Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

La Serbie n'autorise pas les députés kosovars à entrer à Preševo, même pour une simple visite.

Ardita Sinani

Autoritetet serbe nuk kanë lejuar hyrjen në Preshevë të tri deputeteve të Kuvendit të Kosovës përkatësisht Lëvizje Vetëvendosje, Arbërie Nagavcit, Fatmire Mullhaxha-Kollçakut dhe Liza Gashit, të cilat kishin planifikuar të vizitonin kryetaren e Preshevës, Ardita Sinanin, për t’i shprehur ngushëllime pas vdekjes së babait të saj.

Në një postim në Facebook, Sinani ka bërë të ditur se pjesë e delegacionit ishte edhe ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, si dhe Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili kishte për qëllim t’ia përcillte asaj dhe familjes ngushëllimet e kryeministrit.

Sipas Sinanit, delegacioni u mbajt për disa orë në vendkalimin kufitar në Depcë, ku më pas iu komunikua se nuk mund të vazhdonte rrugën për në Preshevë.

Ajo ka thënë se vizita nuk kishte karakter zyrtar, por ishte e natyrës personale dhe kishte për qëllim shprehjen e ngushëllimeve, në përputhje me traditën për të qëndruar pranë të afërmve në raste vdekjeje.

Për shkak të ndalimit, Sinani, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e saj, u takua me delegacionin në vendkalimin e Depcës, në territorin e Kosovës, ku pranoi ngushëllimet.

“Pavarësisht se të njejtit nuk kishin paraparë vizitë zyrtare në Preshevë, por vizita e tyre ishte për qëllime personale, aq më shumë ishte për qëllime humane e për të ruajtur një traditë tonën të përhershme për të ngushëlluar të afërmit në raste të vdekjes, Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast. Pas disa orë mbajtje në vendkalimin kufitar me Kosovën në Depcë, autoritetet kufitare njoftuan delegacionin nga Republika e Kosovës që nuk iu lejohet vizita në Preshevë. E detyruar nga këto rrethana, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e mij, e nderuar nga qëllimi i deputeteve dhe Ambasadorit për të qenë pjesë e dhimbjes sime me rastin e vdekjes së babait, i takova në vendkalimin Depcë, në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Sinani e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe, duke e cilësuar atë si diskriminues dhe duke pretenduar se politika ishte përfshirë edhe në një rast që, sipas saj, kishte vetëm karakter njerëzor.

“Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast”, ka shkruar ajo.

Sinani i ka falënderuar deputetet, ambasadorin Jashari dhe përfaqësuesit e tjerë për përpjekjen për të qenë pranë saj në këtë periudhë zie, ndërsa ka shprehur keqardhje që nuk pati mundësi t’i priste në shtëpinë e familjes në Preshevë. Në fund, ajo ka thënë se, pavarësisht rrethanave, ky rast nuk do të arrijë t’i shkëpusë lidhjet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Kjo është një situatë për t’u mbajtur mend për të keq, e ku Serbia shpërfaq politikën e saj diskriminuese në çdo pore të jetës, qoftë edhe në raste të vdekjeve e ku vizitat kanë për qëllim vetëm ndarjen e dhimbjes. Por, ashtu sikur edhe në çdo rast tjetër, shpresoj më së shumti sot, Serbia të ketë marrë mesazhinn e qartë që edhe në rrethana gati të pamundura nuk do t’ia dalin të ndajnë as koordinimin politik, e aq më pak lidhjen tonë shpirtërore”, ka shkruar Sinani.