubaida, për të mbledhur kanaçe dhe shishe. Duke i shitur ato, arrijnë të fitojnë gjithsej nga 500 deri në 1.000 afgani në muaj.

Në fund, Yawaz ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta martonte vajzën e tij të madhe, tashmë 15 vjeçe, e cila është larguar për të jetuar te bashkëshorti. Edhe Zubaida është e fejuar që nga viti i kaluar me një djalë 12-vjeçar.

Fqinji i tij, Surgul, përballet me të njëjtën gjendje. Çdo mëngjes, ai mbledh mbeturina së bashku me vajzat e tij, Zartila, 10 vjeçe, dhe Bibi Aisha, 7 vjeçe. Të dyja janë të fejuara.
Vendimi për ta dhënë Zartilën për martesë u mor pasi familja kaloi “tri ditë e tri net pa pasur asgjë për të ngrënë”.

Kohët e fundit, Surgul shiti baterinë e vetme që përdorte për ndriçimin e shtëpisë prej balte, në mënyrë që të blinte ilaçe për njërën nga vajzat. Disa vjet më parë, ai dhe bashkëshortja humbën një foshnjë për shkak të sëmundjes.

Por jeta e tyre nuk ka qenë gjithmonë kështu. Surgul dikur mbante bagëti në fshatin e tij. Kur thatësirat filluan të godisnin zonën, ai u detyrua t’i shiste.

Shitja e veshkës

Tregjet e bagëtive në Badghis janë mbushur me burra që shesin kafshët e tyre të çmuara, sepse nuk kanë mundësi të blejnë ushqim për to, pasi kullotat janë tharë dhe bari mungon. Në disa zona, fshatrat janë kthyer në vendbanime të braktisura.

Disa familje janë zhvendosur në Herat, qytetin e tretë më të madh të Afganistanit, ku kampi Shahrak-e-Sabz strehon dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur. Ata shkojnë atje me shpresën për të marrë ndihma humanitare, por këto ndihma janë pakësuar deri në atë pikë sa shumë prej tyre nuk mund të mbështeten më tek ato. Në pamundësi për të mbijetuar, familjet përfundojnë duke i dhënë vajzat për martesë, në këmbim të shlyerjes së borxheve.

Darellah, 15 vjeçe, jeton me bashkëshortin e saj 30-vjeçar, Mollah. Familja e saj u detyrua të largohej nga fshati në vitin 2018.

Atë vit, Badghis u përball me një thatësirë historike. Që nga viti 2021, thatësirat kanë shkatërruar të korrat dhe kanë lënë bagëtitë pa ushqim çdo vit.

Tani shtatzënë, Darellah ka ardhur për të vizituar familjen e saj.

“Jam ende fëmijë… Nuk mund të jetë vendim i mirë të martohesh në atë moshë”, thotë ajo.

Edhe motrat e saj, Bibi Zat, nëntë vjeçe, dhe Rahimah, 11 vjeçe, janë të fejuara, por ende jetojnë me prindërit.

Edhe fqinjët e tyre u detyruan të largoheshin nga shtëpitë për shkak të thatësirës. Bahahuddin, 40 vjeç, u detyrua të shiste tokën e tij.

Kur nuk arriti më ta ushqente familjen duke mbledhur mbeturina dhe duke lypur, ai shiti veshkën e djalit të tij 10-vjeçar, Ziauddin, për 100.000 afgani, rreth 1300 euro. Ai thotë se kishte dashur të shiste edhe veshkën e vet, por nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe askush nuk do ta blinte.
Në kampin ku jetojnë këto familje, histori të tilla nuk e habisin më askënd. Banorët thonë se fëmijët kanë vdekur shpesh, sepse nuk kanë pasur mundësi të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.
Khomakha, 30 vjeçe, është një tjetër banore që u detyrua të largohej nga shtëpia për shkak të thatësirave. Bashkëshorti i saj arriti marrëveshje për ta dhënë vajzën e tyre Fatemah për martesë, vetëm tre muaj pasi ajo kishte lindur. Vajza tani është dy vjeçe.

Familja ishte në gjendje aq të rëndë ekonomike, sa nuk mund të përballonte as pagesën e vogël për transportin e përbashkët që do ta çonte djalin e tyre tetëvjeçar, Ehsanullah, në spital. Ai vuan nga kanceri i gjakut dhe ka nevojë për transfuzion gjaku çdo javë.

Khomakha mund të mos e shohë më kurrë vajzën e saj pasi ajo të martohet dhe të zhvendoset në një fshat që ndodhet 15 orë larg me makinë.

“Nuk do të kem mundësi të paguaj transportin për ta vizituar vajzën pasi të largohet”, thotë ajo.
Por as për familjet që kanë mbetur në fshatrat e tyre jeta nuk është shumë më e lehtë. Në Khoshkian, të korrat e grurit të Abdul Azizit dështuan shtatë herë brenda tetë vjetësh. Gjatë viteve të thatësirës, ai u detyrua të jepte pesë vajzat e tij për martesë, duke marrë nga 90.000 deri në 150.000 afgani për secilën, ose rreth 1200 deri në 2000 paund. Paratë i përdori për të shlyer borxhet.

