Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

L'initiative spéciale pour l'indemnisation des victimes est considérée comme prématurée.

Tribunal spécial de La Haye

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nisur procedurën për kompensimin e viktimave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo çështje ka ngritur pikëpyetje juridike. Juristët kanë mendime të ndryshme nëse kjo procedurë duhet të nisë para se vendimi të bëhet i formës së prerë

Nisja e procedurës për kompensimin e viktimave nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është cilësuar e parakohshme. 

Sipas disa juristëve, për të nisur një procedurë të tillë, vendimi duhet të jetë i formës së prerë.

Vendimi për nisjen e procedurës për reparacionet është marrë më 16 shtator nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles L. Smith. Bëhet fjalë për një procedurë për përcaktimin e reparacioneve për viktimat. 

Sipas vendimit, mbrojtja ka afat deri më 22 shtator për të kundërshtuar nisjen e kësaj procedure.

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se, si rregull, procedura për kompensimin e viktimave duhet të nisë pasi vendimi penal të bëhet i formës së prerë, pasi aktgjykimi mund të ndryshojë në shkallën e dytë, pra në Gjykatën e Apelit.

“Si rregull, procesi i kompensimit të viktimave fillon pas plotfuqishmërisë së vendimit. Mirëpo, kur jemi te Gjykata Speciale, anomalitë, veprimet në kundërshtim me ligjin kanë qenë ato që e kanë karakterizuar në vazhdimësi procesin, prandaj një gjë e tillë ka qenë në vazhdimësi diçka e rëndomtë për këtë gjykatë, edhe vlerësoj që mbi të gjitha një veprim, vendim i tillë është i parakohshëm për aq kohë sa nuk kemi akoma vendim të plotfuqishëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi i Apelit mund të ndryshojë edhe bazën mbi të cilën po zhvillohet procedura për kompensimin e viktimave.

Ndryshe e interpreton këtë çështje ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani. 

Sipas tij, procedura për kërkesën pasurore-juridike mund të zhvillohet krahas çështjes penale dhe nuk është e domosdoshme të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.

“Çështja e kompensimit të dëmit të viktimave, ajo çështje është e rregulluar në të gjitha ligjet, edhe në ligjin tonë, në Kodin e Procedurës Penale, ku në një proces penal vendoset për dimensionin i cili ka karakter civil, domethënë paditë civile. Dhe qëllimi i mundësimit të realizimit të kësaj të drejte të personave të cilët janë viktima të veprimeve të paligjshme është që t’u mundësojë atyre që të realizojnë një të drejtë në procedurë penale, për t’i shmangur shpenzimet që do të krijohen pastaj me padi në procedurë civile. Mirëpo, kërkesa pasurore-juridike vendoset njëkohësisht me çështjen penale. Domethënë, nuk pritet aktgjykimi të vendosë Gjykata e Apelit, por vendoset së bashku me çështjen kryesore”, ka thënë Hasani.

Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë që Dhomat e Specializuara, për shkak të rregullave të saj të brendshme dhe specifikave të këtij procesi, të kenë përcaktuar një procedurë të veçantë për reparacionet.

Hasani thekson se baza për kompensim lidhet drejtpërdrejt me një aktgjykim dënues.

Nëse një i akuzuar lirohet nga akuza ose aktakuza refuzohet, sipas tij, ndryshon edhe baza për kërkesën pasurore-juridike.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krime lufte, duke i dënuar nën total me 81 vjet burgim.