Për zgjedhjet në Serbi janë mobilizuar të votojnë edhe serbët e Kosovës. Në veri ata kanë refuzuar të deklarojnë nëse do ta kalojnë kufirin nesër. E analisti politik, Branislav Kërstiq, ka thënë se serbët e Kosovës janë nën presionin e Listës Serbe për ta votuar partinë e Aleksandër Vuçiqit
Më shumë se 100 mijë serbë, me adresë në Kosovë, figurojnë në listën votuese të Serbisë për zgjedhjet e së dielës.
Meqë Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që shkollat e sistemit paralel të kthehen në qendra votimi, është paralajmëruar se me autobusë do të organizohet udhëtimi për në qytetet më të afërta të Serbisë.
Në veri, ku serbët janë të koncentruan, qytetarët nuk treguan nëse do të marrin pjesë në votim.
Ekipi i KOHËS të shtunën ka qëndruar në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut. Aty ka tentuar që të flasë në lidhje me zgjedhjet që priten të mbahen në Serbi në ditën e nesërme, por qytetarët nuk kanë pranuar të deklarohen për çështje politike respektivisht as për zgjedhjet që pritet që të mbahen në Serbi.
Analisti politik, Branisllav Kërstiq, ka thënë se ka presion ndaj serbëve të Kosovës për të votuar për presidentin tashmë të dorëhequr, Aleksandër Vuçiq. Ky presion, sipas tij, vjen nga Lista Serbe.
“Presion tepër serioz, mesazhe që janë duke ardhë nga kreu i Listës Serbe që janë se në qoftë se Vuçiq e humb pushtetin në Beograd ata do të anulojnë buxhetin e shtetit të Serbisë për të gjithë serbët në Kosovë që është një rrenë tepër, tepër serioze”, ka thënë Kërstiq.
Por, në Policinë e Kosovës kanë thënë të mos jenë raportuar kërcënime.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata ka qenë stabile edhe gjatë kohës sa ka qenë fushata zgjedhore në Serbi.
“Nuk ka ndonjë problem për ta theksuar. Ndërsa, nuk ka efekt që kanë krijuar zgjedhjet që mbahen në Serbi. Siç e dini ju, ne nuk e kemi lejuar mbajtjen e fushatës zgjedhore këtu në Kosovë dhe nuk kemi pas ndonjë problem për ta theksuar”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë në veri.
Elshani nuk ka shprehur pritjen se mund të ketë ndonjë problem as të dielën në kufi, kur pritet të rritet fluksi.
“Në momentin që në zonat kufitare ose në pikat kufitare ka grumbullime të veturave, automjeteve, autobusëve nuk është me rendësi se çka, atëherë shtohet numri i policëve dhe bëhen dy-tri linja të kalimit kufitar. Kështu që nuk ka ndonjë problem që ka mundësi me ndodhë”, ka thënë ai.
Në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë fituar kandidatë të Listës Serbe. Kjo parti mban edhe nëntë prej dhjetë ulëseve në Kuvend. Kryetari i saj, Zllatan Elek, la postin e deputetit në Kosovë dhe u bë kandidat i partisë së Vuçiqit.
Analisti Kërstiq ka thënë se kursi politik ndaj Kosovës mund të ndërrojë, në rast se fiton lista e studentëve.
“Jam i sigurt që ata do të jenë më pragmatik, do të pranojnë me siguri realitetin e shtetit të Kosovës, por do të insistojnë në obligimet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në ato marrëveshje që do të thotë vetëmenaxhimi për serbët edhe pozita të barabarta me qytetarët në shtetin e Kosovës”, ka thënë Kërstiq.
Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka prodhuar ndonjë rezultat, prej 2023-s, kur serbë të armatosur mësynë aneksimin e veriut të Kosovës nëpërmjet sulmit terrorist në Banjskë. Milan Radoiçiq që e mori përsipër sulmin, ka qenë aktiv në fushatën e Vuçiqit, ndonëse ka fletarrest ndërkombëtar.