Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, pas votimit të ndryshimeve të Ligjit për Specialen dhe votimit të presidentes Justina Shiroka-Pula, ka bërë thirrje për “opozitë të fortë e të pathyeshme”.
Aleanca e mbështeti ndryshimin e ligjit për Specialen. E pas dakordimit të Vetëvendosjes me Partinë Demokratike, Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente.
Megjithatë, sipas Haradinajt, “punët mbesin të pakryera”.
“Një punë e rëndësishme është përballja e keqqeverisjes në vend. Në demokraci qytetari ka nevojë për opozitë të vërtetë, të fortë. Ta ndihmojmë krijimin e mirëfilltë të një opozite të fortë e të pathyeshme. Aleanca është e gatshme të marrë përgjegjësinë bashkë me ju që ta përballim keqqeverisjen në interes të popullit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Opozita nuk qe njëzëri as në këto dy çështje. Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 deputetë nuk mbështeti asnjërin votim.
Aleanca i ka 7 deputetë në Kuvend, ndërsa PDK-ja mbetet partia më e madhe opozitare me 22.