EXPRESS

Shkatërrimi i Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Vetëm pianoja e dëmtuar rëndë ka mbetur shenjë se ndërtesa ka të bëjë me muzikën. Përreth saj gjithçka është e shkatërruar. Gjendja në të cilën është bashkë me mbishkrimet janë tregues se hapësira është shndërruar në strehë vandalësh. Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës, i inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve, është buzë demolimit të tërësishëm të hapësirave të brendshme. E institucionet lokale nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje për këtë problem.

Në objektin që më parë u ka bërë strehë veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, tashmë mund të shihen katrahurë, tollovi e mbeturina. Në mes të krejt hapësirës së braktisur gjendet pianoja e akademik Rauf Dhomit.

Por, tani gjendja e kësaj pianoje është e rëndë. Aty mungon edhe murali i punuar nga Gurakuq Dobruna.

Në vitin 2012 objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.

“Ne kur kemi dalë nga aty ka qenë një lokal që e pati marrë një firmë dhe ne e kemi lënë aty një lokal funksional. Në kuadër të kësaj jemi marrë vesh që ai t’i punësojë dy punëtorë që e kanë të përfunduar fakultetin e muzikës, kanë qenë edhe kriteret dhe të gjitha, por që, pas disa muajve pasi unë kam përfunduar mandatin, ai ka dështuar si biznes dhe nuk ka pasur përcjellje të atij muzeu. Nuk ka pasur mbikëqyrje as lokale, as institucionale, e fatkeqësisht as të organeve të rendit”, deklaroi Meriton Ferizi, ish-drejtor i kulturës në Gjakovë.

Sipas Ferizit, Komuna duhet të kujdeset dhe ta menaxhojë Muzeun.

Institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë qasje në menaxhimin e hapësirës.

“Prej vitit 2015 Komuna e ka marrë objektin edhe si pronë, edhe si funksion ose destinim. Më 2016 e hapën Muzeun e Muzikës dhe prej atij viti Ministria e Kulturës nuk ka qasje direkte sa i përket menaxhimit të këtij muzeu”, tha drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Visar Haxhibeqiri.

Për tërë vandalizimin dhe shkatërrim e objektit të Muzeut të Muzikës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë kishte bërë dy shkresa. Ishin njoftuar Ministria e Kulturës dhe Komuna e Gjakovës bashkë me Policinë.

Për disa nga eksponatet e këtij muzeu ishte kujdesuar Muzeu Etnografik i Gjakovës. Megjithatë, për shkak të vështirësive në bartje, pianoja kishte mbetur në mëshirë të fatit.

“Ne kemi marrë disa eksponate dhe i kemi sjellë në Muzeun Etnografik. Pianoja nuk është hequr, sepse dyert janë më të vogla e edhe kur ka hyrë aty pianoja, ka hyrë me shumë vështirësi. Objekti ka qenë i mbyllur fillimisht, por për shkak të intervenimit është mundësuar hapja e murit të madh. Vandalizimi i saj duhet të ketë ndodhur gjatë festave të fundvitit, sepse ne shkojmë herë pas here dhe e vizitojmë objektin, por për shkak të rinovimeve kjo ka ndodhur më rrallë”, deklaroi drejtori i Muzeut Etnografik të Gjakovës, Besmir Hasi.

Nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik janë bartur dy kontrabasë, një fagot dhe disa fotografi, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, janë vendosur brenda një pakoje. Disa nga objektet, siç është sharkia e Ymer Rizës, janë marrë nga familjet e artistëve.

Ekipi i KOHËS gjatë ditës së mërkurë, sa ka qëndruar në Gjakovë, ka provuar që të marrë deklaratë nga zyrtarët komunalë. Por, është kërkuar që pyetjet t’u përcillen me postë elektronike. Pavarësisht kësaj, deri të enjten pasdite nuk ka kthyer përgjigje.

I zhgënjyer me krejt atë që ka ndodhur ndër vite është akademik Rauf Dhomi. Ai në vitin 2005 pianon, në të cilën ka kompozuar operën e parë në Kosovë “Goca e Kaçanikut”, ia kishte dhënë shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, që gjendet jo fort larg Muzeut në qytetin perëndimor.

“Drejtori i Shkollës së Muzikës në Gjakovë ma pati kërkuar pianon ku e kisha punuar operën. Më pas e kanë dërguar në Muze për qëndrim të përkohshëm, me sa di unë. Për përdhosjen vetëm kam dëgjuar e nuk di më tepër”.

Dhomi ka bërë thirrje që komuna të intervenojë në mirëmbajtjen e Muzeut.