Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

La manifestation du 1er octobre est commémorée

La manifestation du 1er octobre est commémorée

Saktësisht 29 vjet më parë, studentët dolën në protestë paqësore në Prishtinë, duke kërkuar kthimin në objektet arsimore. Protesta u shtyp dhunshëm nga forcat serbe. Në shënim të 1 tetorit 1997, Rektorati organizoi aktivitete përkujtimore, përfshirë ndarjen e çmimit “Hasan Prishtina” e u bënë homazhe për studentët dëshmorë

Mijëra studentë, para 29 vjetësh, kërkuan rikthimin e tyre në universitet, duke marshuar nga Velania drejt hapësirave universitare, nga të cilat ishin dëbuar nga regjimi i Serbisë.

Për nder të 1 tetorit, ditës që kujton demonstratat studentore të vitit 1997, u mbajtën një sërë aktivitetesh të organizuara nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP).

Aktivitetet nisën me ndarjen e çmimit “Hasan Prishtina” për 33 studentë të dalluar të UP-së, përfshirë edhe medalistet e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, Donjeta Sadiku dhe Flaka Loxha.

Aktivitetet vazhduan edhe te pllaka përkujtimore kushtuar 12 studentëve dëshmorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.

“Ne sot, në shenjë kujtimi e respekti, me përulësi e mirënjohje i kujtojmë të gjithë ata që kanë dhënë jetën për ditën, për lirinë që gëzojmë ne sot”, tha Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës.

Ish-dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Sadik Krasniqi, i cili është edhe iniciator për vendosjen e pllakës përkujtimore, thotë se ndihet i emocionuar sa herë që i sheh emrat e ish-studentëve të rënë.

“Këta studentë të rënë dëshmorë, emrat e tyre janë vulë dëshmie e të gjithë kontributeve të jashtëzakonshme që janë dhënë për lirinë e sotme”, ka thënë ai.

Homazhe u bënë edhe te varri i rektorit Ejup Statovci, i cili bashkë me përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve i pati prirë protestës që u shtyp dhunshëm nga forcat serbe.

Homazhe u bënë edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili 29 vjet më parë ishte në mesin e organizatorëve të protestës. Kurti çmoi lart kontributin dhe mbështetjen e rektorit Statovci.

“Kurrë nuk e harrojmë edhe vitin 1991, kështu që unë besoj që ai është momenti kur ai e ka dëshmuar veten në lartësinë e duhur, edhe historike do të thosha, kur e ka rifilluar Universitetin e Prishtinës, pasi që na kishin dëbuar nga objektet universitare”, ka thënë kryeministri Kurti, tek ka rikujtuar se pas dëbimit nga objektet universitare në fillim të viteve të ’90-a, shqiptarët u organizuan për t’i organizuar studimet në shtëpi private.

Njëri nga organizatorët e protestës, Driton Lajçi, thotë se para fillimit të protestave të 1 tetorit, gjendja në Kosovë po keqësohej gjithnjë e më shumë. Ai kujton disa nga momentet para protestës.

“Atë natë, para se të fillojë, para datës së 1 tetorit, flitej se është e mundur të na kidnapojnë neve forcat serbe dhe të na mbajnë diku, e me të plasuar informata se këta kanë ikur, sepse qëllimi jonë, domethënë, ishte që t’i grumbullojmë studentët, t’i vendosim, t’i dërgojmë në gojën e ujkut dhe vetë të ikim. Prandaj, unë atë natë nuk kam shkuar në banesë fare, kam fjetur në zyrën e Unionit të Pavarur të Studentëve, për t’i ikur asaj kurthe, të cilën dyshohej se do ta përgatisnin serbët. Serbët kanë bërë gjithçka dhe ishte e mundur ta bënin edhe atë”, ka thënë Lajçi.

Studentët e veshur me të bardha në vitin 1997, Lajçi i përshkruan si të rreshtuar jo për të shkuar drejt vdekjes, por për të shkuar drejt “dasmës së lirisë”.

Edhe profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj thotë se i takon gjeneratës së parë të studentëve që mësimin e kanë vijuar në shtëpi-shkolla dhe e përshkruan atë periudhë si mjaft të vështirë.

“Protestat e studentëve në vitin 1997 kanë qenë ato të cilat e kanë bërë ndarjen mes robërimit dhe lirisë. Domethënë, aty është shkëputur. Pas protestës sonë, në nëntor të ’97-s, me vrasjen e mësuesit Halit Geci, ka dalë në sipërfaqe edhe Ushtria Çlirimtare dhe prej aty, domethënë, çdo gjë ka marrë drejtim tjetër. Edhe ka pasur rëndësinë për këtë shkëputje që është bërë, po edhe në arenën ndërkombëtare, që kemi arritur me ngritë zërin edhe me u dëgju edhe atje”, ka thënë Shahini Hoxhaj.

Policia serbe e shpërndau protestën me dhunë, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës, ndërsa disa prej organizatorëve u arrestuan.

Kjo datë i parapriu ngjarjeve të tjera historike, ndërsa protestat studentore vazhduan edhe më pas.

Më 28 nëntor 1997, më pak se dy muaj pas protestës studentore, pjesëtarë të UÇK-së u shfaqën për herë të parë publikisht, në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt.