Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Pour remporter l'appel, des changements législatifs, une expertise internationale et la diplomatie sont proposés.

thaci - veseli - selimi - krasniqi haga spécialja

Pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, juristë dhe ish-deputetë kanë propozuar hapa për fazën e apelit. Ndryshime ligjore, zgjerim të ekipeve të mbrojtjes dhe angazhim diplomatik janë disa nga propozimet, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një strategji shtetërore

Ndryshime ligjore, forcim të ekipeve mbrojtëse dhe angazhim diplomatik janë disa nga propozimet pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara, Betim Shala, ka ngritur çështjen e përputhshmërisë së ligjit me të cilin është themeluar Gjykata Speciale me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimet e së drejtës penale.

Ai ka kërkuar që këto dispozita të harmonizohen.

“Konsideroj që një mori dispozitash që janë në ligjin me të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria Speciale me seli Hagë, ka bajagi dispozita që nuk janë në harmoni me kushtetutën e në anën tjetër nuk janë në harmoni edhe me parimet kryesore të së drejtës penale, si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Shala ka kërkuar gjithashtu zgjerimin e ekipeve të mbrojtjes, në mënyrë që të përgatitet dhe të përfaqësohet rasti në procedurat e apelit.

E avokati Skënder Musa ka propozuar ndryshime në kuadrin ligjor që lidhet me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Është koha dhe momenti që kjo Gjykatë t’i japë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe prokurorët special t’i japin përgjegjësi Këshillit Prokurorial të Kosovës”, është shprehur Musa.

Ish-deputeti Ilir Deda e ka parë si hap të parë nevojën për një marrëveshje politike për stabilizimin institucional të vendit, pas së cilës, sipas tij, mund të ndërmerren hapa të tjerë. Deda ka kërkuar rritjen e fondit për ekipet e mbrojtjes dhe angazhimin e një grupi të pavarur ekspertësh ndërkombëtarë për analizimin e aktgjykimit dhe dosjes së gjykimit, në bashkëpunim me mbrojtjen. Ka propozuar edhe angazhim diplomatik për sigurimin e dokumenteve që mund të jenë relevante për procesin e apelit.

“Përmes kanaleve diplomatike duhet të kërkohet nga NATO-ja, OSBE-ja dhe ish-Misioni Verifikues në Kosovë, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet e tjera të përfshira gjatë luftës që t’i hulumtojnë arkivat e tyre dhe, kur është e mundshme, t’i deklasifikojnë apo t’ia dorëzojnë mbrojtjes dokumentet relevante”, ka thënë Deda.

Këto propozime janë bërë pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët të mërkurën në Hagë janë dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

E gjatë vizitës në SHBA, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një strategjie shtetërore për reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

“Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm”, ka thënë Kurti.

Që nga shpallja e aktgjykimit, në Prishtinë janë organizuar protesta çdo ditë.