Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

IKL : La Constitution est protégée en mettant fin à la violation.

Kuvendi au Kosovo

Photo de : Driton Pacharada

Kushtetuta nuk mbrohet duke e mbajtur Kuvendin të pakonstituuar për shkak se afati për konstituim tashmë është shkelur, por mbrohet duke i dhënë fund shkeljes, ka vlerësuar Instituti i Kosovës për Drejtësi në një reagim të martën në mëngjes.

Tek e ka cilësuar pozitive gatishmërinë e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike për të marrë pjesë në seancën konstituive të legjislaturës së 11-të, të ftuar për 9 shtator, IKD-ja ka thënë konstatimi se ka shkelje kushtetuese nuk nënkupton se ajo duhet të vazhdojë.

IKD-ja e ka vënë përgjegjës për moskonstituim kryesuesin e seancës konstituve Avni Deharin dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve.

“Fakti se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shkelur nuk është çështje hipotetike. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Është fakt notor se përgjegjësia për këtë situatë i vie në barrë z. Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët qëllimshëm përmes veprimeve dhe mosveprimeve pamundësuan konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Pasojat e kësaj sjelljeje kanë shkuar përtej mosrespektimit të një afati. Për javë të tëra, deputetët të cilët kishin dhënë betimin nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë në plotësi mandatin e tyre kushtetues. Kuvendi nuk ka qenë funksional, ndërsa përfaqësuesve të zgjedhur të popullit u është kufizuar mundësia për ta ushtruar funksionin për të cilin kanë marrë mandatin. Në këtë mënyrë është cenuar funksionimi i demokracisë përfaqësuese dhe është penguar funksionalizimi i institucioneve që burojnë nga vota e qytetarëve”, thuhet në reagim të IKD-së.

Sipas IKD-së, fakti se Kuvendi s’u konstituua brenda afatit kushtetues s’duhet të shërbejë si argument për të mos e konstituuar as pas afatit.

“Një interpretim i tillë do të prodhonte një situatë paradoksale. Shkelja e Kushtetutës do të përdorej si arsye për ta vazhduar edhe më tej pikërisht gjendjen antikushtetuese që është krijuar duke lënë Kosovën pa institucione funksionale, duke vazhduar qeverisjen me ushtrues detyre dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në reagim.

IDK-ja ka thënë tutje se shkelja dhe përgjegjësia duhet të evidentohen, e se në një demokraci parlamentare shkeljet e tilla s’do të kalonin pa pasoja politike e juridike.

Aty është thënë po ashtu se vetë Gjykata Kushtetuese nuk e ka interpretuar automatikisht si humbje të legjitimitetit të legjislaturës dështimin për ta konstituuar Kuvendin brenda afatit kushtetues.

“Për rrjedhojë, tejkalimi i afatit për konstituim, sado serioze të jetë shkelja që ka ndodhur, nuk e bën vetvetiu juridikisht të pamundur formimin e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit nga kjo legjislaturë. Prandaj, dilema sot nuk duhet të shtrohet nëse Kuvendi duhet të konstituohet pasi afati është shkelur. Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja që ka ndodhur duhet të konstatohet dhe të mos relativizohet, por ajo nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, thuhet në reagim të IKD-së.

Për seancën e ftuar më 9 shtator, IKD-ja ka bërë thirrje që VV-ja të mos bëjë “kalkulime të reja politike me konstituimin e Kuvendit”.

“Kosova ka humbur tashmë kohë përtej afatit kushtetues. Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e deritanishme, vetëm e thellon atë. Në këtë situatë, kur Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar sanksionin kushtetues dhe rasti nuk ka shkuar përsëri për vlerësim në këtë Gjykate, nuk ka rrugë tjetër pos se të vazhdohet tutje. Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t'i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta nuk mbrohet duke e mbajtur Kuvendin të pakonstituuar për shkak se afati për konstituimin e tij tashmë është shkelur. Kushtetuta mbrohet duke i dhënë fund shkeljes dhe duke rikthyer institucionet në funksion”, thuhet tutje në reagim.

Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit ka kaluar afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituim që prej ditës së certifikimit. Partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi kryesuesin e seancës Avni Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, për mosftesën e seancës. Në dy raste, deputetët u mblodhën për konstituim, por kryetari i VV-së, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, pa marrëveshje për presidentin zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme. Seancat në fjalë ishin mbajtur përtej afatit 30 ditor, e tashmë kanë kaluar edhe 30 ditë të tjera. Dehari e ka ftuar për 9 shtator vazhdimin e seancës, pas marrëveshjes VV-LDK për presidentin, sado që 6 deputetë të LDK-së kanë dalë kundër dhe numrat aktualisht nuk mjaftojnë për votim në dy rundet e para.