EXPRESS

Hamami i Vushtrrisë, objekt i mbyllur i trashëgimisë kulturore

Është një nga objektet që konsiderohet pasuri e trashëgimisë kulturore të vendit, por Hamami i Vushtrrisë nuk hapet për vizitorët.

Qytetarët e këtij vendi antik privohen të shohin lashtësinë që gjendet në muret e banjës publike që nga viti 1979. Historiani dhe zyrtari i Drejtorisë Komunale të Kulturës, Izet Miftari, tregon arsyen e mbylljes disavjeçare të këtij objekti kulturor, i njohur si “Hamami i Gazi Aliu Beut”, teksa thotë se ndërrimi i pushtetit dhe i stilit të jetës kanë qenë një ndër faktorët.

“Ky hamam që në vitet e 80’ta-90’ta është lënë në mëshirën e fatit. Nuk ka pasur thuajse fare përkujdesje institucionale deri pas përfundimit të luftës, deri pas vitit 1999. Me konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe me formimin e shtetit të Kosovës, gradualisht është filluar të ketë përkujdesje institucionale edhe për monumentet e trashëgimisë kulturore, në këtë rast edhe Hamami”, thotë Izet Miftari.

Mirëpo, 21 vjet pas luftës, institucionet qendrore nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret për restaurimin dhe konservimin e brendshëm të këtij objekti kulturor, teksa restaurimi i pjesës së jashtme është financuar nga Ambasada amerikane.

“Pas luftës ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të bëhet edhe hapja publike dhe restaurimi e konservimi por duhet të kuptojmë që restaurimi dhe konservimi i objekteve të trashëgimisë kulturore është kompleks, nuk është i thjeshtë. Pikë së pari është i kushtueshëm dhe e dyta duhet të jenë personat, mjeshtërit, ata që e menaxhojnë atë punë shumë profesionale. Kjo sepse kemi të bëjmë me diçka shumë të ndjeshme dhe e dyta kjo nuk varet vetëm prej Drejtorisë komunale për Kulturë, Rini dhe Sport. Objektet e trashëgimisë kulturore në Kosovë kanë mbikqyrje nga një trekëndësh institucionesh. Për shembull çdo gjë që merret në restaurim apo në konservim duhet të ketë pëlqimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi të Kosovës që është në Mitrovicë, e njëkohësisht edhe nga Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kosovës që është në kuadër të MKRS-së”, shpjegon historiani nga Vushtrria.

Në anën tjetër, i cilësuar si një ndër Hamamet më të vjetra në vend, ky mbetet një ndër pasuritë e trashëgimisë kulturore të vendit, i cili ndër vite ka pasur funksione të ndryshme.

“Në lidhje me historinë e këtij objekti shumë të rëndësishëm kulturor ka mendime dhe konstatime të ndryshme. Nëse iu referohemi burimeve të ndryshme historike, ne vërejmë se ky objekt gjatë periudhave të ndryshme historike, ka pasur destinime të ndryshme. Gjatë konsultimit të librit të konsullit serb në Prishtinë të shekullit 19-të, shohim një të dhënë shumë interesante dhe na thotë se bazuar në atë çfarë kanë thënë qytetarët e vjetër ky objekt me gjasë dikur ka qenë kishë e vjetër. Natyrisht ai mundohet t’i jap konotacion si kishë dubrovnikase ose e Raguzës. Mirëpo, me këtë mendim nuk mund të pajtohem unë për arsye se në shekullin e 14-të kur kanë qenë dubrovnikasët apo raguzianët në Kosovë kanë qenë vetëm si tregtarë. Shumica e popullatës ka qenë të krishterë para ardhjes së osmanlive dhe objekti u ka shërbyer shqiptarëve kristianë këtu. Në fillim të pushtimit romak ka shërbyer si banjo termike, gjatë mesjetës meqenëse ishte dominuese feja ka qenë e shndërruar në kishë paleo-kristiane dhe me ardhjen e osmanlive në shekullin e 15-të, ky objekt i rëndësishëm është adoptuar në hamam apo banje publike”, thekson Miftari.

Një ndër artefaktet e këtij Hamami, pllaka antike e cila dëshmon lashtësinë e popullit tonë, është marrë nga autoritetet serbe për të mos u kthyer më.

“E kanë marrë studiuesit serb nga Beogradi në vitin 1986, këtë pllakë ku shkruan “Deus Andi” që do të thotë “Perëndia Andi” e shekullit I. Qëllimi ka qenë t’i humbet vjetërsia këtij Hamami dhe dhe gjithçka në Kosovë të paraqitet ose serbe ose osmane dhe me qëllim që mos të lihen gjurmë të autoktonisë shqiptare”, thotë historiani Miftari.

Në periudhën kur është përdorur si banjë publike, aty janë pastruar një ditë burrat e një ditë gratë, teksa mysafiri në këtë zonë është nderuar nëpërmjet dërgimit në Hamam.

“Vajzat kur kanë filluar kanagjegjin, që të bëhen gati për t’u martuar, para se të bëhet nuse janë sjellë zakonisht të pastrohen këtu. Është edhe një rast tjetër, djemtë, çunat e vogël pak para synetisë i kanë sjellë këtu për t’i pastruar. Kjo ka funksionuar deri në vitin 1980, përkatësisht 1979, kur është mbyllur dhe nuk është shfrytëzuar si objekt publik apo si banjo publike”, sqaron Izet Miftari.

Tullat e vendosura në Hamam, sipas Miftarit, i ngjasojnë me amfiteatrin e Durrësit, i cili është i shekullit II-III. Kupola në pjesën hyrëse është rreth 10 metra, teksa ato të pjesës së brendshme kanë pasur dy funksione, të ndriçimit dhe ventilimit.