Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë, të cilët të martën janë futur në grevë shkaku i pagave të papaguara, kanë thënë se ajo do të ndërpritet vetëm kur të përmbushen të gjitha obligimet ndaj tyre nga Komuna e Prishtinës. Greva, që nisi të martën, ka lënë shkollat pa mirëmbajtje e disa drejtorë të shkollave kanë thënë se ajo tashmë veçse ka nisur të krijojë vështirësi
Edhe në ditën e dytë të vitit të ri shkollor, shkollat në Prishtinë ishin pa mirëmbajtës.
Greva e nisur të martën, sipas tyre, do të vazhdojë deri në shlyerjen e të gjitha obligimeve financiare, ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Ai, në një konferencë për media, të mërkurën, ka thënë se ka zhvilluar takim me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Arjanit Elshani, dhe zyrtarin e Komunës së Prishtinës, Arben Gashi, por sipas tij, takimi nuk ka rezultuar me zgjidhje të problemit.
“Ne nga greva mund të dalim vetëm kur të gjitha obligimet që ka Komuna e Prishtinës karshi këtyre punëtorëve të përmbushen. Përndryshe, po themi se që nga dita e djeshme kemi shkuar një hap prapa, sepse ofertën që e kemi ofruar ne për 10-ditëshin e muajit korrik, tanimë këtë e kemi tërhequr dhe ne nuk kemi asnjë arsye që të fillojmë të punojmë. Na vjen keq nga qytetarët, na vjen keq sidomos nga nxënësit që për herë të parë po fillojnë mësimin në këto shkolla, por më keq na vjen që kemi njerëz të cilët janë të papërgjegjshëm dhe njerëz të cilët nuk e kanë menduar fare që këta punëtorë janë që 45 ditë pa pagat e tyre”, ka thënë Azemi.
Azemi ka kritikuar Komunën e Prishtinës, duke thënë se sindikata ka paralajmëruar për më shumë se një muaj se mund të vijë deri te greva, por sipas tij, zyrtarët komunalë nuk e kanë trajtuar me kohë këtë problem.
“E gjithë kjo po ndodh në mungesë të mjeteve, po ndodh në mungesë të realitetit. Kjo po ndodh për shkak se zyrtarët e Komunës së Prishtinës, përkundrazi asaj që ne më shumë se një muaj i kemi paralajmëruar se mund të vijë deri te kjo bllokadë, ata nuk e kanë parë të arsyeshme që të merren me këtë problematikë. Sot shumë zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se nuk e dinë që janë punëtorët në grevë. Dhe është shumë e rëndë që pagat tona, përveç se janë 45 ditë vonesë, njerëzit zyrtarë — të cilët u duhej të kryenin punën e pagave të këtyre punëtorëve — nuk qenkan të njoftuar fare me grevën”, ka thënë ai.
KOHA ka tentuar gjatë ditës të kontaktojë me drejtorin e DKA-së, Arjanit Elshanin, për të kuptuar nëse do të bëhet ndonjë zgjidhje për këta punëtorë, por ai ka qenë i paqasshëm.
E drejtori i “Shkollës së Gjelbër”, Besart Ismajli, ka thënë se greva e punëtorëve teknikë po krijon vështirësi në mirëmbajtjen e shkollës, veçanërisht në klasa dhe tualete.
“Punëtorët teknikë që nga dje kanë filluar grevën, por që iu kanë bashkëngjitur të gjitha institucioneve të cilat janë me kompanitë private edhe punëtorët e Shkollës së Gjelbër iu kanë bashkëngjitur kësaj greve. Paraqet mjaft vështirësi sidomos nëpër klasë e tualete, por që duhet të kemi kujdes. Sipas informatave që i kam, gjatë takimeve të përfaqësuesve të sindikatave u kanë thënë që me pas kujdes të tualetet që të jenë të mirëmbajtura që të mos shfaqet ndonjë epidemi. Tualetet janë në rregull, por që nëpër klasë po ka telashe”, është shprehur Ismajli.
Me probleme, viti i ri shkollor ka nisur edhe në shumë shkolla të tjera.