Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Rama affirme qu'ils ont commencé à créer une nouvelle entreprise de nettoyage pour Pristina.

cadre

Photo de : Driton Pacharada

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se komuna ka vendosur për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën. Këtë ai ka thënë se e kanë vendosur, pas bllokimit të projektit me vlerë 74.1 milionë eurosh me Bankën Gjermane për Zhvillim, bllokim për të cilin e ka akuzuar nivelin qendror.

Rama në një konferencë për media deklaroi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati ka deklaruar se projekti me KfW-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Sipas saj, faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Ndërkaq faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

“Më 26 shtator 2024, KfW-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfW-së, e dërguar më 15 maj 2026. për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi ka thënë se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Ka deklaruar se aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Rama tutje ka thënë se punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë duke shtuar se ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.