Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Les étudiants en médecine n'acceptent le scan de QR code que pendant les cours magistraux, et non pendant les exercices.

code qr

Universiteti i Prishtinës synon ta shtrijë në të gjitha fakultetet sistemin e evidentimit të vijueshmërisë përmes QR kodeve, por përdorimi i tij ka nxitur shqetësime te studentët. Në Fakultetin e Mjekësisë, ku sistemi u implementua për herë të parë vitin e kaluar, por atë studentët e kanë bojkotuar për shkak të problemeve teknike dhe frikës nga penalizimi për mungesa. Por pas një takimi me rektorin, ata kanë vendosur ta përdorin sistemin vetëm në ligjërata, por jo edhe në ushtrime.

Universiteti i Prishtinës po synon implementimin e sistemit të regjistrimit të vijueshmërisë së profesorëve dhe studentëve përmes QR kodeve.

Në Fakultetin e Mjekësisë, ku ky sistem është implementuar për herë të parë, ai po bojkotohet nga studentët që nga shkurti i vitit 2025.

Shqetësimet e tyre fillimisht kanë qenë për shkak të mungesës së internetit, me të cilin vazhdojnë të kenë probleme edhe tash si dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve.

Kryetari i Këshillit Studentor, Dion Bajramaj, thotë se së fundmi janë takuar edhe me rektorin për të diskutuar këto shqetësime. 

Pas takimit, kanë vendosur që, pas më shumë se një viti bojkot, studentët të skanojnë QR kodet vetëm në ligjërata dhe jo në ushtrime.

“Edhe ky skanim ka për qëllim me i evidentuar të gjitha problemet që lidhen sidomos me natyrën teknike edhe me ju prezantuar Këshillit të Fakultetit. Nga Këshilli i Fakultetit, na kemi me kërkuar që asnjë studenti mos me iu mohu e drejta që të nënshtrohen në provime, meqenëse ky sistem nuk arrin me treguar vijueshmërinë reale për shkak të problemeve teknike dhe logjistike që janë ndërtuara mbi këtë sistem”, ka thënë Bajramaj. 

Studentët e konsiderojnë të papërshtatshëm përdorimin e këtij sistemi në ushtrime, meqenëse shumë prej tyre mbahen në klinikat e QKUK-së dhe në institute.

Një studente e Fakultetit Filozofik, e cila foli në kushte anonimiteti, thotë se përballen me probleme sa i përket vijueshmërisë në ligjërata.

Ajo ka treguar se edhe sistemi i evidentimit përmes kodeve QR ende nuk ka filluar të zbatohet në këtë fakultet.

“Si shqetësim i parë që kisha dëshirë me treguar është vijueshmëria nëpër ligjërata, ku shumica e ligjëratave nuk verifikohen përmes ID-kartelave. Po ashtu, shumica e tyre nuk i llogarisin as hyrjet apo daljet e studentëve. Ky problem është i pranishëm te i gjithë ky grup, që në vitin e parë ishte në Departamentin e Punës Sociale”.

Ndërsa drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informative, Hajrullah Hajrullahu, thotë se ky sistem është krijuar pikërisht për shkak se në ushtrimet e Fakultetit të Mjekësisë nuk ka pasur mundësi të vendoseshin skanerët për ID-kartela, për shkak të rrezatimit.

Megjithatë ai thotë se nuk ka probleme të evidentuara në sistem.

“Jo, nuk ka problematikë. Mendoj, shumica kanë parë, kemi ankesa që pranojmë prej studentëve, por, sa e kam parë unë, krejt qëllimi i studentëve është se kanë një frikë që mos, ndoshta mos evidentimi tani i penalizon ata në çështje të tjera. Por kjo varet krejtësisht prej profesorit të lëndës. Ka profesorë që kanë kritika, po mendoj specifika të tyre, që për mungesa ndoshta edhe nuk i lejojnë me hy në provim, por sistemi nuk i ndalon”, deklaroi Hajrullahu. 

Hajrullahu ka pranuar se kanë probleme me internetin, por ka thënë se janë duke punuar për t’ia zgjidhur këtë problem.

KOHA u ka dërguar pyetje edhe fakulteteve të tjera për të kuptuar nëse planifikojnë të nisin implementimin e sistemit me QR kode, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Sistemi i vijueshmërisë përmes QR kodeve funksionon përmes llogarive të SEMS-it, me të cilat profesorët dhe studentët qasen në aplikacionin eVijueshmëria, nga telefoni ose kompjuteri. 

Profesori përzgjedh nivelin, lëndën dhe sallën ku mbahet mësimi, pastaj skanon QR kodin, ndërsa studentët përzgjedhin lëndën dhe skanojnë kodin për të regjistruar hyrjen dhe, në fund të orës, daljen nga mësimi.