EXPRESS

“Defy Them” me kapitullin e heavy metalit

Në një kohë komercializmi kur jo pak zhanre të muzikës u venitën, “Defy Them” vjen me kontrapunkt. Qendra e cila edhe me anketë e dëshmoi se rocku – e bashkë me të edhe zhanret që dalin prej tij – po rilindin, e ka bërë këtë edhe me koncert. “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina” ka bashkuar dy bende nga Kosova dhe nga një nga Italia e Shqipëria, të cilët kanë shkundur skenën, por kanë shpalosur edhe tendencat e reja të këtij zhanri.

Para disa kohësh “Defy Them” nëpërmjet një ankete me rreth dy mijë respondentë, kryesisht të rinj, do të nxirrte se gati çereku i tyre kishin deklaruar se dëgjojnë rock. Është rocku baza e heavy metalit, e pikërisht ky zhanër ka qenë kryefjalë e së premtes mbrëma me “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina”. Nuk ka qenë vetëm dëshmi e anketës, por edhe e përplasjes së tingujve dhe shkundjes së skenës me dy grupe vendore, nga një nga Shqipëria e Italia.

Koordinatori për komunikim dhe marketing në “Defy Them”, Arbër Selmani ka konfirmuar edhe një herë vazhdimësinë e organizimeve të tilla.

“Në “Defy Them” e kemi një kulturë të prezantimit të grupeve sikurse kjo sot ku ka gjithmonë audiencë të flaktë dhe të zjarrtë kështu që sot janë katër grupe dhe është një gërshetim midis Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë. Secili grup e ka një veçanti të emocioneve dhe ndjesive që di me sjellë në skenë, kështu që sot e kemi bërë njëfarë bashkimi të metalit dhe rokut të disa vendeve këtu në këtë organizimin dhe do të vazhdojmë kështu patjetër si ‘Defy Them’”.

Italiani Daniele Armanini nga “Septem”, është shprehur i lumtur për mikpritjen e publikut, në një koncert i cili për ta ishte i pari në Kosovë.

“Kjo është hera e parë në Kosovë dhe jemi shumë të lumtur dhe krenar që jemi këtu. Është përvojë e mirë që të shkosh në vende të reja dhe të takosh njerëz të rinj. Është me të vërtetë një nderë për ne të sjellim muzikën tonë për këta njerëz. Publiku ishte i mrekullueshëm”.

Edvald Alikaj nga bendi “Morgu” nga Shqipëria është shprehur i lumtur që më në fund pati rastin të performonte edhe në Kosovë.

“Përgjithësisht jemi shumë të lumtur që po vijmë të luajmë sepse kemi kohë që duam të vijmë të luajmë këtu. Kemi pasur disa komunikime të mëhershme me grupin “Septem”. E bëmë një koncert së bashku në Itali. Mbrëmë së bashku me ta dhe një grup tjetër lokal luajtëm në Tiranë dhe më në fund ia dolëm të vijmë edhe këtu në Kosovë dhe gjetëm një atmosferë fantastike”.

Ndonëse një bend i ri i cili nuk ka mbushur ende dy vjet nga themelimi, “Solar Flare” qe e akorduar në “modern metal”. Teksa ka folur për grupin, basisti Rion Kikaj ka folur për atë që i bën të dallojnë nga të tjerët.

“Ne si grup “Solar flare” në tetor të vitit 2021. Jemi formuar si një grup shoqërie për muzikën metal që kemi dashur ta bëjmë. Për shkak se e kemi parë që në Kosovë dominon pak më shumë fryma modern dhe kemi dashur që ne ta thyejmë barrierën e asaj fryme moderne me shti diçka që nuk a kanë dëgjuar më herët në Kosovë”.

Performancën e grupit “Solar Flare” e ka pëlqyer kitaristi Birol Urcan i rock-grupit “Connecting Dots”.

“Shumë mirë, shkëlqyeshëm. Bendet, domethënë bendi i parë, së pari edhe si produksion por edhe si muzikë, si interpretim por edhe si komponim që i shkëlqyeshëm, kështu që është natë e veçantë ky koncert”.

Ka qenë shkurti i sivjetmë, kur “Defy Them” do të njoftonte se për dy vjet janë formuar hiç më pak se njëzet rock-grupe. Kjo qendër në strehimoren e dikurshme është bërë pikë reference e kulturës alternative.