Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

Soixante jours sans réponse aux allégations portées contre le président Rama, l'AIP dépasse le délai légal.

Progrès Rama

Dy kallëzime penale dhe dosje të bazuara në materialet e dy sinjalizuesve, me pretendime për parregullsi dhe keqpërdorime që lidhen me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të kabinetit të tij, kanë mbetur pa përgjigje konkrete nga institucionet. Pa përgjigje ka mbetur edhe ankesa drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi lidhur me mostransparencën e institucioneve. Edhe AIP-ja ka tejkaluar afatin ligjor për kthimin e përgjigjes

Kanë kaluar 60 ditë nga dorëzimi i kallëzimit penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, por ende nuk ka një përgjigje konkrete nga Prokuroria.

Kallëzimi penal është dorëzuar më 30 korrik nga asamblistët e Vetëvendosjes, ndërsa më 26 gusht në Drejtorinë Hetimore të Prishtinës janë dorëzuar edhe dosje të tjera.

Të dyja rastet bazohen në materiale të siguruara nga dy sinjalizues.

Në komunikime dhe dokumente pretendohet për parregullsi dhe keqpërdorime, si dhe legalizime të jashtëligjshme.

Pretendimet lidhen me kryetarin e Komunës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të kabinetit të tij.

Përgjatë këtyre tetë javëve, KOHA nuk ka marrë përgjigje konkrete nga Prokuroria se 
në cilën fazë ndodhet rasti, apo nëse është ndërmarrë ndonjë veprim ligjor.

Ndërkohë, shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se është njoftuar nga Kryeprokurori i Shtetit se lënda është përcjellë tek institucionet kompetente në përputhje me kompetencat ligjore.

“Unë kam pranuar një letër nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes së cilës jam njoftuar se i kanë pranuar materialet tona dhe se lëndën e kanë përcjellë sipas kompetencës lëndore te Prokuroria Speciale. Nuk kemi pasur asnjë njoftim tjetër zyrtar, as nga Hetuesia e as nga Prokuroria në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Sveçla.

Gezim Sveçla vetë pati dorëzuar dosjet e sinjalizuesit të dytë në Drejtorinë Hetimore. 

Në to flitej për dyshime lidhur me financat e kryetarit dhe për pretendime për lidhje me zyrtarë policorë, të cilët, sipas sinjalizuesit, pretendohet se kryenin punë për Ramën në mënyrë të paligjshme.
KOHA ka kontaktuar Drejtorinë Hetimore të Prishtinës dhe Inspektoratin Policor më 30 korrik dhe i ka pyetur sërish të hënën lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj këtyre pretendimeve, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as Komuna e Prishtinës tash e 60 ditë. 

Për mostransparencë, KOHA ka dërguar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Më 17 gusht, ankesa është pranuar, ndërsa më 8 shtator redaksia është interesuar për ecurinë e rastit.
Agjencia e ka arsyetuar vonesën me numrin e madh të ankesave në shqyrtim, ndonëse në këtë rast tashmë ka kaluar afati ligjor për përgjigje prej 30 ditëve, i cili përcaktohet në nenin 20, paragrafi 3 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

“Ju informojmë se aktualisht në Agjenci janë në shqyrtim një numër i konsiderueshëm ankesash të paraqitura para ankesës suaj, e të cilat presin trajtim sipas rendit kronologjik të pranimit. Për shkak të numrit të madh të lëndëve në procedurë, si dhe mungesës së burimeve të mjaftueshme njerëzore për t’i trajtuar të gjitha rastet brenda afateve optimale, aktualisht nuk është e mundur që ankesa juaj të shqyrtohet menjëherë”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Rama, përmes një reagimi në rrjete sociale, i pati quajtur të gjitha këto pretendime të fabrikuara. 

Po ashtu, më 27 gusht ka thënë se as ai dhe as zyrtarët e kabinetit të tij nuk janë intervistuar lidhur me këtë çështje.