Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Emini : Abdixhiku a fait passer les députés du LDK avant l'acte commis.

Donika Emini

Donika Emini ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka vendosur para aktit të kryer deputetët e kësaj partie kur sot në konferencë për media ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president. 

Emini, që është eksperte e politikës së jashtme, ka thënë vetë fakti se nuk janë konsultuar deputetët e LDK-së për marrëveshjen nënkupton se ai po i vendos para aktit të kryer. 

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do ta votojë Sejdiun për president dhe se nuk ka pasur konsultime paraprake në parti për këtë. 

“Kjo më shumë reflekton dinamikat brenda partiake. Nuk është hera e parë që z. Hoti ka pakënaqësi me z. Abdixhiku. Është shkaku i mënyrës se si janë përjashtuar me gjasë nga procesi negociues. Meqë ata dhe burime tjera nga partitë treguan se nuk ka pasur pajtim paraprak me bashkëpartiakë, sidomos me ata që janë deputetë e vota e tyre duhet. Por, nuk e di sa ishte e mundur të ketë marrëveshje po të kishte proces konsultimi. Qartazi ka probleme të brendshme në LDK, e ky ndoshta është veprim politik i Abdixhikut që tregon se është lider i partisë dhe partia me të shkon në këtë kurs. Po absolutisht deputetët e LDK-së u vendosën para aktit të kryer, me faktin se nuk janë konsultuar dhe s’u mor pëlqimi i tyre”, tha Emini në “Interaktiv” të KTV-së. 

Emini ka thënë se është e vështirë të gjendet një president konsensual që do të pëlqehet nga të gjithë 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ajo thotë se edhe deputetët e PDK-së e Aleancës nuk kanë arsye për të mos e votuar Sejdiun, por thotë se dinamikat politike mund të mos e lejojnë këtë. 

Ajo thotë se partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar kanë probleme të dukshme të brendshme. 

“Zgjedhjet s’i konvenojnë askujt. Këto parti kanë probleme të dukshme të brendshme, ideologjike, me lidership dhe orientim politik. Duket se e kanë humbur kauzën politike përtej atyre që i kemi parë deri tash. Duket se vetëm z. Kurti ka projekt politik e të tjerët po luajnë një lojë komplet të çorientuar dhe pa objektiv. Zgjedhjet e ardhshme prapë do të prodhonin rezultat të ngjashëm. Kemi parë mjaft rezultate të zgjedhjeve për ta bazuar këtë”, tha Emini.