Soutenez TIME. Préservez la vérité.
Arberi

21 autres Serbes accusés de crimes de guerre seront jugés par contumace.

séances

Një tjetër proces gjyqësor për krime lufte do të zhvillohet pa praninë e të akuzuarve. Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të hënën që kjo praktikë të ndiqet edhe me 21 të akuzuar për krime lufte në Kosovë. E sipas organit të akuzës, 4 prej 21 të akuzuarve figurojnë të vdekur

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të hënën që gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Kosovë të zhvillohet pa praninë e tyre.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, ka vlerësuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zhvillimin e seancës në mungesë dhe ka propozuar vazhdimin e shqyrtimit fillestar.

Sipas prokurorit Dema, 4 nga 21 serbët e akuzuar figurojnë të vdekur.

“Prokuroria speciale pas tre vjetëve hetim ka dorëzuar në gjykatë përmbajtjen e shqyrtimit gjyqësor në mungesë. Katër prej tyre figuron që kanë ndërruar jetë. Megjithatë, ne ende sot e kësaj dite nuk kemi pranuar dokument zyrtar që lëshohen nga institucionet kompetente”, ka thënë Dema. 

Në këtë proces, 20 avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare janë shprehur për vazhdimin e seancës në mungesë të të akuzuarve, kurse njëri ishte kundër.

E pas dëgjimit të të gjitha palëve, gjyqtarja Medie Bytyqi ka njoftuar për vendimin e trupit gjykues.

“Merr aktvendim, mbahet gjykimi në mungesë. Të akuzuarit do të përfaqësohen gjatë tërë procedurës penale nga avokatët”, ka thënë ajo.

Në fakt, seanca fillestare nisi të hënën me mbi një orë vonesë për shkak të vonesës së avokates Albana Zogiani, e caktuar sipas detyrës zyrtare si mbrojtëse e të akuzuarit Millosh Doshan. Për këtë vonesë ajo është gjobitur me 1 mijë euro.

Më pas, prokurori Atdhe Dema ka lexuar aktakuzën ndaj 21 të akuzuarve, të cilët ngarkohen për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës janar-qershor 1999.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kishin autoritet dhe kontroll mbi forcat nën përgjegjësinë e tyre dhe, sipas Prokurorisë, ishin në dijeni për veprimet e tyre, përfshirë djegien dhe shkatërrimin e pronës, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të civilëve.

Prokuroria pretendon se këto forca kanë kryer sulme ndaj zonave të banuara me shqiptarë, me qëllim të zhvendosjes së dhunshme të popullsisë, duke rezultuar me kolona të gjata që ishin të detyruara të largoheshin drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. 

Sipas aktakuzës, rreth 860 mijë persona janë dëbuar gjatë kohës së luftës.

21 të akuzuarit janë: Zlatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogolub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiçeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jeliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë në proces edhe disa raste të gjykimit në mungesë të të akuzuarve për krime lufte.