Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Qorrolli : Le PDK exerçait une pression plus forte que nous, ils avaient la loi et nous ne voulions pas d’élections.

Vigan Qorrolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se për kompromisin e arritur në minutat e fundit për zgjedhjen e presidentit, presion më të madh e kishte Partia Demokratike e Kosovës sesa partia të cilës ai i takon. 

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Qorrolli ka thënë se PDK-ja kishte si çështje kryesore Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa Vetëvendosje nuk dëshironte që vendi të shkonte në zgjedhje.

“Kompromisi u arrit në minutat e fundit për shkak se Partia Demokratike e kishte presionin më të madh sesa ne. Kishte Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërkohë ne s’dëshironim të shkonim në zgjedhje”, ka thënë Qorrolli.

Ai tha se çështjet ishin futur në një pako dhe se marrëveshja ishte diskutuar gjatë gjithë javës së fundit.

“Ne i futëm me një seancë, në një pako, sepse marrëveshja ishte jo vetëm atë ditë, por vijimisht gjatë javës së fundit. Nuk mund të thonë se z. Kurti nuk ka dëshiruar të arrijë marrëveshje apo që z. Kurti ka dëshiruar zgjedhje për shumë arsye”, ka theksuar ai. 

Sipas Qorrollit, në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje, përgjegjësia do të duhej të ndahej mes dy partive më të mëdha opozitare.

“Z. Kurti ka hyrë në negociata shumë më herët me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe nëse sot do të kishim zgjedhje, do të duhej të fajësoheshin barabartë PDK-ja dhe LDK-ja, sepse e dërgonin vendin në zgjedhje për qëllime tekanjoze, për qëllime të papërshtatshmërisë së tyre politike”, është shprehur Qorrolli.

Sa i përket Ligjit për Dhomat e Specializuara, Qorrolli ka thënë se do të kishte preferuar që të kishte më shumë kohë për hartimin dhe shqyrtimin e tij, përfshirë edhe përfshirjen e grupeve punuese.

“Dëshira ime më e madhe do të ishte që të kishim kohë më shumë për Ligjin, ku do të kishim edhe grupe punuese”, ka deklaruar Qorrolli.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka qenë plotësisht e bindur me qasjen e PDK-së.

“Kam thënë se nuk jemi të bindur në qasjen e PDK-së, por ne po ua bëjmë këtë favor për arsye se ju po e kërkoni. Ne do të duhej të kishim shumë më shumë kohë, të paktën disa muaj, ku ne do të ndërhynim strukturalisht për të pasur një ligj shumë të mirë”, ka deklaruar ai.