EXPRESS

“Udhëtimi i gjatë drejt natës” hyn në familje

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës”, e fut publikun brenda një familjeje gati të shkatërruar dhe prej aty synon të nxjerrë mësime. Produksioni teatror që trajton një temë sociale, me tekst të Eugene O’Neil nën regji të Iliriana Arifit, erdhi premierë të mërkurën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Familja i ngjan asaj klasike londineze dhe aty zbërthen sfidat që mund t’i ketë secila, pavarësisht vendit. Në këtë kontekst, tema e saj është universale. Përball ëndrrat dhe sfidat që sjell jeta. Secili prej personazheve ka synime të ndryshme por probleme të njëjta si luftën me njëri-tjetrin dhe lidhjen e ngushtë me varësinë.

Personazhe aventurierë, por të dobët për nga shëndeti erdhën të interpretuar në prej aktorëve: Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli, Don Shala dhe Florie Bajoku.

Sipas regjisores Iliriana Arifi, shfaqja nuk ka qenë sfidë duke marrë parasysh se tematika e saj është aktuale edhe sot në shoqëri.

“Është teksti i Eugene O’Neil i shkruar më 1912. Vite të tjera është inskenuar edhe në Shqipëri, por kjo është hera e parë që po inskenohet në Kosovë. Nuk ka qenë ndonjë sfidë e madhe me punu me të, sepse tema është aktuale edhe sot. Varshmëria ndaj alkoolit dhe drogës janë pjesë e shoqërisë sonë fatkeqësisht, por po shpresoj që ia kemi dalë ta sjellim para audiencës këtë shfaqje”.

Vepra e dramaturgut amerikan, Eugene O’Neil, konsiderohet si gjysmautobiografi e vetë autorit dhe njihet si kryevepra e tij. Bashkëpunimin dhe ekipin e ka çmuar edhe kasta e aktorëve.

“Procesin e kam dashur shumë. Ekipi ka qenë fenomenal. Edhe po ta kërkoja s’do ta gjeja. Jam shumë i kënaqur si e kemi bërë procesin. Për rezultatin e lëmë publikun me na tregu se si e shohin. Përndryshe jam shumë i kënaqur me atë se si shkoi shfaqja. I kemi bërë gjërat që i kemi ushtruar deri më tash. Mendoj se shkoi mirë”, deklaroi Allmir Suhodolli.

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” trajton temën e shkatërrimit rrënjësor, duke sjellë para publikut grindjet më absurde që mund të kenë njerëzit raporti i të cilëve përtej familjar, është i afërt si prindër-fëmijë ose vëllezër. Shfaqja ka qenë sfiduese për aktoren Arta Selimi.

“Provave ia kemi nis përafërsisht para 40 ditëve. Fillimisht ka qenë pak e frikshme sepse unë nuk i mbaj lehtë tekstet në mend. Por pastaj vjen procesi dhe puna dhe gjithçka ndodh pas procesit. Procesi ka shkuar shumë mirë dhe kam qenë me kolegë shumë të mirë. Me Ernestin punoj tashmë shumë vite dhe shumë shfaqje i kemi bashke. Me dy djemtë e rinj më ka rënë që të punoj për herë të parë në teatër dhe janë shumë të mirë”.

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” vazhdon me repriza për tri ditë, duke nisur prej sonte në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar.