Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Rama a l'intention de créer une nouvelle entreprise de gestion des déchets à Pristina, mais LVV ne la soutient pas.

Progrès Rama

Kryetari i Prishtinës, ka njoftuar se të premten në Asamblenë e Kryeqytetit do të votohet një prej vendimeve që sipas tij është shumë i rëndësishme për Prishtinën, themelimi i kompanisë komunale “Pastrimi”. Ai ka thënë se kjo do ta zgjidhë problemin me bërllok në Prishtinë. Por asambleistë të LVV-së kanë dalë kundër idesë së tij, duke thënë se Prishtina dhe komunat përreth kanë një kompani që e kryen këtë punë

Rezna Bozhlani

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar themelimin e një kompanie të re komunale për pastrimin e qytetit, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media, të enjten, Rama ka thënë se çështja e mbeturinave është një prej problemeve më serioze me të cilat përballet Prishtina dhe ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si problem politik.

“Të ndodhur para këtij absurditeti dhe gjendjes alarmante me mbeturina, ne kemi vendosur që ta krijojmë ndërmarrjen e re komunale të pastrimit njëjtë si komunat tjera, ajo e Fushë-Kosovës dhe e Obiliqit”, ka thënë Rama.

Rama u ka bërë thirrje veçanërisht asambleistëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal që ta votojnë propozimin për themelimin e kompanisë së re.

Kryetari Rama sërish ka kritikuar ministrin në detyrë Hekuran Murati, pasi sipas tij, ai e ka bllokuar projektin për menaxhimin modern të mbeturinave me financim nga KFW-ja.

Ai ka thënë se nuk e kupton arsyen e bllokimit të një projekti që, sipas tij, do të ishte në interes të qytetarëve të Prishtinës.

Por në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se formimi i kompanisë së re nuk është zgjidhje.

“Ne nuk kemi qenë kundër, as në legjislaturën e kaluar, nuk jemi as tash. Por domethënë ka qenë një kontratë që ka bërë bashkë PDK-në dhe LDK-në, në legjislaturën e kaluar që i ka dhënë favore kompanive private, për ta falimentuar tani kompaninë “Pastrimi”. Se sa do të zgjasë tani kjo, mendoj që do të shkojë një kohë bukur e gjatë, por më së shumti i dëmton qytetarët e Prishtinës sepse edhe tani Prishtina është shumë e papastër edhe kur falimenton Kompania ‘Pastrimi’ këtu do të jetë tmerr”, ka thënë asambleisti i LVV-së, Enver Redenica.

Redenica ka thënë se në rast të falimentimit të kësaj kompanie, ata që pësojnë janë punëtorët që punojnë në të.

“Në anën tjetër i kemi mbi 600 punëtorët që mbesin pa punë aty, nuk e besoj që të gjithë do të gjejnë vend të punës për një kohë të gjatë Ndoshta tre-katër muaj deri sa të formohet kompania e re”, ka thënë ai.

Më 27 gusht kryetari Rama së bashku më kryetarin e Komunës së Drenasit dhe atë të Lipjanit janë pajtuar që përgjegjësia e pastrimit të kthehet te komunat.

Kjo nisëm nuk ishte përkrahur nga komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Fushë-Kosova, Podujeva dhe Obiliqi.

Për të gjitha këto komuna, menaxhimin e mbeturinave e bën kompania “Pastrimi”, e cila tash e një kohë ndodhet në krizë të madhe financiare e organizative.