Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

L'Albanie est invitée à faire preuve d'un engagement plus marqué dans le cas des anciens dirigeants de l'UCK.

Edi Rama

Figura publike dhe politike po kërkojnë që Shqipëria të angazhohet në diplomaci dhe ndarje buxhetore për procedurat e Apelit pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Sipas tyre, kjo çështje është interes kombëtar dhe duhet angazhim i dy shteteve

Në Shqipëri po kërkohen hapa konkretë dhe ndarje buxhetore në lidhje me procedurat e Apelit që do të përballen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi pas vendimit dënues të Speciales duke u thirrur në atë se përbën interes kombëtar.

Analisti politik, Endri Tafani, thotë se Shqipëria e ka edhe detyrim kushtetues që ta mbrojë interesin kombëtar.

“Shteti shqiptar nuk ka dhënë asnjë ndihmë financiare në drejtim të mbrojtjes së atyre të akuzuarve gjë që është e turpshme. Është çështje e interesit kombëtar dhe Shqipëria e ka detyrim kushtetues që të mbrojë interesin kombëtar dhe interesin e shqiptarëve se kudo që janë ata në botë. Normalisht është një interes i ligjshëm edhe për të mbrojtur atë që është lufta e UÇK-së”, ka thënë Tafani.

Një ditë pas vendimit të Speciales Parlamenti i Shqipërisë doli me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të luftës së UÇK-së. Megjithatë, nga Partia Mundësia, thonë se mungon pjesa serioze e angazhimit shtetëror.

“Në gjykimin tonë kjo është e pamjaftueshme. Është parë gjatë këtij procesi gjashtë vjeçar që shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës nuk bëjnë mjaftueshëm përveç disa mitingjeve folklorike. Mungojnë pjese serioze e angazhimeve shtetërore dhe lobuese”, ka thënë deputeti nga kjo parti, Erald Kapri.

Në të njëjtën ditë, Kapri ka kërkuar miratimin e një rezolute e cila parasheh buxhet të dedikuar nga ana e Shqipërisë për proceduat e Apelit të ish-krerëve të UÇK-së.

“...kërkuam që shteti shqiptar të ketë buxhet të dedikuar për këtë çështje dhe angazhim të diplomacisë, krijimin e institucioneve përkatëse për të dokumentuar krimet dhe për të folur veçanërisht me audience e huaj në mënyrë që shtetet të jenë të përgatitura sa i përket Apelit që pritet të ndodhi me liderët e luftë”, ka thënë ai.

E Tafani thotë se procedurat e Apelit nuk mund t’u lihen barrë vetëm avokatëve mbrojtës, por duhet angazhim shtetëror në zbardhjen e pretendimeve për krimet e kryera në Shqipëri.

“Kjo tregon një paaftësi të shtetit shqiptar por edhe të shtetit të Kosovës për të kuptuar lojën e gjatë që po bënin serbët dhe rusët dhe kjo lojë e gjatë që bën ata, nuk mund të fitohet me një propozim brenda momentit por duhet të jetë diçka e koordinuar  nga të dyja anët e kufirit”, ka thënë Tafani.

Kapri thotë se do ta ngrenë serish si çështje në Parlamentin e Shqipërisë. 

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë në takimin që ka pasur me shqiptarët në Miçigan, para pak ditësh. ka thënë se si vend nuk mund të bëjnë asgjë më shumë sesa të rrinë krah Kosovës.

“Natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do të vendosin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave dhe unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të Gjykatës, nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”, ka thënë Rama.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Shqipërisë lidhur me angazhimin që ka pasur shteti shqiptar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Në tetor të 2025-tës, Kuvendi i Shqipërisë ka rrezuar edhe një rezolutë të propozuar nga Partia Demokratike përmes së cilës dënohej gjenocidi serb në Kosovë.