Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Le service annoncé il y a 7 ans n'est toujours pas pleinement fonctionnel.

UCCK

Shtatë vjet pasi ishte paralajmëruar funksionalizimi i trombektomisë mekanike në QKUK, ky shërbim ende nuk është funksionalizuar plotësisht. Për trajtimin urgjent të pacientëve me goditje në tru, drejtuesit e klinikës së Radiologjisë thonë se mungojnë si stafi i specializuar, ashtu edhe materialet shpenzuese

Funksionalizimi i shërbimit të trombektomisë mekanike, i cili ishte paralajmëruar të niste para shtatë vjetësh, ende po përballet me mungesë të kapaciteteve të profesionistëve dhe të kushteve të nevojshme.

Për këtë shërbim ishte paraparë që ndërhyrjet të kryheshin nga ekipi i radiologëve neurointerventë, në bashkëpunim me Klinikën Emergjente, Klinikën e Neurologjisë dhe atë të Anesteziologjisë.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës së Radiologjisë, Lavdim Ymeri, klinika nuk ka as staf të mjaftueshëm për ketë shërbim.

“Klinika aktualisht ka katër radiologë të angazhuar në këtë fushë, ndërsa për funksionalizimin e plotë dhe sigurimin e mbulimit të nevojshëm 24-orësh vlerësohet se nevojiten edhe dy radiologë të tjerë. Po ashtu, kërkohet forcimi i stafit teknik të specializuar, me nevojë për angazhimin e rreth katër teknikëve shtesë”, ka thënë ai.

Klinika e Radiologjisë nuk i ka as të dhënat për numrin e pacientëve që kanë pasur nevojë për trombektomi mekanike.

“Për të përcaktuar numrin e pacientëve që kanë pasur nevojë për këtë shërbim, si dhe numrin e rasteve të referuara gjatë periudhës kur shërbimi nuk ka qenë funksional, nevojitet harmonizimi i të dhënave me Klinikën Emergjente dhe Klinikën e Neurologjisë, pasi identifikimi dhe referimi i këtyre rasteve përfshin disa hallka të procesit klinik. Të dhënat e sakta mund të sigurohen pas përfundimit të këtij harmonizimi”, është shprehur Ymeri.

Përveç stafit, problem mbeten edhe materialet që nevojiten për kryerjen e ndërhyrjeve. 

Nga Klinika e Radiologjisë kanë thënë se ajo ka pajisje, por shërbimi nuk mund të ofrohet pa materialet shpenzuese.

“Aktualisht, shërbimi 24-orësh për trombektomi mekanike nuk është funksional për shkak të mungesës së materialeve specifike të nevojshme për realizimin e këtyre procedurave. Sigurimi i këtyre materialeve është trajtuar si çështje me prioritet, mirëpo procesi i furnizimit zhvillohet përmes procedurave të prokurimit dhe mekanizmave përkatës institucionalë, të cilët nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të Klinikës së Radiologjisë”, ka thënë Ymeri.

KOHA javën e kaluar ka raportuar se procesi i tenderimit për furnizimin me këto materiale është bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesës së një operatori ekonomik.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija, e ka konsideruar mosfunksionalizimin e këtij shërbimi si një prej dështimeve më të mëdha të SHSKUK-së.

Sipas tij, në vitet 2019 dhe 2020 ishin porositur dhe blerë materiale për trombektomi, por atyre u skadojë afati pa u përdorur.