Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Des affrontements ont éclaté au sujet de l'urgence de l'Assemblée.

l'affaire du président

Photo de : Driton Pacharada

Para takimit mes Kurtit dhe Hamzës, ka pasur polemikë në distancë lidhur me prioritetet që duhet t’i ketë Kuvendi. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se është urgjente të zgjidhet presidenti, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet. Asaj i është kundërpërgjigjur nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur, duke theksuar se UÇK-ja është prioritet dhe ka bërë thirrje për votim me urgjencë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar si më me prioritet zgjedhjen e presidentit sesa plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, të propozuar nga PDK-ja.

Haxhiu tha të premten se, në rast se presidenti zgjidhet dhe evitohen zgjedhjet e parakohshme, do të krijohej rrethana për strategji të përbashkët mbrojtëse për ish-krerët e UÇK-së, të dënuar për krime të luftës.

“Unë kam përcjell disa qëndrime të PDK-së. Natyrisht që s’janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Për sa i përket deklaratës së Hamzës, meqë është kryetar i partisë, po e marr si të mirëqenë. Unë s’jam që të bëhen pazare për këtë çështje. Mendoj që të gjithë, me përgjegjësinë më të lartë që e kemi, duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin sesa ta votojmë ligjin”, ka thënë Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare. “Nëse zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, ta adresojmë kërkesën e Kuvendit për një strategji të përbashkët dhe për bindjen time, më e qëlluar është një strategji e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe të përgatitemi dhe të jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit sesa të procedojmë nisma që edhe ata vetë e dinë se mund të mos çojnë askund”.

Haxhiu tha se edhe vetë ish-krerët e UÇK-së që janë dënuar në shkallë të parë në Hagë, nuk do ta ndjenin se e kanë mbështetjen e shtetit nëse vendi do të shkonte me vetëdije të plotë në zgjedhje të parakohshme.

“Edhe pas zgjedhjeve, situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash, pse duhet për të dytën herë të na çojë në zgjedhje çështja e presidentit? Prandaj, unë i ftoj edhe sot partitë politike, situatën e kemi të tillë që duhet të ketë vëmendje të plotë, përgjegjësi të lartë dhe konstruktivitet, në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e parakohshme. Le t’i lënë kalkulimet, le ta lënë qasjen që ata e konsiderojnë që nëse shkojmë në zgjedhje dobësohet lëvizja Vetëvendosje. Kjo natyrisht nuk do të ndodhë”, ka thënë ajo.

Haxhiut i ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit.

“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet! Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë! Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit!”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

LVV-ja kishte arritur marrëveshje me LDK-në për postin e presidentit. Këto subjekte politike ishin pajtuar që si kandidat konsensual të mbështetej profesori i Juridikut, Bekim Sejdiu, i cili ka qenë diplomat dhe ka shërbyer si gjyqtar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, LDK-ja më pas konstatoi se jo të gjithë deputetët e saj do ta votojnë, e për rrjedhojë u konstatua se mungon numri minimal me të cilin bëhet kuorumi, pra prej së paku 80 deputetësh, që do të garantonin pjesëmarrjen në votim. Pas kësaj, Sejdiu tërhoqi gatishmërinë për kandidim.

Por, Haxhiu ka insistuar se Sejdiu mund të rikthehet në garë.

“Është tërhequr nga gara, sepse s’e ka pasur mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Ne s’jemi tërhequr nga marrëveshje, dhe jam e bindur se nëse ka deklarim se do të qëndrojnë në sallë, jam e bindur se Sejdiu do të rikthehet. Unë mendoj që nëse ka garanci se janë 2/3 në Kuvend, mendoj që ai do të rikthehet. Kam vlerësuar që ai të jetë kandidat i përbashkët i LDK-së dhe LVV-së. E çmoj integritetin e lart profesional dhe moral të Sejdiut, prandaj e kam konsideruar se një figurë e tillë është pikërisht për këtë pozicion. Megjithatë çështjen e negociatave e drejton kreu i LVV-së, (Albin) Kurti dhe nga këto takime mund të dalin çështje që janë të rëndësishme dhe për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Gabimi më i madh do të ishte që ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Datën duhet ta shpallë ushtruesi i detyrës së presidentit, por Haxhiu ka shprehur dilemë nëse mund ta bëjë këtë, meqë dy ditë më herët do të bëhen 6 muaj prejse ajo e ushtron detyrën e të parës së shtetit. Ndërkaq, Kushtetuta nuk tregon si duhet vepruar, pasi të përfundojë kjo periudhë.

Ajo ka paralajmëruar se mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses sa i përket mandatit për t’i shpallur zgjedhjet.

“Sa i përket mandatit tim, Kushtetuta nuk flet për këtë çështje. Realisht flet që ushtruesi i detyrës nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj. Ka pasur interpretime të ndryshme, kanë përmendur çështjen e parimit të vazhdimësisë institucionale dhe të tjera si këto. Unë kam pritur që meqë Gjykata Kushtetuese e ka marrë rolin e shkrimit së Kushtetutës, përkatësisht po bën nene pa qenë fare në Kushtetutën e Kosovës, kam pritur që në Aktgjykimin e fundit do ta trajtojnë edhe këtë aspekt, mirëpo nuk e kanë trajtuar fare, pra s’kanë folur në asnjë prej pikave aty për këtë çështje. Jam duke e trajtuar që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, megjithatë nuk kam vendosur ende”, ka thënë Haxhiu. “Po pres të marr një sugjerim nga ekipi im që është i angazhuar në këtë drejtim, prandaj edhe do të njoftoheni me kohë që të veproj. Uroj që të mos vijmë në situata që të mos kemi ushtrues detyre edhe pas 6 tetorit. Uroj që të kemi president me mandat 5-vjeçar”, tha Haxhiu.

Pas zgjedhjeve të rregullta nacionale të shkurtit të 2025-s, në Kosovë janë organizuar edhe dy palë zgjedhje të parakohshme. Në dhjetor shkaku i moszgjedhjes së Qeverisë, e në qershorin e sivjetmë shkaku i dështimit të deputetëve për ta zgjedhur presidentin.