Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Softa à propos des manifestations à Tirana : Il semble que l’objectif soit de paralyser l’État

Fatjon Softa

Eksperti i sigurisë dhe ish-oficeri i Policisë në Shqipëri, Fatjon Softa, ka vlerësuar se protestat e dhunshme të nisura tash e tri ditë në Tiranë nga studentët, sikur po tentojnë ta paralizojnë shtetin, duke goditur institucionet, sistemin bankar dhe infrastrukturën kritike. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Softa ka thënë se zhvillimet e fundit nuk mund të konsiderohen thjesht si incidente të rastësishme, pasi, sipas tij, po vërehet një rritje e intensitetit të veprimeve dhe e dëmtimeve.

“Po goditet sistemi bankar, po goditen bashkitë, po goditen institucionet e shtetit, po goditet infrastruktura e qytetit, po duket sikur po u kërkojnë një lloj paralize të institucioneve dhe të funksionimit të shtetit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, veprimet e tilla dëmtojnë imazhin e vendit, turizmin dhe bizneset. 

Duke folur për organizimin e protestuesve, eksperti i sigurisë ka thënë se, sipas informacioneve që disponon, grupe të caktuara komunikojnë përmes platformës WhatsApp për të koordinuar pjesëmarrjen dhe lëvizjet e tyre. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka informacion të konfirmuar nëse pas këtyre veprimeve qëndrojnë organizatorë apo grupe interesi.

Softa ka kritikuar edhe mënyrën e reagimit të Policisë së Shtetit gjatë dy ditëve të protestave.

Sipas tij, në ditën e parë janë vërejtur raste të përdorimit të tepruar të forcës, ndërsa në ditën e dytë reagimi i policisë ka qenë i vakët dhe i pamjaftueshëm për të mbrojtur institucionet.

“Ka dy veprime të Policisë së Shtetit, në ditën e parë e kemi parë një polici më agresive... në ditën e parë ka pasur momente që opinioni por edhe ne ekspertët kemi kritikuar për shkak të teprimit apo tejkalimit të kompetencave apo të forcës, raste p.sh. kur një person i moshuar ka qenë i rrëzuar dhe numri i punonjësve që e kanë goditur ka qenë i madh, rasti tjetër i një personi që ka pasur këmbën e thyer në vend se t’i jepej ndihma e parë mjekësore, e mbanin për ta lëvizur me këmbën e varur. Këto kanë ndikuar shumë negativisht. Dita e dytë ka qenë me një reagim të vakët të Policisë, e çuditshme se si Policia nuk pati reagimin e duhur për të mbrojtur institucionet, si rasti i Ministrisë së Arsimit, kur tentohej të hapej dera, dera u hap”, është shprehur ai.

Sa i përket mundësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërhyrjes së ushtrisë, eksperti ka thënë se mund të ketë elemente që lidhen me një skenar të tillë, por ka shtuar se nuk është e qartë nëse situata ka arritur ende në atë fazë.

“Mund të ketë disa elemente që mund të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk e di, ndoshta nuk jemi ende në atë moment, në gjendje gatishmërie”, ka deklaruar Softa.