Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Le gouvernement prévoit de retirer à la capitale les pouvoirs liés à la police.

Police du Kosovo

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka bërë një vlerësim ex-post të Ligjit për Kryeqytetin dhe ka konstatuar se disa kompetenca që i janë dhënë me të janë antikushtetuese, e ka të tjera që autoritetet lokale nuk i kanë ushtruar. Në dokument theksohet se ligji duhet ndryshuar dhe duhet që kompetencat që lidhen me policinë dhe sigurinë publike, t’i merren kryeqytetit.

Rezana Bozhlani              

Tetë vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kryeqytetin, një nga kompetencat shtesë që i janë dhënë me të, parashihet t’i merret.

Një raport i vlerësimit ex-post nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, konstaton se kompetencat mbi Policinë janë kundërkushtetuese. Ato lidhen me formimin e policisë së kryeqytetit, me raportimin para Kuvendit Komunal dhe me të drejtën e kryetarit të komunës që t’i propozojë dy emra për drejtor.

Në komentet që Ministria e Brendshme i ka dhënë për llogari të këtij vlerësimi, thuhet se kompetencat bien ndesh edhe me praktikat ndërkombëtare.

“Krahasimet dhe argumentet të cilat ne i kemi dëgjuar deri më tani kryesisht flasin për shtete me organizim shtetëror Fedarativ apo jo unitar të cilat nuk i përshtaten modelit të Kosovës. Në Kosovë nuk mund të zbatohen modelet e organizimit policor nga këto vende të cilat kanë disa organizata policore të cilat janë të pavarura nga njëra tjetra. (shembull për ne nuk mund të merren modelet në Britani të Madhe, Gjermani, Zvicër etj)”, thuhet në komentet e MPB-së. 

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Valdet Hoxha, vlerëson se duhet eliminuar konfliktin në kompetenca. 

“Grupi punues do duhej, unë konsiderojë se do duhej të rekomandonte eliminim e këtyre kolizioneve, harmonizimin e neneve të caktuara mes ligjit të policisë dhe ligjit të kryeqytetit, me qëllimin e vetëm që kjo strukturë policore pra kjo kompetencë ekskluzive e kryeqytetit, përveç tjerash edhe në sferën së sigurisë publike, të materializohet sepse është në interes të qytetarëve në rend të parë për sigurinë”, u shpreh Hoxha. 

E, juristi Shkëlqim Jakupi vlerëson se themelimi i një policie të pavarur lokale nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën.

“Në këtë ligj parashihet themelimi i një drejtorie të veçantë policore për Prishtinën. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme asnjëherë nuk ka shprehur vullnet për impelmentimit të kësaj dispozite në qytetin e Prishtinës, derisa Komuna e Prishtinës në anën tjetër konsideron që i lejon apo do duhej t’i lejonte themelimin e një police lokale të kryeqytetit, konsideroj që një gjë e tillë nuk është në frymën e kushtetutës dhe as ligjit për Prishtinën”, theksoi Jakupi. 

Vlerësimi ex-post që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia ka bërë Ligjit për Kryeqytetin, thekson se disa nga kompetencat shtesë dhe obligimet nuk janë ushtruar nga autoritetet e Prishtinës. Ato kanë të bëjnë me nivelin sekondar shëndetësor dhe me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit Komunal.

Juristi Jakupi thotë se edhe kur është hartuar e miratuar, ligji nuk ka pasur qëllim t’i japë kompetenca kryeqytetit, të cilit Kushtetuta i jep status të veçantë. 

“Ky ligj është bërë për shkak të konsumimit elektoral kinse të përmbushim gjithmonë një kusht ligjor, siç është ligji për Prishtinën dhe asnjëherë nuk është fiksuar politika, qeveria apo kuvendi në përmbajtjen e këtij ligji”, shtoi Jakupi. 

Në vlerësimin e Ministrisë është thënë se Ligji për kryeqytetin duhet t’u nënshtrohet ndryshimeve.