Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Le projet d'hôpital de Pristina est de nouveau soumis à l'Assemblée municipale, mais sans l'autorisation du ministère de la Santé.

Assemblée municipale de Pristina

Photo : illustration

Photo de : Driton Pacharada

Projekti për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës vazhdon të mbetet i bllokuar, ndonëse ditë më parë u rikthye në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Me 20 vota për dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi projektin, por pa të dhëna detaje.

Sipas Ligjit për Kryeqytetin, Prishtina ka kompetencë për kujdesin shëndetësor të nivelit të dytë dhe është e obliguar të themelojë Spitalin e Përgjithshëm.

Por, për ta funksionalizuar atë, sipas Ligjit për Shëndetësinë kërkohet që institucionet shëndetësore të licencohen nga Ministria e Shëndetësisë para se të fillojnë punën.

“Të gjitha institucionet shëndetësore mund të fillojnë punën vetëm pas licencimit nga Ministria ose nga organi i autorizuar prej saj, në pajtim me aktin nën-ligjor të nxjerrë nga Ministria, që përcakton
kushtet specifike për punë sa i përket: hapësirës, kuadrit profesional, dhe pajisjeve medicinale”, thuhet në ligj.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka qenë pjesë e kësaj nisme të Komunës, ndonëse për funksionalizimin e spitalit kërkohet edhe licencimi nga kjo ministri.

Komuna ka ndarë 1 milion euro për projektin në buxhetin e vitit 2026, ndërsa edhe pas më shumë se tre vjet pas paralajmërimit për nisjen e punimeve, në parcelën prej rreth katër hektarësh në zonën “Prishtina e Re” ende nuk ka nisur ndërtimi.

Për hapat fillestarë të projektit, më herët ishin ndarë edhe 2.8 milionë euro nga buxheti i shtetit.

E nevoja për një spital të nivelit të dytë në kryeqytet mbetet e madhe.

Bujar Vitia, njohës i çështjeve të shëndetësisë, thotë se Prishtina është e vetmja komunë në Kosovë që nuk ka spital të nivelit sekondar.

“Qytetarët e Prishtinës konkurrojnë për shërbime në QKUK me të gjithë qytetarët e Kosovës. Hynë në një listë me të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse QKUK-ja është i vetmi nivel terciar në Kosovë dhe është qendër referente për të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe qytetarët e Prishtinës që kanë nevojë për shërbime sekondare, hyjnë në një listë me ata që kanë nevojë për shërbime terciare”, ka thënë ai.

Plani i detajuar parasheh që spitali të ketë rreth 200 deri në 300 shtretër, të përfshijë klinika si Kirurgjia, Pediatria, Gjinekologjia dhe Urgjenca, si dhe të hapë rreth 400 vende të reja pune për stafin shëndetësor.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, lidhur me kapacitetet dhe rolin e këtij institucioni në realizimin praktik të projektit.

SHSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet konkrete.

Iniciativa për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës ka nisur qysh më 2014. 

Pavarësisht kornizës ligjore dhe nevojës emergjente, projekti është përballur me vonesa të njëpasnjëshme ndër vite.