EXPRESS

100 ditë praktikë me violë

Në cilëndo klasë që futet ajo, vetëm pak minuta më pas fillojnë të dëgjohen tingujt e violës. Projekti të cilit i është bashkuar së fundmi e ka shtuar edhe më shumë përkushtimin e saj muzikor.

Instrumentistja Entela Qarkagjija tash e dhjetë vjet merret me lojën në violë.

Ajo është nxitur pikërisht nga hapësira virtuale për të qenë pjesë e një iniciative të veçantë që kërkon 100 ditë praktikë me instrumentin.

Qëllimi i provave të saj të vazhdueshme, të cilat i publikon në rrjete sociale është që përmes praktikës ta studiojë instrumentin dhe të vërejë progresin pas 100 ditëve. Andaj, Entela videot i publikon edhe me gabime gjatë interpretimit.

21-vjeçarja iu bashkua orkestrës së Filarmonisë së Kosovës në fillim të vitit të kaluar. Çdo koncert me orkestrën po ia shton asaj dëshirën për të fituar dhe më shumë përvojë.

Entela Qarkagjija, e cila është studente e violës në vitin e dytë në Fakultetin e Muzikës dhe synon që gjatë vitit të shtrijë aktivitetin e saj edhe në gara jashtë Kosovës.