Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Risques liés à « El Niño » : des experts demandent aux institutions de protéger les cultures agricoles

Dégâts agricoles à Istog - causés par la grêle

Photo : illustration

Paralajmërimet e Organizatës Botërore Meteorologjike për fenomenin klimatik “El Niño”, duhet ta vënë në lëvizje edhe Kosovën, vlerësojnë ekspertët. Sipas tyre, duhet marrë masa mbrojtëse për bujqësinë dhe blegtorinë ngase priten ndryshime të theksuara klimatike

Rezana Bozhlani

Fenomeni klimatik i njohur si “El Niño”, i karakterizuar me ndryshime të theksuara klimatike, si temperatura të larta, thatësirë por edhe shi e stuhi, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, pritet të forcohet në vitet në vijim. 

Nga ky fenomen do të preket edhe Kosova, vlerëson eksperti i bujqësisë Muzafer Luma.

“Nëse iu referohemi parashikimeve klimatike të agjencisë kombëtare të SHBA-së për çështjen oqeanike dhe atmosferike vitin e ardhshëm botën e pret një ngritje e temperaturave jashtëzakonisht të larta dhe rekorde ku një prej faktorëve përpos ndryshimeve klimatike parashikon edhe zhvillimin e këtij fenomeni klimatik El Niño. Edhe pse El Niño zhvillohet në Paqësor domethënë drejtpërdrejt atakohen shtetet e Paqësorit siç janë Indonezia, Filipinet, Australia dhe disa shtete të Amerikës Latine, gjithsesi ndikimi nëse kombinohen edhe me ndryshimet klimatike do të jetë i drejtpërdrejtë edhe te ne”, ka thënë ai.

Sipas Lumës, institucionet e Kosovës duhet të përgatiten dhe të mbrojnë bujqësinë dhe fermerët, në mënyrë që të minimizohen dëmet. 

“Ne kemi  fermat tona, fermerët tanë, të cilët kanë vendosur sisteme mbrojtëse ndaj breshrit, disa e praktikojnë edhe ndaj ngricave, mirëpo, fenomenet e shpeshta të cilat po ndodhin është një kambane dhe një alarm edhe për institucionet tona që të mobilizohen që në të ardhmen dëmet të jen sa më të vogla”, ka thënë Luma.

Tregu i konsumit të produkteve bujqësore në Kosovë, dominohet nga importi dhe kështu indirekt Kosova goditet nga fenomeni El Niño. 

“Në vitin 2024, vërehet se Kosova ka importuar rreth 1.4 miliardë euro produkte bujqësore, nga kjo strukturë rreth 800 milionë euro nga vendet e BE-së, 220 milionë euro nga vendet e CEFA-s dhe vetëm 25% apo 400 milion nga vendet e treta, në vendet e treta dominon Turqia, por kemi importe edhe nga këto vende ku zhvillohet El Nino, siç janë frutat tropikale, bananet, ananasi, avokado, pastaj çaji, kakao, dhe vaji i palmës sidomos në Indonezi, dhe gjithsesi këto do preken dhe normalisht edhe do të reflektohen dhe në çmime”, është shprehur ai. 

Luma është shprehur se institucionet duhet të krijojnë strategjinë për adaptimin e bujqësisë me ndryshimet klimatike, duke investuar në sistemet e ujitjes, dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të fermerëve.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, “El Niño” është nxitur nga ujërat jashtëzakonisht të ngrohtë në Paqësorin ekuatorial qendror dhe lindor, të cilat pritet të ndikojnë në reshje. 

Ndërsa Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi, përmes një artikulli ka njoftuar, se ky fenomen përsëritet çdo dy deri në shtatë vjet, ndërsa zgjat 9-12 muaj.

El Niño në vitin 2023–2024 shkaktoi pasoja në disa pjesë të botës, veçanërisht në bujqësi, përmes thatësisë, temperaturave të larta dhe përmbytjeve. Sipas kësaj organizate, më shumë se 60 milionë njerëz u prekën nga pasojat e këtij fenomeni. Në disa vende të Afrikës Jugore, thatësira shkaktoi humbje të kulturave, ndërsa në disa zona 40 deri në 80% e misrit u dëmtua.