Mazari, njëra nga vajzat e Abdul Azizit, u largua nga shtëpia kur ishte rreth 12 ose 13 vjeçe. Tani është 16 ose 17 vjeçe dhe jeton me bashkëshortin, i cili është në të dyzetat, djalin e tyre dyvjeçar dhe foshnjën që lindi vetëm një ditë më parë.

“Të martohesha në moshën 12-vjeçare ishte shumë e vështirë. Kur shkova në shtëpinë e tij, nuk dija as të gatuaja, por bashkëshorti dhe vjehërrit e mi janë treguar shumë të mirë me mua”, thotë ajo.
Motrat e saj më të vogla, nga tre deri në 13 vjeçe, do të qëndrojnë në shtëpinë e prindërve derisa të paguhen paratë e caktuara për martesën e tyre. Ndërsa pastrojnë nga barërat e këqija një arë, ato kujtojnë vitet e luftës, kur ushtarët e qeverisë së mëparshme qëllonin nga malet pas tyre.
“Nuk kishte asnjë dallim. Ushtria e qeverisë së mëparshme qëllonte, pavarësisht nëse ishim talebanë apo civilë”, thotë Shamael, motra 13-vjeçare e Mazarit. “Tani ndihemi më mirë, sepse nuk zgjohemi më nga zhurma e luftimeve”.

Motrat e tjera të Shamaelit pohojnë me kokë, ndërsa vazhdojnë të pastrojnë arën.

“Njerëzit i punojnë tokat për vite me radhë dhe investojnë shumë për të marrë të korra, por në fund nuk fitojnë asgjë dhe mbeten me borxhe”, thotë Shamael. “Pastaj disa shesin tokat, të tjerë japin vajzat për martesë, vetëm që të mbijetojnë”.

Shkak, varfëria

Në Afganistan nuk ka një ligj që përcakton moshën kur vajzat mund të largohen nga shtëpia për t’u martuar. Shumat që paguhen për nuset variojnë nga disa qindra deri në disa mijëra euro dhe zakonisht jepen me këste. Pasi të paguhet e gjithë shuma, familja e bashkëshortit mund ta marrë vajzën për të jetuar me të. Në shumë raste, kjo ndodh sapo vajza arrin pubertetin.
“Gjithçka që po na ndodh është për shkak të varfërisë”, thotë Shamael.

Në ditën e dasmës, në fshatin Nookhil, Bibi Samia, 14 vjeçe, në fillim duket e qetë. Nëna e saj thotë se vajza kishte qarë shumë një natë më parë. Për orë të tëra përpiqet t’i mbajë emocionet, por pak para se të largohet nga shtëpia, shpërthen në lot.

“Nuk jam e lumtur, sepse jam shumë e vogël”, thotë ajo.

Ndërsa ndihmat e huaja po pakësohen, po zhduken edhe programet që duhet të ofrojnë mbështetje për këto vajza.

Mark Calder, drejtor për çështjet e avokimit për Afganistanin në organizatën humanitare “World Vision International”, thotë se martesat në moshë të hershme i ekspozojnë vajzat ndaj rreziqeve shëndetësore që mund t’u kushtojnë jetën.

“Martesat e hershme i ekspozojnë vajzat ndaj rreziqeve shëndetësore potencialisht vdekjeprurëse, por klinikat ku ato trajtohen po mbyllen, ndërsa ndihmat po shkurtohen”, thotë ai.

Pasojat psikologjike për vajzat që detyrohen të martohen në fëmijëri janë të mëdha.

Pavarësisht varfërisë së skajshme, Sara e shoqëron çdo mëngjes vajzën e saj 12-vjeçare, Aishën, në shkollën fillore. Ato nisen në këmbë nga e njëjta lagje e varfër ku jeton edhe Khatira, në periferi të Qala-e-Naw. Familja u zhvendos atje në vitin 2021, pasi u detyrua të largohej nga fshati për shkak të thatësirës.

Megjithatë, bashkëshorti i Sarës e ka dhënë Aishën për martesë me një 20-vjeçar, në këmbim të shlyerjes së borxheve. Kur të paguhet e gjithë shuma e caktuar, vajza do të duhet të largohet nga shtëpia.

Paratë e marra për martesën nuk kanë arritur ta nxjerrin familjen nga varfëria. Ajo nuk e ka paguar qiranë prej 1.000 afgani për dy muaj dhe pronari i banesës u ka kërkuar të largohen. Kur lindi fëmija i saj i fundit, Sara u detyrua të shkonte në këmbë deri në spital, sepse nuk kishte para për transport.
Megjithatë, ajo thotë se përpiqet të mos i kontaktojë familjarët e bashkëshortit të ardhshëm për t’u kërkuar pjesën e mbetur të parave të martesës.

“Përpiqem të mos i kontaktoj, që Aishës të mos i duhet të largohet nga shtëpia”, thotë Sara.

Ajo nuk mund të flasë për martesën e ardhshme të vajzës në praninë e saj, sepse kjo e bën Aishën të qajë. Prandaj, Sara preferon ta lërë të bijën të vazhdojë e qetë detyrat e shkollës, për aq kohë sa i lejohet ende ta bëjë këtë.