EXPRESS

“Gadjo” thërret kundër diskriminimit

Kanë qenë skena prej realitetit, të cilat tronditën opinionin kur dolën xhirimet për rrahjen e gruas rome në Ferizaj e Lipjan. Tash, janë skena të tilla që janë bartur në skenë teatrore dhe vija ndarëse me realitetin është krejt e hollë. Titulli është denoncim dhe ironi në të njëjtën kohë. “Gadjo (evropianët e rinj), e dhënë premierë në Kosovë në teatrin “Oda”, është alarm për shoqërinë. Është reflektim i asaj që ngjan në përditshmëri, thirrje për të mos i mbyllur sytë. Publiku është krejt afër, edhe me skenën, por edhe me ngjarjen.

Skena e parë dhe disa të tjera zhvillohen paralelisht në kohë e në dy lokacione. Në njërën janë katër të rinj shqiptarë të luajtur nga aktorët nga Kosova e Shqipëria, Rafael Hoxha, Verona Koxha, Juli Emiri dhe Blend Sadiku, duke shikuar në telefonat e tyre pa i larguar sytë nga ekrani. Pamje krejt e zakontë. Karakteri i tyre agresiv shpërfaqet posa të thonë fjalët e para.

Në skenën tjetër është Edona Reshitaj, e cila e portretizon gruan rome që u dëbua nga Belgjika në Kosovë. Sfidat e saj nisin ende pa u akomoduar në qendrën për azil. Aktorët janë në disa role: herë qytetarë, policë, gazetarë. Të gjithë janë dhunues. Romja, përherë viktimë. Ajo kërkon shpëtim edhe në rite besëtyte, u kthehet porosive të gjyshes. Thërret për ndihmë ujin e bekuar. S’e gjen dot. “Gadjo...” është emri për të huajin, tjetrin nga gjuha rome.

Shfaqja vjen si bashkëpunim midis qendrës “Multimedia” dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Drejtori i teatrit “Kutjim Spahivogli”, Gjergj Prevazi, ka thënë se teksti i Jeton Nezirajt e regjia nga Blerta Neziraj e ka shtyrë ta nisin këtë bashkëpunim.

“Kjo ka qenë arsyeja pse ne si teatër eksperimental ndoshta nga të rrallat bashkëpunime, nga të rrallat bashkëprodhime në fushën e teatrit ndërmjet një institucioni publik në Shqipëri dhe një iniciative të pavarur në Kosovë, siç është qendra ‘Multimedia’. Unë si drejtues i Teatrit Eksperimental jam super i kënaqur nga ky bashkëpunim. Së pari në rrafshin profesional, siç e pamë është një produksion i cili besoj fort dhe shpresoj të jetojë sa më gjatë e të prezantohet sa më shumë që të jetë e mundur, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe jashtë”.

Në esencë shfaqja e trajton fenomenin e racizmit. Ka edhe elemente që prekin të tjera dukuri negative të shoqërisë. Skenat në vazhdimësi nëpërmjet lojës skenike përshkruajnë gati çdo ditë të zakonshme në Kosovë. Mediat portretizohen si palaço e rinia si e dhunshme, pa ambicie e krenare me të qenët agresiv. Krejt këto si pasoje e përmbajtjeve në rrjetet sociale.

Aktori Rafael Hoxhaj ka thënë se shfaqja nuk ndalet vetëm te fati i subjektit që e trajton. Prek dhe hap çështje të përgjithshme që nuk lidhen domosdoshmërisht me ambientin prej nga e merr temën.

u përket temave që prek besoj se janë shumë globale dhe universale, nuk është vetëm një temë që prek vetëm komunitetin rom, por është dhuna faktor të cilin ne e vuajmë në jetën e përditshme, qoftë ajo verbale, fizike, në vendet e punës, në shkolla. Pra është një fenomen që gjendet. Pastaj gjëja më shqetësuese është brezi që po rritet, ata që po rriten, po rriten me një frymë totalisht të gabuar, me shembuj totalisht të gabuar që servohen nga serverë interneti e rrjete sociale në të cilat është shumë e thjeshtë ta japësh një mesazh, por është shumë e vështire ta mbash dhe t’i qëndrosh atij”.

Loja e aktorëve vjen e gjallë, sikur secili nga ta të mundohet që në ato momente ta çrrënjosë racizmin e përbuzjen, të ngulitura thellë në vetëdijen e shoqërisë.

Hoxhaj e ka vlerësuar të rrallë këtë lloj bashkëpunimi.

“Është një ndër bashkëpunimet e rralla sepse nuk ka pasur të tillë që vjen si bashkëprodhim i dy teatrove, qendrës ‘Multimedia’ dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Besoj se është diçka e rrallë. Ka qenë një përvojë shumë e mirë për vetë faktin që kemi përqafuar një stil të ri teatri, stil të cilin Blerta me Jetonin kanë kohë që e përçojnë, jo vetëm këtu por edhe ne Evropë, ndërsa për ne ishte diçka e re por shumë frytdhënëse, pasi patëm mundësi të njohim degë të reja teatri dhe të njohësh edhe kolegët këtu është bukur dhe mirë”.

Në publik ka qenë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi. Ai ka theksuar se me vetë faktin që në teatër inskenohet një shfaqje me temë të tillë, do të thotë se shoqëria po shkon drejt vetëdijesimit.

“Unë sot vërtetë ndjeva emocione të posaçme duke e përcjellë dramën ‘Gadjo’, që në gjuhën rome do të thotë ‘i huaji’, dhe të them të vërtetën u emocionova jashtëzakonisht shumë. Drama kishte mesazhe të shumta, paragjykimin ndaj një grupi të caktuar, racizmi, dhunën, diskriminimin, degjenerimin dhe shumë elemente negative në mesin e shoqërisë tonë. Ajo që mua më erdhi mirë është që këtë e janë bërë jo romët”.

“Gadjo” (evropianët e rinj)” premierën botërore e pati në Tiranë më 28 prill dhe kritika e ka pritur mirë këtë produksion.