EXPRESS

“Flaka E Janarit” kthen Gjilanin në qytet të artit

E nisur 32 vjet më parë, “Flaka e Janarit” jo veç në Gjilan, por në tërë Kosovën ishte ngjarja që jehoi thirrjet për rezistencë të popullit shqiptar gjatë viteve ’90. Filloi si shenjë nderimi për heronjtë në 10-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Më 1992 mbajti edicionin e parë të saj për të mos ndalur rrjedhën e saj as në kohë lufte a rrethana pandemie.

Aktori i trupës së Teatrit të Gjilanit, Ali Demi, është shprehur se Festivali e pasuron qytetin, e në veçanti Teatrin për vlerat që bart. Derisa ka treguar historinë e Festivalit, ka thënë se në ato rrethana nuk ka mundur të manifestojë aktivitetin në objektin e Teatrit dhe se ishte mbajtur në fshatrat Përlepnicë dhe Bresalc. Me mbarimin e luftës, ishte kthyer në Teatër e ishte formësuar prej viti në vit me shtyllat e saj.

Si zakonisht, edhe këtë vit ka filluar me nderime të dëshmorëve me 11 janar ku edhe janë ndezur flakadanë në ballkonin e Teatrit të Qytetit.

Organizatorët e një prej shtyllave të “Flakës së Janarit” - festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës” – kanë thënë se përgjatë këtij edicioni, publiku ka ndjekur shfaqjet edhe duke qëndruar në këmbë. “Pak pakt” me tekst dhe regji të Ledian Gjeçit ka qenë shfaqja e fundit për këtë edicion të “Talia e Flakës”, e cila hyn në rend të garës së Festivalit me pesë shfaqje të tjera. Sipas organizatorit Migjen Fazliu, festivali ka vetëm një kriter për t’iu përshtatur asaj që quhet dramë origjinale shqipe: të jetë shfaqje origjinale dhe autori i saj të jetë shqiptar.

Në tërësi, “Flaka e Janarit” organizohet nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë e cila për rëndësinë dhe vlerat që bart, në vitin 2020 e përfshiu këtë ngjarje në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme si aset shpirtëror.

Me shfaqjen “Pak Pakt” të teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës edhe u mbyll festivali “Talia e Flakës”. Ajo që nis me të qeshura pafund te publiku, shpejt zbulohet si tragjikomedi. Aty trajtohen problemet shoqërore si migrimi, margjinalizimi i grupeve të shoqërisë dhe paragjykimet ndaj tyre, derisa niveli i ulët i arsimit shpaloset me anë të teorive konspirative të dëgjuara më së shumti viteve të fundit gjatë përballjes me pandeminë.

Ledian Gjeçi, regjisor e autor i shfaqjes, ka thënë se ardhja nga vendi shqipfolës në një tjetër flet për të njëjtën problematikë dhe publiku identifikohet nëpërmjet dramës shqipe në të cilën gjen veten.

Aktori Ermir Hoxhaj, i cili luan një nga rolet kryesore ka vlerësuar të rëndësishme shpalosjen e temave të ndjeshme në të cilën gjen veten edhe ai derisa luan rolin.

Manipulimi me sistemin e drejtësisë është një nga temat e shfaqjes. Aktori Margent Caushi ka vlerësuar se migrimi i të rinjve dhe pandemia kanë qenë gërshetim i bukur i temave që përkojnë me situatën kur është shkruar teksti.

Në garë për çmime sivjet janë edhe shfaqja “Fausti” me regji të Fadil Hysajt, që u dha premierë më 23 janar në kuadër të Festivalit, bashkë me “Nyjat”, prodhim i Teatrit Shqiptar në Shkup, “Toka e shpirtrave të trazuar” e qendrës “Artpolis”, “Burrnesha” e qendrës “Multimedia” dhe teatrit “Oda” dhe shfaqja “Babai dhe Babai” prodhim i organizatës “Integra”.

Hapësirë e veçantë i kushtohet artit pamor ku në galerinë e qytetit po qëndron ekspozita “Peneli i Flakës” që përfshin piktura, vizatime, fotografi e skulptura të autorëve të ndryshëm. Koncept i ekspozitës për këtë vit ka qenë liria me kurator Refki Gallopenin.

31 janar do të ndahen çmimet për artistin më të mirë pamor në kuadër të “Penelit të Flakës”. Çmimet do të ndahen edhe për “Penën e Flakës” për artin letrar dhe për “Xixat e Flakës” për çmimet në muzikë.