EXPRESS

“TRIX” feston gjysmëshekullin me këngët që bënë histori

Në sallën përplot dhe nën jehonën e këngëve ikonike, jubileu i grupit “Trix” është festuar bashkë me publikun. Këngët kanë jehuar edhe si dëshmi për hitet që nuk zbehen dot. Madhështore qe mbrëmja në të cilën 14 këngë janë rikthyer nga solistë të ndryshëm e me një ekip të madh nën dirigjimin e Valton Beqirit, që kanë mbushur Ferizajn me vargje të njohura për tërë Kosovën.

Gala-koncerti, ashtu siç u quajt, riktheu rock n'roll-in shqip të viteve ‘70 në Ferizaj dhe kjo erdhi edhe si festë në 150-vjetorin e themelimit të këtij qyteti.

Muhamet Bislimi dhe Veli Sahiti u ngjitën në skenë për të qëndruar krenarë me arritje e për Nuredin Azemin homazhi s’u kërkua me një minutë heshtje, por me një minutë duartrokitje.

Për Veli Sahitin, si solist i grupit dhe ai që njihet si “ikonë e Trixave”, më të veçantë për të këtë mbrëmje e bëri riorkestrimi i këngëve të tij, që tashmë numërojnë shumë vjet.

“Ajo që më kënaqi sonte ishte një performim dhe aranzhime të reja të këtyre këngëve të cilat nuk mund të them që kanë qenë në pluhurin e harresës, por megjithatë sot më kanë dhënë një kurajë shumë të madhe këta solistë të shkëlqyer, të cilët kanë interpretuar këngët në objektivin dhe stilin e vet dhe kjo më gëzon mua më së shumti. Një gjeneratë e re t’i këndojë këngët e viteve ’70 nuk ka mrekulli më të madhe për një kompozitor dhe këngëtar”.

Prapa e ka kthyer ky koncert Muhamet Bislimin, bashkëthemelues i grupit.

“Kam pasur shumë emocione dhe është normale, sepse po kthehemi shumë vjet pas. Punën që e kemi bërë po shihet. Nuk ka qenë e lehtë me këtë publik madhështor dhe me këta njerëz që ende e përkrahin muzikën e grupit ’Trix’ me Veliun. Kemi bërë një punë të madhe dhe me shumë vështirësi kemi arritur deri këtu. Prandaj për mua ka jo pak emocione, por nuk munda t’i shprehja para publikut sepse s’desha të bëhesha frikacak".

Barrën e madhe për këtë koncert mbi supe e ka mbajtur Valton Beqiri, i cili ka mbledhur dhe ka orkestruar shumë këngë të grupit për ta bërë mbrëmjen ideale si një rikujtim.

“Natyrisht grupi ‘Trix’ ka një numër shumë të madh këngësh prej të cilave janë shumë të njohura. Ka edhe prej tyre që janë shumë të bukura, por nuk janë dëgjuar shumë. Prandaj ka qenë një përzgjedhje e përbashkët edhe me Veli Sahitin. Jemi munduar që të kemi edhe këngë shumë të njohura, edhe këngë të cilat mund të themi se nuk janë interpretuar aq shpesh. Një përzgjedhje të stileve të ndryshme të këngëve të ndryshme në mënyrë që të kemi një laramani më të madhe të programit në këtë koncert".

Kjo mbrëmje pos që ishte e veçantë për grupin, ishte e veçantë edhe për ferizajasit. Bëhej e rëndësisë primare kur titulli i artistit dhe i ferizajasit takoheshin në një njeri të vetëm. Ashtu ngjau për Erza Qerkinin, e cila në mbrëmje këndoi “I lumtur isha me ty” dhe “Zeshkania ime”.

“Si ferizajase normalisht që është ndjenjë shumë e mirë, sidomos për 150- vjetorin e qytetit të Ferizajt, por edhe për 50-vjetorin e karrierës së ‘Trixave’. Ka qenë ndjenjë shumë, shumë e mirë”.

Organizimin kushtuar pesë dekadave punë të “Trixave” instrumentisti e dirigjenti Edon Ramadani e ka shfrytëzuar si thirrje për qytete të tjera. Sugjeron që të tilla organizime të bëhen edhe më shumë pjesë e vendit, për të nxjerrë në pah perlat që i rezistuan kohës.

“Iniciativa të tilla dhe me këngë të këngëtarëve dhe bendeve ikonike janë të mirëseardhura. Ka qenë një koncert i një formati pak më të madh, duke parë gjithë këta instrumentistë në skenë, me të gjitha ato orkestrime dhe këtë skenë. Kështu që i kisha inkurajuar edhe qytetet e tjera me e ndjekë rrugën e qytetit të Ferizajt, i cili nuk është hera e parë që e bën një gjë të tillë. Për mua është hera e dytë që marr pjesë në një koncert të një formati të ngjashëm në Ferizaj kushtuar artistëve të Ferizajt. Kështu që ishte kënaqësi dhe shpresoj që të bëhen edhe koncerte të tilla për artistët e tjerë, këngët e të cilëve këndohen dhe janë të pavdekshme”.