Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Robertson et Foster écrivent aux partis kosovars : Donnez la priorité à l’avenir du peuple.

Lord George Robertson et Paul Foster

Lord George Robertson et Paul Foster

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson dhe ish-inxhinieri i ushtrisë britanike që shërbeu në Kosovë, tash deputet, Paul Foster, u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për zgjidhjen e çështjes së presidentit dhe formimin e një qeverie funksionale.

Në një deklaratë drejtuar Kuvendit të Kosovës, të siguruar nga KOHA, Robertson dhe Foster, të cilët e kanë cilësuar veten miq të hershëm të Kosovës, kanë kërkuar nga të gjithë deputetët dhe liderët politikë që të angazhohen për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Si miq të hershëm të Kosovës, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe udhëheqësve në të gjithë spektrin politik që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur çështjen e Presidencës dhe për të formuar një qeveri plotësisht funksionale pa vonesë të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Ata kanë paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm institucional mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të largojë vëmendjen nga çështjet kryesore për vendin, si siguria, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane.

“Kosova ka demonstruar vazhdimisht guximin, qëndrueshmërinë dhe shpirtin demokratik të popullit të saj. Këto arritje tani duhet të shoqërohen me një lidership politik të barabartë me momentin. Bllokimi i vazhdueshëm institucional rrezikon dobësimin e besimit të publikut dhe largimin e vëmendjes nga prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: siguria, mundësitë ekonomike, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane e Kosovës”, kanë thënë ata.

Robertson dhe Foster kanë theksuar gjithashtu se situata aktuale zhvillohet në një kohë të pasigurisë së shtuar globale dhe rajonale, duke vënë në pah sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Dy zyrtarët britanikë kanë bërë të qartë se nuk synojnë t’u tregojnë përfaqësuesve të Kosovës se kush duhet ta udhëheqë vendin, duke theksuar se kjo çështje u takon institucioneve kushtetuese dhe përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Megjithatë, ata u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të zgjedhin presidentin në përputhje me Kushtetutën, si dhe të formojnë sa më shpejt një qeveri të qëndrueshme.

Duke cituar thënien e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy (“Le të mos kërkojmë përgjigjen republikane ose përgjigjen demokratike, por përgjigjen e duhur”), Robertson dhe Foster kanë përcjellë mesazhin se në rrethanat aktuale politike në Kosovë duhet të mbizotërojë ajo që është në interes të vendit.

“Në rrethanat aktuale të Kosovës, përgjigjja e duhur është ajo që e vendos vendin, popullin e tij dhe të ardhmen e tij në radhë të parë”, thuhet në deklaratë.

Në fund, ata kanë thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale, të afta për të qeverisur, mbrojtur interesin kombëtar dhe avancuar Kosovën drejt Evropës dhe komunitetit më të gjerë demokratik.

“Ne shpresojmë sinqerisht që një zgjidhje të mund të arrihet shpejt dhe në frymën e bashkëpunimit”, kanë përfunduar Robertson dhe Foster.

Kosova ende nuk i ka formuar institucionet pas zgjedhjeve që u mbajtën më 7 qershor. Nesër do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarët. Sipas radhës, më pas formohet Qeveria e zgjidhet presidenti. Megjithëse votat për qeveri, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, i ka, ngërçi vazhdon të mbetet te emri i presidentit.