EXPRESS

Rrëfimi i pjesëtarit të komunitetit LGBTQ

Blend Bytyqi ka shkuar në shkollë si çdo fëmijë tjetër. Veçse që i vogël ka pas dëshirë që t’i lyejë thonjtë. Tash vazhdon studimet ashtu si çdo student tjetër. Veçse i pëlqen të lyejë sytë, e ndonjëherë edhe buzët.

Kjo, thotë Blendi, e bën më ndryshe, ashtu siç janë të gjithë – ndryshe nga njëri-tjetri.

Ai sot është aktivist i të drejtave të njeriut, veçanërisht komunitetit LGBTQ dhe themelues i kolektivit “Hyjneshat”, të cilët organizojnë ngjarje të llojit “Drag”, për dhe me pjesëtarët e këtij komuniteti.

Para 20 vitesh, ngjarjet e tilla, siç kujton Blendi, organizoheshin në shtëpi private dhe në fshehtësi të plotë, për shkak të rrezikut se do të provokonin incidente. Sot, aktivitetet e tilla mbahen haptas.

“Me gjet veten duhet goxha shumë kohë”, thotë Blendi. Nganjëherë ky mision duket gati se i pamundur. Por ai beson që pjesëtarët e këtij komuniteti nuk duhet ta shohin si sfidë pohimin e orientimit seksual.

Sipas tij, e rëndësishme është të jesh vetvetja, pavarësisht si dukesh apo si vepron.

“E edhe më e rëndësishme është të ndihesh rehat nën lëkurën tënde”.