Osman Osmanit, njërit nga themeluesit e lobit shqiptaro-amerikan, i është dhënë të mërkurën lamtumira e fundit. Ai është varrosur në Morinë të Gjakovës, ndërsa në Prishtinë është organizuar akademi përkujtimore, ku është vlerësuar kontributi i tij për Kosovën, humanizmi dhe atdhedashuria
Njërit prej themeluesve të Lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane, Osman Osmanit, të mërkurën i është dhënë lamtumira e fundit.
Para se të varrosej në vendin e lindjes në Morinë të Gjakovës, për Osmanin që vdiq të martën në moshën 80-vejçare, u organizua akademi përkujtimore në Prishtinë.
Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, vdekjen e Osmanit e cilësoi humbje për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.
“Ai krijoi një jetë të mirë dhe, po ashtu, diçka që është shumë e rëndësishme: krijoi një rreth të nderuar njerëzish. Nuk kam parë deri më sot ndonjë njeri që të mos ketë shprehur respekt për Osmanin dhe familjen e Osman Osmanit. Ka qenë një burrë me një burrëri të pashoq, një familjar i mirë, por mbi të gjitha, ka dëshmuar një atdhedashuri të jashtëzakonshme”, ka thënë Spahiu.
Ndërkaq, publicisti Veton Surroi tha se për ta kuptuar jetën dhe angazhimin e Osmanit, duhet ditur se janë të panumërta familjet nga Kosova që në mënyrë të heshtur kanë marrë ndihmë nga familja e Osmanit.
Sipas tij, në vitet ’90, lobi shqiptar, me ndihmën e Osmanit dhe bashkëpunëtorëve të tij, futi çështjen e Kosovës në institucionet më të rëndësishme në SHBA.
“Shqiptarët e futën nëpër derën e madhe të Kongresit amerikan çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Përderisa ende ndiheshin dridhjet nga rënia e Murit të Berlinit në Evropë, Lobi organizoi shkuarjen e Alternativës kosovare në Shtetet e Bashkuara. Ky ishte sinjali për Amerikën, dhe gjithë botën, se Kosova kishte zërin e vet, të demokracisë e pavarësisë dhe se prej aty, prej Washingtonit, tashmë fillonte një rrugëtim që do të duhej të mblidhte përkrahjen për një Kosovë të pavarur e demokratike. Dhe, për ta arritur këtë, duhej unitet mes shqiptarëve, siç do të përsëriste shpesh Osmani”, ka thënë Surroi.
E nga familjarët, Osmani u kujtua si person i hapur e që dha këshilla në vazhdimësi.
“Ne ishim me fat që kishim dikë që mund të flisnim absolutisht për gjithçka. Na jepte këshillat më të mira dhe na mësoi të punonim fort, ta donim familjen dhe të jetonim me zemër. Ai dinte t’i bënte të gjithë të ndiheshin të veçantë, të dashur dhe të rëndësishëm. Do të na mungojë humori, historitë e tij dhe mënyra se si ai fliste të vërteten pa marrë parasysh çfarë”, ka thënë Eva Nezaj, mbesë e Osmanit.
Ai u përkujtua edhe nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që ka qenë ish-sekretare e Shtetit. Çifti amerikan ia ka nisur një letër ngushëllimi familjes Osmani.
“Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre që janë mbledhur sot për të nderuar jetën e mikut dhe fqinjit tonë të dashur, Osman Osmani. Ne e takuam Osmanin dhe familjen e tij në vitin 1999, jashtë shtëpisë së tij në Chappaqua, Nju Jork, përballë shtëpisë që sapo kishim blerë. Zemra e tij e mirë dhe shpirti i tij bujar u dëshmuan që në takimin tonë të parë, kur ai na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, e cila po qëndronte në shtëpinë e tij”, thuhet në letrën e Bill dhe Hillary Clinton.
Gjatë viteve nëntëdhjetë, familja Osmani u shqua për veprimtarinë atdhetare, duke themeluar edhe RTV-në e parë shqiptare në Amerikë, me emrin “Victoria”.