Një ditë pas inaugurimit si presidente, Justina Shiroka-Pula ka pritur në zyrë kryeministrin Albin Kurti. Me të janë zotuar për “punë të mëdha”. Për shefin e qeverisë dhe zyrtarë të partive në opozitë, zgjedhja e Shiroka-Pulës presidente do të ndikojë në stabilitetin politik në vend, që ka munguar për pothuajse dy vjet
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente, pas një periudhe gati dyvjeçare të krizës institucionale, ka nxitur shpresë te krerët institucionalë dhe zyrtarët e partive politike për stabilitet në vend.
Nga takimi që presidentja Shiroka-Pula pati të enjten me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka thënë se është shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve.
“Gjatë takimit, presidentja Shiroka-Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës, pas takimit.
E, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti pasi e ka uruar për detyrën, e ka falënderuar presidenten Shiroka-Pula që pranoi këtë përgjegjësi në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për president që, “përveçse përbashkon e sjell stabilitet, ka integritet të lartë, dije të gjerë dhe përvojë të gjatë akademike e institucionale”.
“Kryeministri Kurti theksoi se do të bashkëpunojë dhe do të bashkërendohet me presidenten Shiroka-Pula për punët e mira për qytetarët dhe për prioritetet shtetërore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
E, vetë kryeministri Kurti është shprehur se në takim janë dhënë zotime për punë në interes të shtetit e për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha, të përditshme për interesin shtetëror dhe publik dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën. Tash na presin dhe shumë angazhime, të cilat natyrisht me vullnet të mirë dhe të gjithë dijen dhe mundësinë që kemi do t’i shpiem përpara sa më shpejt që mundemi. Republika e Kosovës, pas më shumë se një vit e gjysmë, ka institucione funksionale dhe nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Kurti. “Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida që i kemi përpara. Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjen e Shiroka-Pulës në krye të shtetit, është përshëndetur edhe nga dy partitë opozitare që nuk morën pjesë në votimin për të.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e vlerësoi shpresëdhënëse situatën e krijuar, pas zgjedhjes së saj.
“Përballim i një situate dhe krize politike për dy vjet gati që Kosovën e çojnë në vitet e humbura. Ajo tani bart këtë shpresë të pjesës dërmuese të Kosovës, që Kosova ka potencial, ka mundësi t’i përballojë proceset politike dhe që jo vetëm opozita, po edhe shoqëria civile edhe të tjerët e kanë një derë ku mund të komunikojnë dhe uroj të mos jetë një shpirt ku mund të vajtojnë”, ka thënë Haziri.
E kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deklaroi se përgjegjësia për bllokadën e deritanishme u takon “atyre që morën pushtetin”.
Gjini ka thënë se Aleanca, e cila nuk mori pjesë në votimin për presidenten, del nga ky proces “me kokën lart”, duke theksuar se nuk ka hyrë në pazare politike apo kalkulime të minutës së fundit.
“Kosova më në fund ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave të panevojshme politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme të shkaktuara artificialisht, që e mbanin peng vendin. Ky është një lajm i mirë për stabilitetin dhe për qytetarët tanë”, ka thënë Gjini, sipas të cilit, Aleanca ishte e para që pas zgjedhjeve doli me një ofertë të qartë dhe pa kushte, me synimin që Kosova të mos zvarritej dhe të mos shkonte sërish në zgjedhje.
“Oferta jonë pa asnjë kusht ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se tash përgjegjësia për qeverisjen u takon atyre që kanë marrë pushtetin.
“Koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar Gjini.
Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë aktive në të gjitha komunat e Kosovës dhe do të veprojë si opozitë e pakompromis.
“Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti”, ka deklaruar ai.
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente në minutat e parë të 7 tetorit. Një ditë pas inaugurimit si presidente, ajo bëri homazhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pastaj te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit Adem Demaçi.
Në Prekaz, ajo nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka thënë presidentja.
Ndërkaq, gjatë homazheve te varri i presidentit Rugova, ajo vlerësoi “urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën”, në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, ka thënë ajo.
E, te varri i veprimtarit Demaçi, presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.
Menjëherë pas inaugurimit, presidentja ka nisur t’i ushtrojë detyrat e saj.
Qeveria ka bërë kërkesën e parë zyrtare te Shiroka-Pula.
Në një njoftim të Qeverisë është bërë e ditur se në mbledhjen e gjashtë elektronike, kabineti qeverisës ka kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit për të nënshkruar marrëveshjen e kredisë me BERZH-in për përmirësim të pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin për Përmirësim të Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Ajo do ta ketë në zyrë për nënshkrim edhe ligjin me të cilin i kufizohet mandati Gjykatës Speciale, e i cili u votua në lexim të dytë para se të zhvillohej votimi për presidenten.
Kërkesa asaj i janë shtruar edhe nga shoqëria civile.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka rikujtuar se presidentja ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e shtetit brenda e jashtë vendit. Ky institut ka rikujtuar se Kushtetuta ia beson asaj kompetenca të rëndësishme në raport me ligjet, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura, përfshirë rolin e Komandantes Supreme të FSK-së.
Sipas IKD-së, presidentja duhet të jetë zë i të gjithë qytetarëve, mbi interesat partiake dhe llogaritjet e shumicave të përkohshme politike.
IKD-ja ka kërkuar nga presidentja Shiroka-Pula që, në fillim të mandatit, të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet e saj lidhur me këto dhjetë çështje kryesore.
“Si do ta ushtrojë presidentja detyrën kushtetuese për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve? A do të reagojë publikisht dhe në kohë kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet e institucioneve, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokada të institucioneve?”, është pyetja e parë, që i është shtruar. “Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?”, është e dyta.
Në letrën e IKD-së është shtruar edhe pyetja se si presidentja do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? Krahas kësaj, është pyetur se a do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë.
Pyetje të tjera i janë shtruar edhe për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e saj nga ndikimet partiake.
Po ashtu, edhe për dialogun me Serbinë, sovranitetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
“Cili është vizioni i presidentes për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e njohjes reciproke? A do të sigurohet që çdo marrëveshje ndërkombëtare të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës?”, është një nga pyetjet e IKD-së. “Si Komandante Supreme, çfarë prioritetesh do të ketë presidentja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, bashkëpunimin me aleatët dhe KFOR-in, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Republikës?”.
IKD ka vlerësuar se presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, sipas këtij instituti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë proces në qoftë se do të iniciohet rast në Gjykatën Kushtetuese.
Shiroka-Pula a officiellement pris ses fonctions de présidente hier. Elle a prêté serment dans la nuit de mardi à mercredi, après avoir obtenu 81 voix grâce à l'accord conclu entre Vetëvendosje et le Parti démocratique du Kosovo.