Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka fajësuar ndryshimin e orarit të operimit nga Kompania për Menaxhim të Deponive në Kosovë me grumbullimin e mbeturinave në kryeqendër.
KRM “Pastrimi” në një postim në Facebook ka thënë se nga 1 tetori KMDK ka vendosur mbylljen e deponisë në Mirash nga ora 00:00.
“Ky ndryshim ka pamundësuar dhe do të pamundësojë edhe në ditët në vazhim që të përfundohet cikli i planifikuar i operimit gjatë orëve të natës. Shërbimi grumbullimit të mbeturinave kërkon orarin e pandalshëm për 24h, siç kemi operuar deri në tani. Sqarojmë se menaxhimi i deponisë nuk është në kompetencë të KRM “Pastrimi”. KMDK është ndërmarrje publike qendrore dhe funksionon e pavarur nga KRM “Pastrimi””, ka njoftuar “Pastrimi”.
“Pastrimi” ka thënë se mbetet i angazhuar për të rikuperuar vonesat dhe prë të vazhduar sa më shpejt, që të minimizohet çdo ndikim te qytetarët.
“Pavarësisht kësaj situate, ekipet tona mbeten të angazhuara maksimalisht për të rikuperuar vonesat dhe për të vazhduar shërbimin sa më shpejt, me qëllim që të minimizohet çdo ndikim për qytetarët dhe shëndetin publik. Sikurse që ju njoftojmë që jemi në komunikim të vazhdueshëm me Deponinë për të gjetur një zgjidhje”.
Në disa lagje në kryeqytet janë grumbulluar mbeturinat me ditë.