EXPRESS

Dy flamujt e shqiptarëve

Flamuri i Kosovës lindi bashkë me shtetësinë, më 17 shkurt 2008, e bashkë me të edhe debati për peshën e tij te shqiptarët, të cilëve iu desh kohë që të nisin ta duan.

Kosova lindi bashkë me flamur. Kur u shpalos, erdhi bashkë me debatin për të. Flamuri kombëtar është i pazëvendësueshëm për shqiptarët. Sikurse në festa përvjetorësh të Kosovës shtet. Por për 15 vjet, edhe ai i shtetit të ri ka zënë vendin e vet.

Një rol të madh në këtë kanë luajtur veçmas kultura e sporti. Valëvitja dhe fotografitë e Majlinda Kelmendit, Xherdan Shaqirit, Dua Lipës apo Rita Orës me flamurin e Kosovës bënë që qytetarët të lidhen edhe më tepër e të krijojnë kujtime me të.

Historiani Ylber Hysa ka thënë se shqiptarët e Kosovës me kohë kanë ditur ta bëjnë ndarjen midis dy flamujve.

“Me siguri e duan më shumë se sa pesëmbëdhjetë vjet më herët në kuptimin që ndoshta ishte i lidhur në atë kohë me një mocion të të bërit shtet dhe kishte një si të thuash fillim të dashurisë në kuptimin që të gjithë po njiheshin me një simbol të ri që në një mënyrë ose tjetër solli edhe dilema të tjera rreth asaj që është përjetuar si flamur shqiptar dhe ky distinksion ndoshta ka sjellë disa debate dhe dilema, por besoj që shpejt u kuptua që ky flamur, i verdhë dhe i kaltër në fakt është komplementar dhe lidhet me domethënien e të qenët shtet dhe kjo ndjenjë shtetësie u pa si moment krenarie në momente të veçanta jo vetëm kur festohet 17 shkurti, por edhe kur fitonin medaljen e artë në xhudo, edhe kur fitonin në futboll. Domosdoshmërish ky akt e bën më sublim ndjenjën e shenjës shtetërore”, ka thënë Hysa.

Historiani Durim Abdullahu, i cili ligjëron edhe për veksikologjinë – shkenca që studion flamujt – ka thënë se shqiptarëve të Kosovës u është dashur kohë të lidhen me flamurin e tyre.

“Tani që kanë kaluar 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, flamuri i Kosovës natyrshëm ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i pranueshëm dhe duke prodhuar e përmbajtur sentimenete për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdullahu.

Abdullahu ka theksuar se flamuri i Kosovës nuk pati një histori të mëhershme, siç rëndom kanë pasur flamujt e shumicës së shteteve të Evropës, dhe kjo mund të ketë ndikuar në dashurinë dhe pranimin e tij.

“Në rastin e flamurit të Kosovës fjala është për një flamur i cili ka një histori disi më të ndryshme prej shteteve të tjera të Evropës sepse është flamur që është dizajnuar enkas për një shtet që u krijua në vitin 2008, që vazhdon të jetë shteti më i ri në Evropë. U formua në një kohë kur përgjithësisht mendohej se kishte perënduar koha e shtet formimeve në Evropë dhe rrjedhimisht është një flamur që nuk ka një histori paraprake, por ditëlindja e flamurit është në të njëjtën ditë me ditëlindjen e vet shtetit, që besoj se kjo është edhe arsyeja pse në fillim disi është parë me rezervë dhe vetëm me kalimin e viteve ka nisur e është bërë më i pranueshëm”, ka thënë ai.

Sipas historianit Hysa, dy flamujt, ai i Kosovës dhe ai kombëtar, bartin kuptime dhe domethënie të ndryshme, kështu që asnjëri nuk ia zë vendin tjetrit.

“Mbetet e drejtë e gjithkujt ta kontestojë shijen estetike të flamurit. Siç e dimë, atë kohë ka pasur dilema, por përdorimi i flamurit kuqezi ka traditë në Kosovë. Me sa e di unë dëshmia e parë është e vitit 1916 në Gjakovë në kohën e Austro-Hungarisë, fotografi që i kam marrë edhe vetë dhe është përjetuar dhe këtë e kemi pasur problem, t’ia shpjegojmë atëherë menjëherë pas luftës edhe UNMIK-ut që nuk bëhet fjalë për një simbol të shtetit shqiptar, por bëhet fjalë për një simbol të shqiptarëve dhe vazhdon si i tillë edhe sot të kuptohet. Besoj se flamuri i Kosovës si simbol i shtetit nuk ia zë vendin flamurit kuqezi, që normal nëpër dasma është i përdorur si një moment intim, si moment i identitetit më të gjerë dhe identitetet nuk janë përplasje, janë mbishtresime dhe Kosova dhe shqiptarët nuk janë në kundërshti me njëra-tjetrën janë plotësim i njëra-tjetrës”, është shprehur Hysa.

Një mendim të tillë ka edhe kolegu i tij, Abdullahu.

“Debati që rikthehet nganjëherë, te publiku kosovar veçanërisht, ai i krahasimit mes flamurit kombëtar shqiptar dhe flamurit shtetëror të Kosovës kam përshtypjen se është një debat disi shterpë sepse këta flamuj nuk janë të krahasueshëm para së gjithash nuk janë, si të thuash, të konkurrueshëm me njëri-tjetrin. Në njërën anë kemi një flamur që ka një histori shumë të vjetër, siç e përmenda ai i Shqipërisë origjionon në Mesjetën e vonë dhe është rimarrë pastaj në kohët moderne për tu kthyer në flamur shtetëror dhe në anën tjetër kemi një flamur tjetër shtetërorë që ka ditëlindjen me vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Nga të gjithë flamujt e shteteve të botës është vetëm ai i Kosovës dhe Qipros që kanë brenda vetes hartën e shtetit të tyre. Yjet janë për Kosovën multietnike. Në 15-vjetor Kosova feston edhe me flamurin e saj, edhe me atë kombëtar.