EXPRESS

Dyqind këngë të artistit dëshmitar, poet dhe këngëtar

Janë 200 këngë të kantautorit Ilir Shaqiri, që vazhdojnë të dëgjohen tash e katër dekada. Një pjesë e krijimtarisë së tij tashmë është përmbledhur në librin “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri” me autor Korab Shaqirin. Kolegë, miq e adhurues të këngëtarit janë bashkuar në librarinë “Dukagjini” në përurimin e këtij libri, që përfshin këngë të Shaqirit që nga viti 1983. Në përurimin e librit është theksuar zotësia e kantautorit për t’i bërë bashkë poezinë dhe muzikën në këngë. Aty thuren kontekste të ndryshme kohore dhe si të tilla ato janë jetësuar brenda etnokulturës dhe etnopsikologjisë shqiptare. Libri i tij erdhi edhe si dhuratë për këngëtarin në ditëlindjen e 61-të.

Këngët e tij që janë të përmbledhura në librin që është përuruar të hënën mbrëma janë vlerësuar që gjithnjë kanë krijuar realitete shpirtërore dhe objektive. Ato janë cilësuar edhe si frymëzim për mobilizimin e popullit shqiptar për aspirata shekullore për liri dhe barazi. Pjesa më e madhe e këngëve të tij trajtojnë temën e atdheut dhe brenda universit të tij muzikor dhe letrar ka edhe vargje të dashurisë.

“Ilir Shaqiri u bë artisti dëshmitar, poet dhe këngëtar që bashkëjetoi me fatin tragjik të popullit të tij. Fati i tij u bë një me vuajtjen dhe qëndresën e popullit”, ka thënë redaktori letrar i librit, Arben Veselaj.

Opusi i Ilir Shaqirit si këngëtar e krijues përfshin mbi 650 këngë në muzikën e lehtë, popullore dhe për fëmijë. Këngët e tij, sipas redaktorit muzikor të librit Valton Beqiri, shfaqin pasqyrimin real dhe personalitetin krijues të këngëtarit. Sipas tij, dashuria e tij për muzikën filloi shumë herët dhe përvoja e tij e fituar gjatë procesit krijues ka qenë faktori më i rëndësishëm në zhvillimin dhe profilizimin muzikor të kantautorit Ilir Shaqiri.

“Që nga fillet e para të krijimtarisë, njohuria e akumuluar muzikore ka shërbyer si terren pjellor për zhvillimin dhe formësimin e tij të vazhdueshëm muzikor. Gjatë rrugëtimit krijues gjithnjë na paraqiten frymëzime dhe kërkesa të reja të cilat absorbohen me përkushtim dhe dashuri të madhe ndaj muzikës”, ka thënë redaktori muzikor i librit “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”.

Korab Shaqiri ka theksuar se ka punuar dy vjet në këtë libër dhe hulumtimet për të e kanë kthyer në ditët e fëmijërisë dhe e kanë bërë të njihet me shumë bashkëpunëtorë të babait të tij. Gjatë punës dyvjeçare Shaqiri thekson se ka përjetuar momente shumë të lumtura duke u futur në labirintet e këngëve me vlera të larta estetike duke njohur e rinjohur poetë, kompozitorë, orkestrues dhe instrumentistë të shkëlqyer të botës shqiptare.

“Kujtesa më kthente në vitet e mia të fëmijërisë, ku babai im më merrte në prehër pranë një pianoje në banesën tonë të ngushtë në Prishtinë. Idetë dhe motivet e atyre këngëve së pari tingëllonin aty, për t’u shpërndarë më vonë gjithandej audiencës ku kishte shqiptarë. Dhe nuk kisha se si ta imagjinoja, nuk mund ta dija që ato krijime do të bëheshin subjekt i admirueshëm për mua”, ka thënë Korab Shaqiri, autor i librit.

Libri është përuruar në ditëlindjen e 61-të të këngëtarit Ilir Shaqiri, të cilit në vitin 2019 i është dhuruar titulli "Nderi i Republikës së Kosovës" nga Presidenca e Kosovës.

Këngëtari para të pranishmëve ka shprehur emocionet e tij për promovimin e librit, i cili, sipas tij, është dëshmi e bashkëpunimit me shkrimtarë e muzikantë.

“Kur na vjen një këngë e bukur dhe e lashtë, ne që merremi me muzikë kemi pyetur se kush është autori i këngës, i tekstit dhe gjithmonë përgjigjja ka qenë është këngë popullore. Shumë bukur që është popullore, por duhet ta ketë një autor. Gjithmonë kemi biseduar se s’mund të mblidhet një popull për ta bërë një këngë, është e vogël një këngë për ta bërë një popull. Merreni me mend pas një kohe kënga ‘Sërish vjen marsi’ do të thuhet është këngë popullore, e ka bërë populli. Ky libër do të thotë e ka bërë Adem Gashi”, ka thënë këngëtari para të pranishmëve.

Libri nuk ka qenë dhurata e vetme për këngëtarin që çdo vit u këndon dhimbjes dhe sakrificës së marsit të vitit 1998.

Sala Jashari nga familja Jashari e Prekazit i ka dhuruar këngëtarit një dhuratë me emblemën e UÇK-së.

Ilir Shaqiri është edhe krijues i muzikës në 17 filma dokumentarë dhe ka botuar 34 albume muzikore dhe 4 videoalbume me këngë. Në vitin 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ai ka botuar albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura. Veprimtaria e tij kreative është përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe Dashuri”, me autor prof. dr. Kudusi Lama, botuar nga LSHK në vitin 2012. Vokacioni i tij janë muzika, proza dhe poezia moderne.